LIVE: Vazhdojnë sulmet e ashpra/ Rusia ka gati planin e radhës – Johnson bisedon me Zelenskyy, këto janë detajet e fundit

Bota

LIVE: Vazhdojnë sulmet e ashpra/ Rusia ka gati planin e radhës – Johnson bisedon me Zelenskyy, këto janë detajet e fundit

Nga: Bota sot Më: 22 maj 2022 Në ora: 06:05 Përditësuar në ora: 00:56 më 23.05.2022
Boris Johnson dhe Volodymyr Zelenskyy

Rusët bombarduan 3 vendbanime në Kryvyi Rih

Majlinda Haziri Majlinda Haziri

Forcat ruse bombarduan tre vendbanime në distriktin Kryvyi Rih, tha të dielën kreu i këshillit rajonal të Dnipropetrovsk, Mykola Lukashuk.

Lukashuk tha në një postim në faqen e tij në Telegram "dhjetë predha fluturuan në fshatin Maryanske dhe dy sulme të tjera goditën Komunitetin Apostolove".

Objektet e infrastrukturës nuk janë prekur, shtoi ai, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

Ai gjithashtu raportoi se një raketë ruse ra në lumin Samara në rrethin e Pavlogradit. Sipas Lukashuk, nuk ka pasur viktima.

"Rrethet e tjera të rajonit Dnipropetrovsk nuk u sulmuan sot. Nuk ka trupa pushtuese ruse në rajon," tha ai.

​Zbulohen detaje nga biseda telefonike Johnson-Zelensky

Zyra e kryeministrit britanik ka shpalosur detaje nga biseda telefonike ndërmjet Boris Johnson dhe presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky këtë mbrëmje.

Udhëheqësit diskutuan bllokadën e neveritshme të Putin-it ndaj Odesës, portit më të madh të anijeve të Ukrainës. Kryeministri (Johnson) vendosi të dyfishojë përpjekjet për të ofruar ushqim jetik dhe ndihmë humanitare për popullin e Ukrainës dhe për të siguruar që vendi të jetë në gjendje të eksportojë në pjesën tjetër të botës”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër bëhet e ditur se të dy liderët ranë dakord për nevojën që komuniteti ndërkombëtar të mbetet i bashkuar në dënimin e barbarizmit të presidentit rus Vladimir Putin.

"Kryeministri tha se çdo vend kishte për detyrë të ndihmonte Ukrainën në luftën e saj për liri, si tani ashtu edhe në planin afatgjatë," përfundon deklarata.

​Rusia planifikon prodhimin e 50 raketave të reja ndërkontinentale

Rusia planifikon të ndërtojë dhe vendosë rreth 50 raketa të reja balistike ndërkontinentale Sarmat të afta për sulme bërthamore deri në fund të vjeshtës, tha Dmitry Rogozin, drejtor i përgjithshëm i agjencisë hapësinore ruse Roscosmos.

Raketat do të prodhohen në qytetin siberian të Krasnoyarsk, tha ai për mediat ruse.

Rusia kreu lëshimin e parë provë të një rakete Sarmat të gjeneratës së re në portin hapësinor Plesetsk në Rusinë veriore në prill.

Sarmat ka një rreze veprimi prej 18.000 kilometrash dhe mund të pajiset me koka bërthamore. Kjo do t'i lejonte Rusisë të arrinte objektivat në mbarë botën duke lëshuar raketa në të gjithë Polin e Veriut ose të Jugut.

Sarmatët e parë do të vendosen në territorin Krasnoyarsk. Presidenti Vladimir Putin përdori një lëshim rakete në prill për të kërcënuar Perëndimin në kontekstin e luftës ruse në Ukrainë.

Raketa mund të kapërcejë të gjitha llojet e mbrojtjes dhe t'i detyrojë shtetet të "mendojnë më mirë" përpara se të kërcënojnë Rusinë, tha Putin në atë kohë.

​Gjermania kërkon gaz nga Senegali

Gjermania kërkon të nisë projekte energjetike me Senegalin, tha sot kancelari Olaf Scholz gjatë udhëtimit të tij të parë në Afrikë në një kohë kur lufta në Ukrainë po rrit çmimet e energjisë dhe ushqimeve.

Scholz filloi një vizitë treditore në Afrikë në Senegal, një vend me miliarda metra kub rezerva gazi dhe pritet të bëhet një prodhues i madh gazi në zonë.

Gjermania po kërkon të reduktojë varësinë e saj nga gazi rus për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ajo ka filluar bisedimet me autoritetet senegaleze për nxjerrjen dhe lëngëzimin e gazit natyror, tha Scholz.

"Kjo është një çështje që duhet trajtuar seriozisht," tha ai në një konferencë shtypi me presidentin senegalez Macky Sall, duke shtuar se ishte në interesin e të dy vendeve që të vazhdonin bisedimet përpara.

Scholz tha se Gjermania është gjithashtu e interesuar në projektet senegaleze të energjisë së rinovueshme.

Ndërsa presidenti Sall tha se Senegali është gati të punojë për furnizimin e tregut evropian me gaz natyror të lëngshëm. Ai parashikon që Senegali do të prodhojë 2.5 milionë tonë vitin e ardhshëm dhe 10 milionë tonë deri në vitin 2030.

Sa i përket kërkimit të gazit, financimit të projektit dhe çështjeve të tjera, presidenti Sall tha se do të merrte gjithçka parasysh dhe ishte "i gatshëm të bashkëpunonte me Gjermaninë në këtë kontekst".

Gjermania ka ftuar Senegalin, i cili aktualisht mban presidencën e Bashkimit Afrikan, dhe Republikën e Afrikës së Jugut të jenë mysafirë në samitin e G7 që do të mbahet në Gjermani në qershor.

Të dy vendet afrikane kanë abstenuar nga votimi për një rezolutë të OKB-së kundër sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, të cilin Moska e quan një operacion të posaçëm ushtarak.

Si kryetar i Bashkimit Afrikan, Sall tha se shumë vende afrikane hezitonin të zgjidhnin një anë në luftë, edhe pse e dënonin pushtimin.

"Është shumë e qartë - ne duam paqe," tha ai. "Ne po punojmë për de-përshkallëzimin, armëpushimin, dialogun - ky është pozicioni i Afrikës."

Sall tha se do të vizitojë Moskën dhe Kievin në javët e ardhshme.

Konflikti në Ukrainë, e cila është një furnizues kryesor i drithit dhe ushqimit, ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit që kanë rritur çmimet e ushqimit dhe energjisë në Afrikë.

"Unë i kam shprehur shqetësim të madh kancelarit Scholz për ndikimin e luftës," tha Sall, duke bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të zbutur efektet që po vuan Afrika.

​Ukraina: Blerja e gazit rus financon vrasjet e fëmijëve ukrainas

Mbështetja e Evropës në naftën dhe gazin rus po financon përdhunimet dhe vrasjen e fëmijëve ukrainas, ka thënë për Sky News një deputete dhe anëtare e delegacionit të Ukrainës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Ivana Kylmpush-Tsintsadze tha se shtetet dhe kompanitë perëndimore duhet t'i japin fund "biznesit si zakonisht" me Moskën dhe bëri thirrje për rritje të furnizimeve me armë të rënda, si dhe një embargo totale të gazit dhe naftës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t'i drejtohet konferencës me një video-lidhje të hënën.

Është hera e parë që mbledhja vjetore e liderëve të biznesit, politikës dhe shoqërisë civile mblidhet personalisht që nga pandemia e koronavirusit në 2020, raporton Sky News.

​Scholz premton të punojë aktivisht për mundësimin e eksportit të drithërave nga Ukraina

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se do të "punojë në mënyrë aktive" për të mundësuar eksportet e drithërave nga Ukraina dhe për të furnizuar Ukrainën me plehra.

Kjo vjen pasi Rusia u fajësua për bllokimin e porteve të Detit të Zi, të cilat janë jetike për eksportet e Ukrainës të produkteve kryesore si gruri dhe vajrat e lulediellit.

Këto produkte janë shumë të nevojshme, veçanërisht në pjesë të botës që tashmë po përballeshin me krizë ushqimore para fillimit të luftës, raporton Sky News.

​Lituania ndalon blerjen e energjisë nga Rusia

Lituania nga sot nuk importon më energji nga Rusia.

Ministri i Energjisë Dainius Kreivys deklaroi se blerjet e gazit, naftës dhe energjisë elektrike nga Moska po ndaleshin për të treguar "solidaritet" me Ukrainën - dhe për të shkurtuar fondet për "makinerinë ruse të luftës".

Ai shpreson se kërkesat për energji elektrike mund të plotësoheshin nëpërmjet prodhimit vendor të energjisë së gjelbër.

Lituania, një ish-shtet sovjetik dhe një anëtar i NATO-s, është një aleat i fortë i Ukrainës.

Pavarësisht pushtimit të Ukrainës, Rusia vazhdon të sigurojë karburant për shumë vende evropiane.

Megjithatë, furnizimi me gaz i Finlandës u ndërpre dje pasi ajo refuzoi kërkesën e Moskës për të paguar në rubla, raporton BBC.

Çfarë do të ndodhë me të burgosurit? Pas dorëzimit të Azovit në kthetrat e Putinit

Mbrojtësit e fundit të Mariupolit u dorëzuan. Nga kjo Putini mund të bëjë një fitore propagandistike ndaj "nazistëve". Kjo tregon se çfarë ndodh kur ndjek sloganin e Emës për të mos i dhënë Ukrainës armë të rënda. Mbrojtësit e Mariupolit kanë hequr dorë nga rezistenca e tyre, shkruan gazeta gjermane F.A.Z përcjell “Bota sot”. Me urdhër të Kievit, luftëtarët e fundit në fabrikën e çelikut Azov ulën armët dhe lejuan veten të kapeshin nga pushtuesit.

Brigada Azov kishte qëndruar për javë të tëra në një pozicion të humbur. Mesazhet që njerëzit e bllokuar dërguan në botë tregonin për vuajtjet e civilëve dhe të plagosurve rëndë. “Korridore humanitare” të panumërta janë premtuar dhe ende nuk janë hapur; nëse po, atëherë vetëm për të "filtruar" njerëzit. Pak dolën, shumë u zhdukën. Edhe këtu, vrasja, tortura dhe rrëmbimi janë përgjigja e pushtuesve rusë ndaj vullnetit të ukrainasve për të rezistuar.

Çfarë ndodh nëse ukrainasit dorëzohen, siç rekomandohet në letrën e hapur të Emës, tregohet edhe një herë. Në mediat e kontrolluara nga Moska, politikanët dhe moderatorët kënaqen me fantazitë e dhunës kundër "nazistëve": në gjyqe shfaqjesh ata mund të vendosen për "krime lufte" dhe dënimi me vdekje të rifutet, sipas agresorëve, të cilët në realitet po kryejnë krime lufte që ose e mohojnë atë ose fajësojnë viktimat e agresionit të tyre.

Dëshmi të reja të masakrës

Masakrat e civilëve janë të dokumentuara mirë. Aktualisht “New York Times” po i shton një dosje dokumentacionit të terrorit. Ajo tregon se si ushtarët rusë përzënë tetë njerëz të paarmatosur nëpër një rrugë në Bucha.

Më vonë gjenden kufomat e burrave. Parashutistët rusë që i qëlluan vazhduan të patrullojnë rrugët më pas.

Transmetuesi CNN ka publikuar një video ku shihet vrasja e dy ukrainasve nga ushtarët rusë. Ata thjesht i qëllojnë pas shpine burrave që më parë u kishin kërkuar cigare./M.L

Shkimi i plotë këtu

Ukraina hedh poshtë armëpushimin që përfshin dhënien e tokës

Presidenti polak, Andrzej Duda, ka arritur të dielën në Kiev dhe është bërë kreu i parë i një shteti që i është adresuar Parlamentit ukrainas, prej kur Rusia ka nisur pushtimin në këtë shtet më 24 shkurt.

Duda i ka bërë thirrje Ukrainës të mos dorëzohet ndaj kërkesave të presidentit rus, Vladimir Putin.

Vetëm Ukraina ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e saj”, u ka thënë ai ligjvënësve.

“Asgjë për ju, pa ju”.

Ai ka shtuar se dorëzimi i çfarëdo territori ukrainas do të përbënte goditje për gjithë Perëndimin dhe ka përsëritur mbështetjen polake për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Vizita e tij ka ndodhur teksa forcat ruse kanë zgjeruar operacionet ushtarake në lindje të Ukrainës.

Ushtria ukrainase ka raportuar për bombardime në rajonin e Donbasit.

Kryenegociatori ukrainas, njëherësh këshilltari i Zelenskyt, Mykhaylo Podolyak, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se Kievi ka hedhur poshtë çfarëdo armëpushimi me Rusinë që përfshin dorëzimin e ndonjë pjese të territorit ukrainas.

Lufta nuk do të përfundojë”, ka thënë ai, në rast të ndonjë marrëveshjeje të tillë.

(Marrëveshja e tillë) vetëm do të ndalonte për pak konfliktin. Ata do të nisnin ofensivë të re, edhe më të përgjakshme”.

Zelensky ka thënë po ashtu së fundi se lufta në Ukrainë përfundon vetëm “përmes diplomacisë”.

Simbolet e luftës së Rusisë ndalohen në Ukrainë, shkronjat Z dhe V simbolizojnë mbështetjen ruse

Parlamenti ukrainas ka miratuar një projektligj që ndalon simbolet e pushtimit rus, duke përfshirë ato që përmbajnë shkronjat Z dhe V, tha deputeti Yaroslav Zheleznyak në Telegram.

Zheleznyak vuri në dukje se dokumenti përfshinte propozimet e Presidentit Zelensky, të cilat ai i paraqiti kur vuri veton ndaj projektligjit të mëparshëm të miratuar më 14 prill.

Versioni i ri i ligjit zgjeron gamën e rasteve kur lejohet ekspozimi i simboleve, përkatësisht në muze, biblioteka, vepra shkencore, tekste shkollore e kështu me radhë, sipas kolegëve tanë në BBC Monitoring.

Projektligji i ri, megjithatë, ndalon krijimin e OJQ-ve që përdorin simbolet ruse të luftës dhe aktivitetet e të cilave kanë për qëllim përhapjen e propagandës së luftës dhe minimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Shkronjat “Z” dhe “V”, të cilat nuk ekzistojnë në alfabetin rus, janë përdorur gjerësisht për të simbolizuar mbështetjen për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ato përdoren për të shënuar automjetet ushtarake ruse në fushën e betejës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat