E reja supozohet e mbytur pas rënies së dyshimtë nga bordi i kroçerës në Paqësor

Bota

E reja supozohet e mbytur pas rënies së dyshimtë nga bordi i kroçerës në Paqësor

Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 21:44
Foto ilustrim

Autoritetet dyshojnë për vrasje pas zhdukjes së dyshimtë në ujin e oqeanit Paqësor të një vajze të re, e cila ra nga kati i pestë i një kroçere turistike.

Kroçera e linjave Carnival po lundronte nga Long Beach, në Florida të SHBA, drejt Meksikës.

E reja që besohet se ishte në të 20-at e saj supozohet e vdekur pas rënies nga ballkoni i kroçerës.

Zyrtarët thonë se vajza ende e paidentifikuar publikisht, u deklarua e zhdukur nga mjeti të dielën rreth orës 03.00 të mëngjesit.

Marina dhe roja bregdetare e Meksikës ndaluan përpjekjet e tyre pas rreth 30 orë kërkimi.

Një mjek në bordin e mjetit tha se dyshonte faktorë të jashtëm për ngjarjen pasi copa të thyera tapicerie ishin gjetur në ballkonin nga ku ra viktima.

Ekuipazhi vuri në alarm pasagjerët dhe kërkuan në ujërat pranë anijes por pa sukses.

Kroçera Carnival Miracle Cruise ka 12 kuverta dhe një kapacitet prej 2,100 pasagjerësh, por vetëm 1,100 njerëz ishin në bord në udhëtim.

“Rreth orës 3 të mëngjesit nisi alarmi i qendrës së zërit ‘Njeri në det! Njeri në det!’”, tha për mediat pasagjeri Daniel Miranda.

Duke folur për rrjetin ABC 7, ai shtoi: “Dikush ka humbur jetën, qofte aksidentalisht ose jo, por ka dyshime për faktorë të tjerë. “

FBI ishte përfshirë në hetime kur anija u kthye në Long Beach.

“Ekuipazhi bëri të gjitha përpjekjet për ta ndihmuar duke zbritur me barkat e tyre për ta kërkuar në ujë”, shtoi Miranda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat