Tokio raporton numër të lartë infektimesh ndësa vazhdojnë Lojërat Olimpike

Bota

Tokio raporton numër të lartë infektimesh ndësa vazhdojnë Lojërat Olimpike

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 06:52
Tokio 2020

Kryeqyteti i Japonisë, Tokio, raportoi numrin më të lartë të infeksioneve të reja me koronavirus të martën, disa ditë pas fillimit të Lojërave Olimpike. Kryeministri Yoshihide Suga u bëri thirrje njerëzve të shmangin daljet jo të domosdoshme, por tha se nuk ishte e nevojshme të merrej në shqyrtim pezullimi i lojërave.

Tokio raportoi 2848 raste të reja me COVID-19, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të 2520 rasteve ditore më 7 janar. Kjo e çon totalin në më shumë se 200 000 raste që nga fillimi i pandemisë vitin e kaluar.

Aktualisht kjo është e hera e katërt që Tokioja shpall gjendjen e jashtëzakonshme si rezultat i pandemisë. Gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdojë edhe gjatë Lojërave Olimpike, deri pak para fillimit të Lojërave Paraolimpike në fund të gushtit.

Ekspertët kanë paralajmëruar se varianti Delta, që është më ngjitës, mund të shkaktojë një rritje të infeksioneve gjatë lojërave që filluan të premten e kaluar.

Megjithatë, Japonia ka patur shkallë më të ulët të infektimeve dhe vdekjeve se vendet e tjera. Të hënën u raportuan 5020 raste ditore në shkallë kombëtare, duke arritur një total prej 870.445 infektimesh dhe 15.129 vdekjesh.

Mesatarja e infektimeve ditore në Japoni është 3.57 për 100 mijë banorë, krahasuar me 2.76 në Indi, 17.3 në Shtetet e Bashkuara dhe 53.1 në Britani, sipas të dhënave të përpunuara nga Universiteti Johns Hokpiks.

I pyetur nëse ai po shqyrton mundësinë e pezullimit të Lojërave Olimpike, Kryeministri Suga tha, “Nuk ka shqetësim për këtë”, duke shtuar se njerëzit kanë lëvizur më pak që nga fillimi i lojërave për shkak të kontrolleve të trafikut dhe kërkesës së qeverisë që ata të punojnë nga shtëpia.

Kryeministri përsëriti thirrjen që qytetqrët të menjanojnë daljet e panevojshme duke u bërë thirrje atyre që të ndjekin në televizion Lojërat Olimpike.

Qeveria e Kryeministrit Suga është kritikuar për atë që disa thonë se po u jep përparësi Lojërave Olimpike mbi shëndetin e kombit. Mbështetja e publikut për të ka rënë me rreth 30%, sipas një sondazhi të kohëve të fundit.

Ministri i Shëndetësisë Norihisa Tamura, i pyetur për shtimin e rasteve, tha se nuk ishte një befasi. “Duke marrë parasysh rritjen e infeksioneve në shkallë globale për shkak të mutacionit Delta, i cili po tejkalon variantet e mëparshme, ishte mjaft e mundur”, tha ai.

Zoti Tamura fajësoi baret dhe restorantet që ende shërbejnë alkool, pavarësisht se është e ndaluar në bazë të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, si një shkak i mundshëm i rritjes së infeksioneve, dhe jo Lojërat Olimpike.

Vazhdimi i rritjes së infektimeve, pavarësisht emergjencës dy javore që ka shkurtuar oraret e restoranteve dhe sherbimin e pijeve alkoolike, do të thotë se masat janë joefektive, tha eksperti i sëmundjeve infektive Kazuhiro Tateda me Universitetin Toho i cili shërben në një komision qeveritar.

Ndërsa vazhdojnë Lojërat Olimpike dhe sezoni i verës nxit lëvizjen e njerëzve, infeksionet mund të rriten gjatë javëve në vijim, tha zoti Tateda për televizionin publik NHK.

Ekspertët theksuan se rastet e infeksioneve mes të rinjëve dhe të pavaksinuarve po rriten ndjeshëm ndërsa ulet vrulli i vaksinimeve në Japoni si rezultat i pasigurisë me furnizime.

Rastet më serioze përfshijnë edhe grupmoshën e 50-vjeçarëve. Tashmë ata dominojnë tek afro 3,000 të shtruarit në spitalet japoneze dhe po mbushin gradualisht shtretërit e mbetur bosh. Njoftohet se autoritetet do t’u kërkojnë spitaleve që të rrisin kapacitetet deri në 6000 shtretër për pacientët me koronavirus.

Guvernatorja e Tokios Yuriko Koike tha se mbi 60% e të moshuarve janë vaksinuar plotësisht dhe se ata përbëjnë vetëm 2% të rasteve të reja. “Është thelbësore që të vaksinohen menjëherë të rinjtë”, tha ajo.

Përpjekjet e vaksinimit në Japoni filluan vonë dhe ngadalë, por u shtuan ndjeshëm në muajin maj për disa javë ndërsa u stabilizuan burimet e importit të vaksinave dhe qeveria shtoi përpjejet për vaksinimin e sa më shumë banorëve para Lojërave Olimpike.

Sipas të dhënave qeveritare më shumë se 25.5% e japonezëve janë vaksinuar plotësisht, ende larg nivelit që besohet të ketë ndonjë ndikim të dukshëm në uljen e rrezikut për popullatën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat