LIVE: Vjen lajmi i keq për Putinin, Amerika merr këtë vendim për krimet në Ukrainë; Macron ia jep premtimin e ’madh’ Zelenskyt

Bota

LIVE: Vjen lajmi i keq për Putinin, Amerika merr këtë vendim për krimet në Ukrainë; Macron ia jep premtimin e ’madh’ Zelenskyt

Nga: BOTA SOT Më: 17 maj 2022 Në ora: 06:05 Përditësuar në ora: 19:24 më 17.05.2022
Foto ilustrim - "Bota sot"

Luftëtarët e dorëzuar të Azovit dërgohen në një qytet ukrainas të kontrolluar nga rusët

Shtatë autobusë që transportonin luftëtarë ukrainas që qëndruan për javë të tëra në fabrikën e çelikut Azovstal, arritën në një qytet të kontrolluar nga rusët, Olenivka pranë Donetskut.

Një dëshmitar okular i tha reuters se ka parë të paktën shtatë autobusë që transportonin luftëtarë të dorëzuar ukrainas nga fabrika e çelikut në Mariupol.

Agjencia e lajmeve TASS tha se Komiteti Hetimor Rus ka planifikuar t’i marr në pyetje ushtarët, shumë prej tyre anëtarë të Batalionit Azov, si pjesë e një hetimi mbi ato që Moska i quan “krimet e regjimit ukrainas”.

Rusia e quajti operacionin Azovstal një dorëzim masiv, ndërsa ushtria ukrainase tha se ushtarët që mbronin fabrikën e çelikut kishin “kryer detyrën e tyre luftarake” dhe se qëllimi kryesor tani ishte të shpëtonin jetën e tyre, raporton skynews.

“Ukraina ka nevojë për heronjtë ukrainas të gjallë”, tha presidenti, Volodymyr Zelenskiy, në një video adresim.

Ndryshe, qindra trupa ukrainase ishin ngujuar në një varg tunelesh dhe bunkerësh poshtë fabrikës së çelikut, pasi forcat ruse morën kontrollin e pjesës tjetër të qytetit pasi e kthyen pjesën më të madhe të në një djerrinë të pabanueshme. Shumë nga ata të mbërthyer në Azovstal kishin lëndime serioze, me kujdes të kufizuar mjekësor dhe pakësim të furnizimeve.

OBSH kërkon të hetohen sulmet ndaj ndërtesave shëndetësore në Ukrainë

Shefi për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ngriti alarmin lidhur me ofrimin e kujdesit shëndetësor në Ukrainë gjatë luftës me Rusinë, duke bërë thirrje që të hetohen mbi 200 sulme ndaj ndërtesave shëndetësore.

Drejtori për Evropë i OBSH-së, Hans Kluge, tha se çdo i treti pacientë ka probleme në qasjen në ilaçe dhe një në pesë persona në zonën e konfliktit ka nevojë për ndihmë psikologjike, duke shtuar se rastet e dhunës seksuale janë në rritje dhe se ka rrezik të shpërthimit të kolerës.

“Deri më sot, OBSH-ja ka verifikuar 226 sulme në kujdesin shëndetësor në Ukrainë. Kjo nënkupton se që prej 24 shkurtit kanë ndodhur tri sulme në ditë. Nga këto sulme janë vrarë të paktën 75 persona dhe 59 janë plagosur”, tha ai gjatë një konference për media në Kiev.

Duke përshkruar situatën, ai tha se sulmet e tilla janë fyerje e përkushtimit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë.

“Këto sulme nuk janë të justifikueshme, ato duhet të hetohen”, tha ai.

Rusia mohon se sulmon civilët dhe caqet civile në pushtimin e Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt, pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën./REL

Rusia tërhiqet nga Këshilli i Shteteve të Detit Baltik

Rusia ka njoftuar planet për t'u tërhequr nga Këshilli i Shteteve të Detit Baltik (CBSS).

Lajmi vjen më shumë se dy muaj pasi forumi politik ndërqeveritar - i përbërë nga Danimarka, Estonia, Finlanda, Gjermania, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia, Polonia, Suedia dhe Rusia - pezulloi Moskën në përgjigje të luftës në Ukrainë, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, këmbënguli sot se Rusia kishte marrë vendimin për t'u larguar nga CBSS "në përgjigje të veprimeve armiqësore" të grupit, me sa duket duke iu referuar pezullimit dhe sanksioneve të ndryshme të vendosura ndaj Rusisë nga BE.

"Përfundimi i anëtarësimit në CBSS nuk do të ndikojë në praninë e Rusisë në rajon," tha Lavrov, përpara se të paralajmëronte se çdo përpjekje për "të dëbuar vendin tonë nga Balltiku është e dënuar me dështim". Ai akuzoi gjithashtu NATO-n dhe anëtarët e BE-së të CBSS se e kanë kthyer këshillin në "një instrument të politikës anti-ruse".

Vullnetarët bjellorusë stërviten për të mbrojtur Ukrainën

Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, Bjellorusia ka shërbyer si një prej bazave nga niste sulmi rus. Tani mijëra bjellorusë, të cilët në vitin 2020 iu kundërvunë forcave të sundimtarit të tyre Aleksandër Lukashenko, kanë vendosur të luftojnë për Ukrainën, duke formuar njësi dhe batalione bjelloruse në territorin polak. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze ka siguruar pamje ekskluzive brenda terrenit të stërvitjes për regjimentin bjellorus të njohur si "Pahonja" në Poloni.

Kritikët thonë se Bjellorusia është bërë bashkëpunëtore në luftën e Putinit kundër Ukrainës. Por shumë bjellorusë, të cilët zhvilluan protesta paqësore në vitin 2020 kundër sundimtarit të tyre të gjatë, Aleksandër Lukashenko, kanë marrë armët për të mbrojtur Ukrainën. Shumë bjellorusë e shohin këtë si një mundësi për të çliruar vendin e tyre nga diktatura.

Në këtë terren stërvitor në Poloni, vullnetarët po marrin mësimet e tyre të para të betejës. Një ish-oficer i policisë polake, tani pronar biznesi dhe partneri i tij veteran lufte, po stërvisin bjellorusët që u regjistruan për regjimentin e ri, të njohur si "Pahonja". Pas një jave stërvitjesh në Poloni, vullnetarët transferohen në një bazë në Ukrainë, për një stërvitje më intensive disamujore.

Drejtuesi i regjimentit pret që çdo muaj të regjistrohen rreth 40 persona dhe që shifrat të rriten në mënyrë të qëndrueshme.

“Ata janë bjellorusë shumë të motivuar. Kanë vetëm dy objektiva. Njëri është të ndihmojmë vëllezërit e tyre, në Ukrainë, sepse ne kemi një armik të përbashkët”, thotë për Zërin e Amerikës, Vadim Prokopiev./VOA

Lajmin e plotë mund ta lenxoni në këtë link

Putin: Evropa do të paguajë çmimin për embargon ruse të naftës

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Evropa do të paguajë një çmim të lartë për energjinë nëse Perëndimi vendos një embargo ndaj naftës ruse, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Ai tha se bisedat për një embargo të mundshme kishin nxitur tashmë një rritje të çmimeve globale të naftës.

Putin po fliste me shefat rusë të naftës dhe zyrtarët e qeverisë, në një fjalim televiziv, për ndikimin e sanksioneve perëndimore në industrinë e energjisë.

Udhëheqësi rus pretendoi se sanksionet, të cilat u vendosën pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, ishin vendosur nga Perëndimi për arsye politike.

8 të vrarë dhe 12 të plagosur në sulmin e Chernihiv

Fshati Desna, afër Chernihiv, është goditur nga Rusia dhe një numër i panjohur njerëzish kishin vdekur si pasojë e sulmeve, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës tani ka konfirmuar vdekjen e tetë personave dhe tha se 12 të tjerë u plagosën, raporton Reuters.

Viacheslav Chaus, guvernatori i Chernihiv, tha këtë mëngjes se Moska kishte lëshuar katër raketa rreth orës 05:00 me kohën lokale. Dy ndërtesa ishin goditur në fshatin e vogël, shtoi ai.

BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.

BE-ja paralajmëron kundër hapjes së llogarive në rubla për pagesat e gazit

Komisioni Evropian tha më 17 maj se hapja e llogarive në rubla në një bankë ruse, me qëllim që të bëhen pagesat për gaz, shkel sanksionet e bllokut kundër Moskës, teksa Brukseli publikoi udhëzimet e reja lidhur me atë se si kompanitë munden që ligjërisht të vazhdojnë të blejnë karburante ruse.

Shtetet dhe kompanitë për javë të tëra kanë kërkuar qartësi se si mund të vazhdojnë blerjen e energjisë ruse, pasi Moska në fund të marsit kërkoi që blerësit e huaj të bëjnë pagesa me rubla për gazin rus ose do të rrezikonin që të shkëputeshin nga furnizimet.

Në udhëzuesin e përditësuar që BE-ja ka publikuar së fundmi, Komisioni Evropian konfirmoi këshillën e mëhershme se sanksionet e BE-së nuk ndalojnë kompanitë që të hapin llogari në banka ruse.

Në udhëzues u tha se kompanitë mund të paguajnë për gazin rus, për aq kohë sa këto pagesa i bëjnë me valutën që është përcaktuar në kontratat ekzistuese.

Pothuajse të gjitha kontratat për furnizim që kompanitë nga BE-ja kanë me gjigantin rus të gazit, Gazprom, janë në euro ose dollarë.

Por, një zëdhënës i Komisionit Evropian tha të martën se hapja e llogarive në rubla në bankën ruse, Gazprombank, do të ishte shkelje e regjimit të sanksioneve të bllokut evropian.

“Kjo shkon përtej indikacioneve që ne i kemi dhënë për shtetet anëtare se çfarë mund të bëjnë nën regjimin” e sanksioneve, tha ky zëdhënës për gazetarët.

Dekreti i presidentit rus, Vladimir Putin, thotë se transaksionet mund të kryhen vetëm pasi valutat e huaja të jenë këmbyer në rubla dhe kompanitë duhet të hapin dy llogari në bankën ruse, një në valutë të huaj dhe tjetrën në rubla.

Rusia ka ndërprerë furnizimet me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë muajin e kaluar, pasi këto dy shtete refuzuan që të paguanin gazin me rubla./REL

Rusia dëbon dy diplomatë finlandezë

Moska tha se po dëbon dy diplomatë finlandezë në kundërpërgjigje të vendimit të Helsinkit që dëboi dy diplomatë rusë në prill.

Ministria e Jashtme ruse tha më 17 maj se ka thirrur në bisedë ambasadorin finlandez në Rusi, Antti Helantera, për ta informuar atë për këtë vendim. Moska tha se këtë vendim e ka marrë për shkak të “kursit konfrontues të Finlandës karshi Rusisë”.

Finlanda i ka ofruar armë Ukrainës, shtet të cilin Rusia e ka pushuar në shkurt, dhe ligjvënësit në Helsinki pritet që më vonë gjatë 17 majit të mbështesin aplikimin për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s.

Muajin e kaluar, Finlanda dëboi dy pjesëtarë të stafit të ambasadës ruse në Helsinki në përgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës.

Shtetet evropiane kanë dëbuar qindra diplomatë rusë, që prej nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt./REL

​Scholz thotë se nuk ka shenja të mbarimit të afërt të luftës në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz deklaroi se nuk sheh shenja të një përfundimi të afërt të luftës në Ukrainë, derisa paralajmëroi se përshkallëzimi i mëtejshëm i saj mbetet plotësisht i mundur.

Deri tani nuk ka asnjë shenjë se po i afrohemi përfundimit të konfliktit”, theksoi Scholz duke shtuar se ai ishte gjithashtu ”i shqetësuar se mund të kishte një përshkallëzim të luftës”, raporton atsh.

Scholz, ka përsëritur se nuk do të merrte asnjë vendim që mund të çonte në një konflikt të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë.

Ministri i Jashtëm çek kritikon Hungarinë për qëndrimin e saj ndaj Rusisë

Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky ka kritikuar qeverinë hungareze për qëndrimin e saj ndaj Rusisë, në një postim në Twitter pas betimit të Viktor Orban si kryeministër të hënën.

Lipavsky tha se vendimi i Hungarisë për të mos mbështetur sanksionet që synojnë eksportet ruse të energjisë ishte "i papranueshëm", duke shtuar se Evropa duhet të jetë më e bashkuar se kurrë, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Republika Çeke së bashku me Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë i përket të ashtuquajturit grupi "Katër Vishegrad" i vendeve të Evropës Qendrore, i formuar për të mbrojtur interesat e përbashkëta në BE.

Megjithatë, qëndrimi i Hungarisë ndaj zbatimit të sanksioneve kundër Rusisë dhe refuzimit të saj për të armatosur Ukrainën është në kundërshtim të thellë me anëtarët e tjerë të Vishegradit dhe qëndrueshmëria e grupit duket gjithnjë e më e pasigurt./M.H.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat