Ligji i ekstradimit me Kinën alarmon refugjatët ujgurë në Turqi

Bota

Ligji i ekstradimit me Kinën alarmon refugjatët ujgurë në Turqi

Më: 18 janar 2021 Në ora: 20:17
Ilustrim

Turqia u ka siguruar strehë ujgurëve që largohen nga persekutimi kinez, por grupe të të drejtave të njeriut janë të shqetësuar se parlamenti turk është i gatshëm të miratojë një traktat ekstradimi me Kinën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Stamboll, Dorian Jones, kjo ka alarmuar komunitetin ujgur në Turqi.

Çdo ditë Medine Nazimi së bashku me ujgurë të tjerë, mblidhen pranë konsullatës kineze në Stamboll për të protestuar kundër shtypjes së pakicës kryesisht myslimane në Kinë.

“Kam katër vjet që nuk kam marrë asnjë lajm nga motra ime. Kam dëgjuar se qeveria e kishte çuar atë në një kamp dhe ishte liruar pas dy vitesh. Por përsëri e kishte arrestuar në vitin 2019 nën akuza për seperatizëm, sepse ajo kishte studiuar në një universitet në Turqi.”

Për dekada Turqia u ka ofruar azil refugjatëve ujgurë, përfshi disa të kërkuarve nga Kina nën akuzat për terrorizëm. Ndërsa parlamenti turk po shqyrton një marrveshje ekstradimi me Kinën, grupe të të drejtva të njeriut paralajmërojnë se strehimi i tyre sigurtë në Turqi mund të rrezikohet. Ibrahim Ergin është avokat me Shoqatën Ndërkombëtare për të Drejtat e Refugjatëve.

“Nëse miratohet nga parlamenti, ne do të pranojmë një dokument ligjor që na detyron të ekstradojmë njerëzit në Kinë pa konfirmuar nëse ata kanë kryer krime ose jo.”

Marrëveshja e ekstradimit vjen mes thellimit të lidhjeve ekonomike dhe financiare turko-kineze. Kina po ashtu është furnizuesi kryesor i Turqisë për vaksinën kundër koronavirusit.

Një vonesë e mbërritjes së vaksinës u interpretua nga disa në Turqi si një trysni nga Pekini ndaj parlamentit turk për të shpejtuar ratifikimin e marrëveshjes së ekstradimit.

I alarmuar, një udhëheqës ujgur i bëri thirrje në median sociale shoqërisë turke për mbështetje. Seyit Tumturk i tha Zërit të Amerikës se ka patur një reagim pozitiv.

“Ka patur reagime shumë pozitive që na kanë gëzuar. Vëllezërit tanë turq shkuan tek shtëpitë e fqinjëve të tyre ujgurë dhe u thanë se ligji nuk do të miratohet dhe nëse miratohet, ata do të duhet të na ekstradojnë edhe ne në Kinë së bashku me ju. A mund të kishte një reagim më mbështetës se ky?”

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, ndoshta i ndërgjegjshëm lidhur me mbështetjen e fuqishme për ujgurët midis mbështetësve të qeverisë, ka premtuar se asnjë ujgur nuk do të ekstradohet në Kinë.

Por premtime të tilla nuk e kanë zbutur frikën e ujgurëve. Azimet Mohammed është refugjat ujgur.

“Për shkak të shtimit të marrëdhënieve ekonomike dhe teknologjike me Kinën, nuk besoj se Turqia po ofron më mbështetje të hapur për ujgurët.”

Deri më tani, Turqia ka qënë një nga mbështetësit më të fortë të ujgurëve, por frika mes shumë ujgurëve është se pragmatizmi do të dalë mbi parimet./Voa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat