Putin uron Bidenin për fitore në zgjedhje

Bota

Putin uron Bidenin për fitore në zgjedhje

Më: 15 dhjetor 2020 Në ora: 09:43
Joe Biden dhe Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin ka uruar Joe Bidenin për fitoren në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, duke thënë se shpreson që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të lënë anash dallimet e tyre për të promovuar sigurinë globale, transmeton agjencia e lajmeve, AFP.

Sipas një komunikate të Kremlinit, Putin i ka uruar sukses Bidenit dhe ka thënë se “sa më përket mua, unë jam gati të bashkëpunoj dhe kontaktoj me ju”.

Presidenti rus është një ndër liderët e fundit të shteteve të mëdha në botë që nuk ka uruar presidentin e zgjedhur të SHBA-së deri më tani.

Fitorja e Bidenit është konfirmuar nga Kolegji Zgjedhor të hënën.

Zyrtarët në Moskë, duke përfshirë shefin shtetëror për zgjedhje, kanë kritikuar më herët procesin zgjedhor në SHBA, duke e përshkruar si arkaik dhe si jopërfaqësues të vullnetit të popullit.

Në telegramin e urimit për Bidenin, Putin ka thënë se shtetet e tyre “kanë përgjegjësi për siguri globale dhe stabilitet”.

Biden pritet të ketë qasje më të ashpër kundër Rusisë, sesa presidenti amerikan, Donald Trump, të cilin e ka kritikuar gjatë fushatës zgjedhore për “afrim me shumë autokratë në botë, duke nisur nga Vladimir Putin”.

Rusia është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, në të mirë të fitores së Trumpit, me shpresën se ai do të kishte qasje më të butë ndaj Moskës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat