Papa u bën thirrje udhëheqësve të sigurojnë vaksina për të gjithë

Bota

Papa u bën thirrje udhëheqësve të sigurojnë vaksina për të gjithë

Më: 25 dhjetor 2020 Në ora: 14:12
Papa Françesku

Papa Françesku u ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të sigurojnë qasje të pakufizuar për të gjithë, në vaksinat kundër koronavirusit.

Në një fjalim të Ditës së Krishtlindjes, i mbajtur për herë të parë përmes internetit, Papa paralajmëroi kundër vendosjes së "mureve" në trajtimin e koronavirusit.

Për shkak të pandemisë, mesazhi vjetor i Papës, “Urbi et Orbi” (për qytetin dhe botën) këtë vit nuk u mbajt nga ballkoni në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Në vend të kësaj Papa foli nga një foltore në një dhomë brenda Vatikanit.

LEXONI EDHE KËTË:

Papa Françesku: Zoti na do më shumë sesa ne vetveten

Paralajmërimi i Papa Françeskut vjen mes shqetësimeve se vendet më të pasura po blejnë doza të vaksinave në mënyrë joproporcionale dhe në dëm të atyre më të varfërve.

"Biri i Zotit të ripërtërijë te udhëheqësit politikë dhe të qeverive një frymë bashkëpunimi ndërkombëtar, duke filluar me kujdesin shëndetësor, në mënyrë që të gjithë të kenë qasje në vaksinat dhe trajtim", tha ai.

"Përballë një sfide që nuk njeh kufij, ne nuk mund të ngremë mure. Të gjithë jemi në të njëjtën varkë", tha Papa.

Papa tha se efektet e krizës shëndetësore treguan se nevoja për unitet global ishte më e madhe se kurrë.

"Në këtë moment të historisë, të shënuar nga kriza ekologjike dhe çrregullimet e rënda ekonomike dhe shoqërore, të cilat pandemia vetëm sa i ka përkeqësuar, është edhe më e rëndësishme për ne të njohim njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra", tha Papa Françesku.

Ai bëri thirrje për zemërgjerësi dhe mbështetje për viktimat e pandemisë, duke veçuar gratë që përballen me dhunën në familje gjatë bllokimeve.

Duke iu drejtuar problemeve të tjera në botë, Papa bëri thirrje për paqe dhe pajtim në Siri, Jemen, Libi, Nagorno-Karabak, Sudanin e Jugut, Nigeri, Kamerun dhe Irak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat