Rusi: Projekt-ligj me masa të reja kundër mediave të huaja

Bota

Rusi: Projekt-ligj me masa të reja kundër mediave të huaja

Më: 25 maj 2022 Në ora: 18:18
Parlamenti rus

Parlamenti rus miratoi të martën një projekt-ligj që u jep prokurorëve kompetenca që të mbyllin zyrat e mediave të huaja në Moskë, nëse vendi perëndimor të cilit ato i përkasin ka qenë "jomiqësor" ndaj medias ruse. Lëvizja vjen pas mbylljes së disa organeve shtetërore ruse të lajmeve në Perëndim.

Projekt-ligji, i miratuar në raundin e parë të votimit nga Duma, dhoma e ulët e parlamentit rus, ndalon gjithashtu shpërndarjen e artikujve, ose botimeve të tjera të medias së ndaluar nga prokuroria. Projekt-ligji duhet të miratohet nga dhoma e lartë e parlamentit dhe të nënshkruhet nga Presidenti Vladimir Putin për të hyrë në fuqi.

Gazetarëve të një organi mediak, që konsiderohet se shkel ligjin, do t'u hiqet akreditimi i ministrisë së jashtme - që do të thotë se ata nuk mund të punojnë në Rusi.

Ligji i ri shton sfidat me të cilat përballen mediat e huaja, pasi Rusia miratoi në mars një ligj, që penalizon atë që Moska e konsideron si përhapje të lajmeve "të rreme" për ushtrinë e saj.

"Në situatën aktuale gjeopolitike, media është kthyer në një instrument ndikimi në shoqëri," thanë ligjvënësit në një shënim zyrtar shpjegues mbi projektligjin.

Në shënimin, të cilin e ka siguruar agjencia Reuters, thuhej gjithashtu se "në bazë të projektligjit, gazetarët dhe një korrespondentët e huaj mund të humbasin akreditimin, nëse vërtetohet se vendi të cilit ata I përkasin, ka vendosur kufizime në shpërndarjen informacioneve të mediave ruse."

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kritikuar në mënyrë të përsëritur Perëndimin për masat ndaj mediave pro-Kremlinit si ndaj agjencisë së lajmeve Sputnik dhe kanalit televiziv RT, përfshirë heqjen e lejeve të tyre të transmetimit dhe sanksionimin e tyre, hapa që ai thotë se tregojnë shkelje të lirisë së medias.

Në mars, Presidenti Vladimir Putin nënshkroi një ligj që parashikon një dënim deri në 15 vjet burg për përhapjen e qëllimshme të lajmeve "të rreme" rreth ushtrisë, duke nxitur disa media perëndimore të tërheqin gazetarët e tyre nga Rusia. Organizata të tjera perëndimore, përfshirë agjencinë Reuters, kanë qëndruar në Rusi dhe vazhdojnë të raportojnë.

Zyrtarët rusë nuk e përdorin fjalën "invazion" dhe thonë se mediat perëndimore, në mbulimin e tyre, merren vetëm me një aspekt gjithnjë e më të pjesshëm, të asaj që Moska e quan "operacion special" në Ukrainë, duke shpërfillur, sipas tyre, shqetësimet e Rusisë për zgjerimin e NATO-s dhe persekutimin e rusishtfolësve, siç shprehen ata./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat