Liban: Digjet një kamp refugjatësh sirianë

Bota

Liban: Digjet një kamp refugjatësh sirianë

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 18:27
Foto ilustrim

Një kamp refugjatësh sirianë në veri të Libanit u dogj të shtunën në mbrëmje pas një zënke mes anëtarëve të kampit dhe një familjeje vendase libaneze, njoftoi media shtetërore.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, konfirmoi se një zjarr i madh kishte shpërthyer në një kamp në rajonin Miniyeh dhe tha se disa të plagosur ishin dërguar në spital, por nuk dha një numër të saktë.

“Zjarri është përhapur në të gjitha çadrat”, që janë me material plastik dhe druri, – tha për AFP-në zëdhënësi i UNHCR-së Khaled Kabbara.

Kampi strehonte rreth 75 familje, tha ai.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve raportoi se zjarri pasoi një “grindje” midis një anëtari të një familje libaneze dhe “punëtorëve sirianë”.

Të rinj të tjerë nga familja libaneze u “vunë flakën disa prej tendave të refugjatëve”, shtoi agjencia e lajmeve.

Sipas njoftimit, Mbrojtja Civile Libaneze u përpoq të vinte nën kontroll flakët ndërsa ushtria dhe policia kishin ndërhyrë për të rivendosur qetësinë.

Një burim rendi tha për AFP-në se ishin dëgjuar të shtëna, duke thënë se sherri në zonën Bhanine nisi kur punëtorët sirianë kërkuan një pagesë të cilën punëdhënësit e tyre nuk pranuan ta jepnin.

Megjithatë, i njëjti burim tha më vonë se hetimet fillestare zbuluan se mosmarrëveshja mund të ishte shkaktuar nga ngacmimi i një gruaje Siriane.

“Disa familje janë larguar nga zona nga frika sepse pati gjithashtu tinguj shpërthimesh të shkaktuara nga bomba primitive me gaz,” tha Kabbara.

Libani thotë se pret rreth 1.5 milion sirianë, përfshirë rreth një milion të regjistruar si refugjatë në Kombet e Bashkuara.

Autoritetet u kanë bërë thirrje refugjatëve të kthehen në Siri edhe pse grupet e të drejtave paralajmërojnë se vendi i shkatërruar nga lufta nuk është ende i sigurt.

Në nëntor, rreth 270 familje refugjate siriane u larguan nga qyteti verior libanez i Bsharres pasi një shtetas sirian u akuzua për vrasjen e një banori libanez, duke shkaktuar tension dhe ndjenja armiqësore./VOA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat