Sanksionet kundër Rusisë pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës

Bota

Sanksionet kundër Rusisë pas fillimit të agresionit ndaj Ukrainës

Më: 23 shkurt 2022 Në ora: 16:28
Presidenti amerikan Joe Biden

Presidenti Joe Biden bllokoi qasjen e Rusisë në rrjetin financiar perëndimor dhe vendosi sanksione ndaj bankave të mëdha ruse në përgjigje të asaj që ai e quajti fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës duke shkelur ligjin ndërkombëtar.

Ndërsa ukrainasit po përgatiten për veprime të mëtejshme ushtarake ruse kundër tyre, presidenti Joe Biden mbajti një fjalim për krizën duke dënuar presidentin rus Vladimir Putin.

"Ky ishte fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, siç e tregoi Putini duke kërkuar miratimin e Dumës për këtë veprim".

Presidenti Biden njoftoi një raund të parë sanksionesh, që vënë në shënjestër dy banka ruse dhe disa oligarkë, si dhe masa të tjera.

"Ne jemi duke vendosur sanksione gjithëpërfshirëse ndaj mundësisë së Rusisë për të financuar borxhin e saj. Kjo do të thotë se ne kemi shkëputur qeverinë e Rusisë nga sistemi perendimor i financimit. Rusia nuk mund të marrë më borxhe nga Perëndimi dhe nuk mund të shesë bonde të reja në tregjet tona, apo në tregjet evropiane", tha presidenti Biden.

Presidenti Biden theksoi unitetin e aleatëve të NATO-s kundër agresionit të Rusisë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë shumë ngushtë me udhëheqësit gjermanë për t'u siguruar që gazsjellësi Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani do të ndërpritet, duke i bërë jehonë një njoftimi të mëparshëm të kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Britania njoftoi sanksione të ngjashme në përputhje me hapat që vendet perëndimore kanë ndërmarrë këtë javë për të ndëshkuar Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë.

“Këto janë sanksionet më të ashpra që kemi vendosur ndonjëherë ndaj Rusisë. Ato kanë si objektiv njerëzit që janë shumë afër Kremlinit, oligarkë të rëndësishëm. Sanksionet synojnë bankat që financojnë ushtrinë ruse dhe bankat kryesore që mbajnë regjimin rus në këmbë. Ne po sigurohemi gjithashtu që Rusia nuk do të jetë në gjendje të financojë borxhin në tregjet ndërkombëtare”, tha Lizz Truss, Sekretarja e Jashtme e Britanisë.

Pas takimit me ministrin e jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, në Uashington, Sekretari i Shtetit Antony Blinken u tha gazetarëve se një takim i mundshëm me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov këtë javë ishte anuluar.

"Tani që ne shohim se ndërhyrja po fillon dhe Rusia e ka bërë të qartë refuzimin e saj të plotë ndaj diplomacisë, nuk ka kuptim të zhvillohet takimi në këtë moment", tha Sekretari Blinken.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell njoftoi gjithashtu sanksione të reja ndaj Rusisë, duke thënë se ato do ta dëmtojnë shumë Moskën.

“Sot, ne kemi rënë dakord që 351 anëtarët e parlamentit rus, të cilët votuan për këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, të renditen në listën tonë të sanksioneve“.

Me parlamentin e Rusisë që autorizoi operacione më të gjera ushtarake ruse jashtë vendit, ekspertët i thanë Zërit të Amerikës se nuk ka dyshim se ky është një moment kritik dhe se Presidenti Putin ka vendosur të shkatërrojë status quo-në në Ukrainë.

“Putini është i gatshëm të paguajë një çmim shumë të lartë për shkatërrimin e status quo-së, qoftë për sa i përket sanksioneve, apo viktimave që do të shkaktohen nga lufta, si pasojë e pashmangshme e veprimet ushtarake”, thotë Michael Kimmage me Fondin Gjerman Marshall.

Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu se po dërgojnë trupa shtesë për të forcuar krahun lindor të NATO-s./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat