Nebenzia lëshon sallën pasi BE akuzon Rusinë për krizë ushqimore

Bota

Nebenzia lëshon sallën pasi BE akuzon Rusinë për krizë ushqimore

Më: 7 qershor 2022 Në ora: 08:14
Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia, është larguar nga takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se pushtimi rus në Ukrainë është duke shkaktuar krizë globale të ushqimeve.

Michel ka thënë se Rusia është duke përdorur furnizimet me ushqim si armë kundër botës në zhvillim, duke shtyrë njerëzit drejt varfërisë.

I dërguari rus, Nebenzia, e ka akuzuar zyrtarin evropian për përhapje të gënjeshtrave.

Lufta në Ukrainë ka rezultuar me bllokim të ushqimeve në portet ukrainase.

Ukraina është eksportuese e madhe e vajit për gatime, ashtu sikurse drithërave.

Mungesa e këtyre eksporteve ka ndikuar në rritje të çmimeve.

“Zotëri Ambasador i Federatës Ruse, të jemi të sinqertë, Kremlini është duke përdorur furnizimet me ushqim si armë kundër shteteve në zhvillim”, ka thënë Michel gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork.

“Pasojat dramatike të luftës së Rusisë janë duke u përhapur në gjithë botën dhe janë duke ndikuar në rritje të çmimeve dhe shtyrje të njerëzve drejt varfërisë, duke destabilizuar rajone të tëra. Rusia është përgjegjëse për krizën me ushqime”.

Michel ka shtuar se ai ka parë vetë miliona tonë të drithërave të bllokuar në portin ukrainas të Odesas, për shkak të bllokadës detare të vendosur nga Rusia.

Ai po ashtu ka akuzuar Rusinë për vjedhje të grurit dhe për parandalim të mbjelljeve dhe korrjeve të këtyre produkteve në Ukrainë, për shkak të aktiviteteve ushtarake.

Pas komenteve të tij, Nebenzia e ka lëshuar sallën.

Në largim e sipër, Michel e ka akuzuar ambasadorin rus drejtpërdrejt.

“Ju mund të largoheni nga dhoma, ndoshta e keni më të lehtë të mos dëgjoni të vërtetën”.

Nebenzia ka thënë për agjencinë e lajmeve, Reuters, se ai nuk ka mundur të qëndrojë në sallë “për shkak të gënjeshtrave që ka përhapur Michel”.

Në një takim tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë po ashtu se Rusia është duke parandaluar eksportet e grurit ukrainas dhe ka akuzuar forcat ruse se janë duke shkatërruar infrastrukturën bujqësore të Ukrainës.

Duke folur në një takim virtual me filantropë, organizata joqeveritare dhe subjekte të sektorit privat, Blinken ka thënë se rreth 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar rreth Odesas për shkak të bllokadës ruse”.

Sikurse Michel, ai ka thënë se ka raportime kredibile se Rusia është duke “grabitur” grurin ukrainas për ta shitur për përfitime të veta.

Më 2021, Rusia dhe Ukraina janë renditur si lidere globale në eksport të elbit, misrit, luleve të verdha për vajra, farave të lulediellit dhe vajit të lulediellit.

Së bashku, ato eksportojnë pothuajse 30 për qind të furnizimeve me grurë në botë. Rusia eksporton 17 për qind të grurit në nivel botëror, ndërsa Ukraina rreth 20 për qind të luleve të verdha për vajra.

Më 10 maj, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shqetësim për krizën me ushqime dhe u ka bërë thirrje liderëve ndërkombëtarë që të veprojnë menjëherë për t’i dhënë fund bllokadës në portet ukrainase, në mënyrë që gruri të arrijë në tregjet tjera.

Image
Tabela: Giovana Faria Burimi: Vëzhguesi për të Drejta të Njeriut (HRW), Departamenti amerikan për Agrikulturë dhe Vëzhguesi për Kompleksitet Ekonomik, 2020

Mungesat globale të ushqimeve nënkuptojnë edhe rritje çmimesh.

Çmimet për secilën kategori të ushqimit janë rritur prej fundit të vitit 2020, mirëpo tregjet globale të drithërave dhe vajit vegjetal – në të cilat Ukraina dhe Rusia luajnë rol të madh – janë ndër më të prekurat.

Indeksi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Agrikulturë, ka regjistruar shifra rekorde në mars të vitit 2022, me 159.3 pikë, çka përbën rritje për 12.6 për qind nga muaji shkurt, kur veçse është shënuar niveli më i lartë në Indeks, i cili është krijuar në vitet 1990.

E gjithë kjo situatë përbën rrezik për sigurinë e ushqimit në shtetet që veçse janë të cenueshme ekonomikisht dhe shumë të varura nga gruri rus, sikurse ato në Lindje të Mesme, Afrikë dhe Azi Qendrore./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat