OBSH: Shpërndarja e barabartë e vaksinave në rrezik serioz

Bota

OBSH: Shpërndarja e barabartë e vaksinave në rrezik serioz

Më: 21 janar 2021 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Këtë javë kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi se bota është në prag të një “dështimi të madh moral” sa i përket shpërndarjes së vaksinës kundër COVID-19. Kjo pasi shumë vende janë duke zhvilluar fushata vaksinimit, ndërsa vende të tjera nuk e dinë se kur do të marrin dozat e para.

Ndërsa disa vende shtojnë vaksinimet kundër COVID-19, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëron se shpërndarja e vaksinës në mënyrë të barabartë është në rrezik serioz.

"Më shumë se 39 milionë doza të vaksinës janë shpërndarë tashmë në të paktën 49 vende të pasura. Vetëm 25 doza janë dhënë në një vend të varfër. Jo 25 milionë, jo 25 mijë. Vetëm 25”, tha Tedros Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Duke folur në takimin vjetor të bordit ekzekutiv të organizatës në Gjenevë, Tedros Ghebreyesus tha se nuk është e drejtë që të rinj të shëndetshëm në vende të pasura të vaksinohen kundër COVID-19 para të moshuarve në vende të varfëra.

"Kjo qasje jo vetëm që i lë në rrezik vendet e varfëra dhe njerëzit në nevojë, por edhe është vetëshkatërruese. Në fund të fundit këto veprime vetëm sa e zgjasin pandeminë, dhimbjen tonë, vuajtjen e njerëzve dhe të ekonomisë”, tha zoti Ghebreyesus.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në botë është afër 97 milionë.

SHBA, India, Brazili dhe Britania janë vendet më të prekura.

Megjithëse disa vende filluan vaksinimin që nga dhjetori, autoritetet shëndetësore në Afrikë thonë se mund të duhen javë e ndoshta muaj për të marrë dozat e para.

Mjeku nigerian Oluwajoba Oroge thotë se rastet shtohen çdo ditë ndërsa kolegët e tij ndihen të dërrmuar.

“Rastet do të vazhdojnë të rriten nëse nuk kemi një vaksinë për t’i penguar, një vaksinë që na jep imunitetin e turmës. Kjo nënkupton më shumë ngarkesë në punë, më shumë ngarkesë mendore, më shumë ngarkesë në çdo gjë që unë dhe spitali mund të ofrojmë”, tha mjeku nigerian.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Presidenti Joe Biden anuloi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe tha se do të dërgojë ekspertin kryesor të sëmundjeve infektive Anthony Fauci në mbledhjen e bordit ekzekutiv të OBSH-së këtë javë, për të hartuar një plan ndërkombëtar të reagimit ndaj COVID-19./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat