LIVE: BE-NATO kundër Rusisë, paralajmërohet front i një luftë të re – ja zhvillimet e fundit

Bota

LIVE: BE-NATO kundër Rusisë, paralajmërohet front i një luftë të re – ja zhvillimet e fundit

Nga: BOTA SOT Më: 24 qershor 2022 Në ora: 06:23 Përditësuar në ora: 23:58 më 24.06.2022
Pamje nga lufta në Ukrainë

Kryebashkiaku i qytetit jugor të Ukrainës thirrje banorëve: Largohuni nëse doni të mbeteni gjallë!

Kryebashkiaku i qytetit jugor të Ukrainës, Mykolaiv, Oleksandr Sienkevych, iu ka kërkuar banorëve të qytetit të largohen nëse duan të mbeten gjallë.

“Unë sugjeroj se të gjithë ata që duan të qëndrojnë të gjallë të largohen nga qyteti. Rreth 230,000 njerëz mbeten në qytetin e Mykolaiv tani”, tha kryebashkiaku.

Siç raporton CNN, rrugët e evakuimit jashtë qytetit janë në drejtimet e Odesës, Kryvyi Rih dhe Kiev.

Ai e përshkroi situatën si “në përgjithësi shumë të keqe, pasi qyteti po bombardohet çdo ditë”.

Kryebashkiaku tha se 111 njerëz janë vrarë dhe 502 persona janë plagosur, duke përfshirë gjashtë fëmijë.

​Zelensky: Ukraina nuk është më një tampon mes Perëndimit dhe Rusisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përshëndeti statusin e vendit të tij si një kandidat për anëtarësim në BE si një pikë kthese në një fjalim video të publikuar.

“Ukraina nuk është një urë, as një jastëk midis Perëndimit dhe Rusisë, as një tampon midis Evropës dhe Azisë, as një sferë ndikimi, as një zonë gri, as një vend tranzit”, tha ai.

”Ukraina është një partner i ardhshëm i barabartë për të paktën 27 vende të BE-së. Ajo nuk do të jetë më vend i tretë por do të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”, shtoi ai.

Vendimi do të ndryshojë historinë, tha në video udhëheqësi parlamentar Ruslan Stefanchuk.

“Ne nuk mund të ndryshojmë gjeografinë. Rusia do të vazhdojë të jetë fqinji ynë. Por në këtë rast historia e ka mundur gjeografinë", theksoi ai.

Miliardat e Vladimir Putinit: A kanë dështuar sanksionet që vendosi Perëndimi?

Kate Andrews Kate Andrews

Kur Vladimir Putin dërgoi tanket e tij në Ukrainë më 24 shkurt, ai e bëri këtë me supozimin se Perëndimi ishte shumë i përçarë për të pasur një kundërpërgjigje të unifikuar. Ajo ishte e para ndër shumë llogaritje të gabuara. Po atë ditë, kryeministri britanik Boris Johnson premtoi sanksione ekonomike “të mëdha”, që do ta “dëmtonin rëndë ekonominë ruse”. 

“Ishte Putin, ai që e zgjodhi këtë luftë. Dhe tani ai dhe vendi i tij do të përballen me pasojat!”- deklaroi Joe Biden atë mbrëmje, ndërsa Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksionet ndaj bankave kryesore ruse. Reagimi ekonomik global ndaj agresionit rus, ka qenë më i fortë se sa parashikohej. Oligarkëve më famëkeq të Rusisë iu janë sekuestruar asetet, ndërsa bankat ruse janë përjashtuar nga sistemi bankar ndërkombëtar. 

Nga buxheti e luftës prej 600 miliardë dollarësh i krijuar nga Putin – rezervat e katërt më e madhe në botë – më shumë se 1/3 ka ngrirë si pasojë e sanksioneve. Luftës ekonomike iu bashkuan edhe demokracitë aziatike. Japonia i dha fund neutralitetit të saj historik, dhe u mobilizuar si kurrë më parë. 

Por pas pak më shumë se 100 ditësh, është e drejtë të pyesim:A po funksionojnë këto sanksione? Rusia po përpiqet të eksportojë mallra tek aleatët e Ukrainës. Por ashtu siç llogariti Putin, Evropa nuk ka gjetur asnjë alternativë të qëndrueshme ndaj furnizimeve të saj me energji, ndaj po vazhdon të blejë energji nga Kremlini. 

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Rusia mund të ndërpresë furnizimin e Evropës me gaz

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka paralajmëruar se Rusia mund të ndalojë plotësisht furnizimin e Evropës me gaz për të rritur ndikimin e saj politik pas agresionit në Ukrainë. Por nga ana tjetër, Evropa po përpiqet të shmangë një krizë energjetike këtë dimër.

Ditët e fundit Rusia ka kufizuar rreptësisht furnizimin e Evropës me gaz, duke fajësuar problemet teknike të shkaktuara nga sanksionet. Evropa e akuzon Kremlinin për lojë gjeopolitike.

Një ndërprerje e plotë do ta zhyste Evropën në një krizë energjitike, thotë për Zërin e Amerikës analisti Tom Marzec-Manser.

“Për momentin, furnizimet me gaz përmes tubacioneve nga Rusia janë sa një e katërta e një vit më parë. Ky vëllim i ulët po ngjall shqetësime. Çka do të thotë se rindërtimi i depove dhe shtimi i rezervave përpara dimrit është shumë më i vështirë.”

Evropa dëshiron që deri në nëntor të mbushë rezervat e saj të gazit në masën 80% të kapaciteteve. Aktualisht kjo rezervë është 55%. Rritja e çmimit të gazit që nga sulmi në Ukrainë ka sjellë përfitime për Rusinë.

“Brenda një periudhe të shkurtër kohore Gazprom ka përfituar shuma të mëdha parashë. Kjo do të thotë që kompania të ketë para rezervë për disa vite kur flasim për kufizimin e fluksit të karburantit”, thotë analisti Tom Marzec-Manser.

Gjermania importon nga Rusia rreth një të tretën e gazit të saj. Qeveria deklaroi të enjten se vendi ishte në fazën e dytë të planit emergjent për gazin, duke u bërë thirrje gjermanëve që të pakësojnë konsumimin e gazit.

“Tani e tutje Gjermania ka mungesë furnizimi me gaz”, tha shefi i ekonomisë gjermane Robert Habeck.

Konsumatorët duhet të luajnë rolin e tyre, thotë analistja Claudia Kemfert.

“Pritej që herët a vonë të përballeshim me këtë situatë. Tani është e rëndësishme që të bëjmë gjithçka që mundemi për të kursyer gazin.”

Këtu përfshihet edhe industria, duke shkaktuar drojën se një krizë energjie mund ta zhysë Evropën në recesion.

“Industria dhe sektori energjitik duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në kursimin e gazit. Shumë qeveri në Evropë kanë propozuar për lejimin e përdorimit të qymyrit”, thotë analisti Tom Marzec-Manser.

Kjo bie ndesh me premtimin e Evropës për heqjen dorë gradualisht nga qymyri dhe lëndët djegëse fosile.

“Kemi nevojë për zgjerim shumë më të shpejtë të sektorit të energjisë së rinovueshme”, thotë analistja Claudia Kemfert.

Udhëheqësit evropianë janë përpjekur të gjejnë burime të tjera përballë situatës së krijuar nga gazi rus. Importet nga Shtetet e Bashkuara të gazit natyror, të tjetërsuar në gjendje të lëngshme, janë rritur ndjeshëm. BE-ja nënshkroi këtë muaj një marrëveshje për të shtuar importet nga Izraeli dhe Egjipti.

Por analistët thonë se Evropa do ta ketë të vështirë për ta zëvendësuar gazin rus përpara dimrit. Një sezon i ftohtë do ta rëndonte krizën./VOA

Trupat ukrainase njoftojnë se do të tërhiqen nga Severodonetsku

Forcat ukrainase do të tërhiqen nga qyteti i rrethuar i Severodonetskut bëri të ditur një udhëheqës ushtarak rajonal ukrainas. Ai tha se nuk ka kuptim të rezistohet në qytetin lindor që ka qenë nën sulme pothuajse të vazhdueshme nga forcat ruse për disa muaj.

Parlamenti Evropian votoi në shumicë dërrmuese të enjten për t'i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ky vendim e sjell Kievin një hap më pranë aleatëve perëndimorë, të cilët e kanë furnizuar me sasi të mëdha armatimesh, për ta ndihmuar atë të përballet me agresionin e Rusisë.

Votimi në parlament përfundoi me 529 vota në favor të Ukrainës, 45 kundër dhe 14 abstenime. Parlamenti Evropian miratoi gjithashtu edhe statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian të Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Në një postim në Twitter Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quante këtë "një moment unik dhe historik në marrëdhëniet Ukrainë-BE. "E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së", shkruante ai më tej.

Në një tjetër postim tjetër në Instagram zoti Zelenskyy shkruante: “Sapo kemi marrë kandidaturën, kjo është fitorja jonë”.

Votimi erdhi pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se po dërgonin 450 milionë dollarë të tjera ndihmë ushtarake në Ukrainë, përfshirë disa sisteme shtesë raketash me rreze të mesme veprimi, krahas një ndihme prej 1 miliard dollarësh, që Uashingtoni njoftoi një javë më parë.

Në një mesazh në Facebook, Kryetari i Parlamentit ukrainas Ruslan Stefanchuk falënderoi ligjvënësit evropianë për mbështetjen. “Ukraina është një vend i BE-së. Ne luftojmë për këtë të drejtë jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në sferën ligjore”, shkruante ai.

Në mënyrë që të tre vendet t’i bashkohen bllokut prej 27-anëtarësh, atyre u kërkohet të kryejnë një sërë reformash politike dhe ekonomike.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina"ka përmbushur tashmë afërsisht 70% të rregullave, normave dhe standardeve të BE-së". Por ajo shtoi se duhet bërë shumë në çështje që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, përballjen me oligarkët, nismat antikorrupsion, si dhe në garantimin e të drejtave themelore.

Këshilli Evropian, i cili përbëhet nga krerët e 27 qeverive të BE-së, do të thotë fjalën e fundit lidhur me anëtarësimin e Ukrainës. Votimi duhet të jetë unanim. Diplomatët thonë se procesi mund të kërkojë një dekadë për t'u mbyllur.

"Populli ukrainas i përket familjes evropiane. E ardhmja e Ukrainës është me BE", tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell. “Sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të gjatë së bashku”.

Në Bruksel udhëheqësit e BE-së diskutuan dhe mbi ndikimin e luftës në Ukrainë në sigurinë globale ushqimore, si dhe mbështetjen shtesë ekonomike, ushtarake dhe humanitare të BE-së për Kievin.

Zoti Zelenskyy tha se Rusia vazhdon të kryejë "sulme masive ajrore dhe me artileri" në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, duke shtuar se qëllimi i Moskës është "që hap pas hapi të shkatërrojë të gjithë Donbasin"./VOA

Kirby: SHBA e angazhuar të mbështesë Ukrainën

Shtetet e Bashkuara janë të përqëndruara që të sigurohen se Ukraina mund të vazhdojë të mbrojë veten dhe sovranitetin e saj, tha ish-zëdhënësi i Pentagonit dhe koordinatori për komunikim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby në një intevistë për Zërin e Amerikës. Ai përmendi faktin se Shtetet e Bashkuara janë donatori më i madh i Ukrainës dhe se dërgesat në armëve e ndihma financiare po pengojnë përparimin e forcave ruse në terren. Zoti Kirby tha se SHBA-të duan që Ukraina të fitojë luftën, por ai shtoi se autoritetet ukrainase janë ato që përcaktojnë se si duhet të përkthet ajo për vendin, në një kohë kur rajoni i Donbasit rrezikon të përballet me luftime për një kohë të gjatë. 

Ish-zëdhënësi i Pentagonit, tashmë koordinator për komunikimin strategjik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare John Kirby, thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën në luftën kundër Rusisë, me aq sa kanë mundësi dhe sa më shpejt të munden. 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Kirby thotë se qëllimi i dërgesave në armë e ndihmave financiare është që Kievi të sigurojë aftësi mbrojtëse nga agresioni rus. 

“Jemi të përqëndruar që të sigurohemi se Ukraina mund të vazhdojë të mbrojë veten, sovranitetin, popullin dhe integritetin territorial të saj”, tha ai. 

Në përgjigje të kritikave se Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera perëndimore nuk kanë bërë mjaftueshëm për ta ndihmuar Kievin, zoti Kirby theksoi se Uashingtoni është dhuruesi më i madh i ndihmave për ushtrinë ukrainase dhe se sistemet e dhuruara, sikurse sistemi i lëvizshëm i artilerisë raketore “HIMARS”, armët e vogla dhe municionet po pengojnë me sukses përparimin e forcave ruse në terren. 

“Ne jemi padyshim dhuruesi më i madh i ndihmave për sigurinë e Ukrainës sesa çdo komb tjetër në botë, me pothuajse 6 miliardë dollarë të dhuruara që nga fillimi i sulmit. Pra, shumë dërgesa po futen atje dhe presidenti e ka bërë të qartë se ne jemi të përkushtuar që ndihmat të vazhdojnë”, tha zoti Kirby. 

Pas dështimit për marrjen nën kontroll të Kievit, Kremlini njoftoi se do ta përqëndrojë sulmin e saj në lindje të Ukrainës. 

Zoti Kirby tha se ekziston mundësia që rajoni i Donbasit të përballet me luftime për një kohë të gjatë. 

“Duhet të kujtojmë se kjo është një pjesë e Ukrainës për të cilën rusët dhe ukrainasit kanë luftuar nga viti 2014. Ne e shohin 24 shkurtin si një pikë kthese, dhe ishte, por ushtarët ukrainas po vriteshin dhe po luftonin për vendin e tyre prej vitesh. Pra, kjo është një pjesë e vendit që të dyja ushtritë e njohin mirë. Rusët po përparojnë, por jo në mënyrë të qëndrueshme. Ukrainasit po rezistojnë. Sigurisht se mund të përfundojë në një konflikt të zgjatur”. 

Marrja e plotë e kontrollit nga Rusia në rajonin e Donbasit, do të shënonte një fitore strategjike për Moskën, e cila do të krijonte një lidhje mes Rusisë dhe Krimesë, ishullin që Rusia e aneksoi më 2014. 

Por çfarë mund të konsiderohej fitore për Ukrainën, në një situatë kur luftimet në rajonet lindore mund të vazhdojnë? Zoti Kirby thotë se përgjigjja u takon autoriteteve në Kiev. 

Duam që Ukraina të ketë sukses në fushën e betejës dhe në tryezën e negociatave, nëse do të vijë momenti. Natyrisht, tani nuk jemi në atë fazë. Por ne besojmë se është Presidenti Zelenskyy është ai që mund ta përcaktojë se si do të duhet të duket fitorja. Është vendi i tij. Ai është komandanti i përgjithshëm i forcave ukrainase dhe ne e respektojmë këtë. Ndryshe nga rusët, ne respektojmë vendimin e votuesve ukrainas për ta zgjedhur atë”, tha zoti Kirby. 

I pyetur nëse agjencitë amerikane të zbulimit kanë informacione të mjaftueshme rreth operacioneve ukrainase, zoti Kirby tha se marrëdhëniet me ushtrinë ukrainase janë të forta dhe se autoritetet amerikane janë në kontakt të vazhdueshëm me ta. Ai tha se qëllimi është që të kuptohen më mirë nevojat e Ukrainës në luftë. Zoti Kirby shtoi se Ukraina ka qenë e hapur dhe e sinqertë me Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën rreth situatës në vend. 

Lufta në Ukrainë do të jetë një nga temat kryesore të takimit të nivelit të lartë të NATO-s që mbahet më 29 dhe 30 qershor në Madrid./VOA

Rusia: Statusi kandidat për Ukrainën, një ‘çështje e brendshme’ e BE-së

Kremlini tha të premten se vendimi i Bashkimit Evropian për t’i dhënë statusin e kandidatit Ukrainës, aty ku Rusia po zhvillon një fushatë ushtarake është tërësisht “një çështje e brendshme” e unionit.

“Këto janë, natyrisht, çështje të brendshme evropiane,” u tha Peskov gazetarëve në një konferencë për mediat. “Për ne është thelbësore që të gjitha këto procese të mos sjellin më shumë probleme tek ne dhe në marrëdhëniet e vendeve të lartpërmendura me ne. Dhe se kjo nuk çon në një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve tona me BE-në.”

Gjithashtu të premten, edhe ministri i jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha se perspektiva evropiane e Ukrainës dhe Moldavisë nuk përbënte “rrezik”për Rusinë, pasi sipas tij BE-ja nuk është një aleancë ushtarake.

Megjithatë, ai akuzoi BE-në dhe NATO-n se po mbledhin një “koalicion” për t’u përgatitur për një luftë me Rusinë, duke i krahasuar ato me aleancën naziste të Luftës së Dytë Botërore.

“Hitleri nën flamurin e tij kishte bashkuar një pjesë të madhe të vendeve evropiane për të luftuar kundër Bashkimit Sovjetik”, tha Lavrov gjatë një vizite pune në Azerbajxhan.

"Sot BE-ja dhe NATO po bashkojnë një koalicion të tillë për të bërë luftë kundër Rusisë."

Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin kanë qenë nivelin më të ulët që kur Presidenti Vladimir Putin dërgoi trupa në Ukrainë, duke shkaktuar edhe një breshëri sanksionesh të vendosura ndaj Moskës.

Udhëheqësit e BE-së i dhanë të enjten statusin e kandidatit Ukrainës dhe Moldavisë, por thanë se Gjeorgjia, e cila gjithashtu aplikoi për anëtarësim, mund ta marrë këtë status vetëm pasi të trajtohen çështjet e pazgjidhura./REL

Paketa e re e ndihmës ushtarake prej 450 milionë dollarësh për Ukrainën, përfshirë sistemet raketore HIMARS

Më shumë informacione do të vijnë në lidhje me paketën më të fundit të armëve që shkon në Ukrainë.

SHBA-ja po ofron 450 milionë dollarë shtesë në ndihmë sigurie, duke përfshirë më shumë nga sistemet e raketave me rreze të gjatë veprimi që Ukraina ka kërkuar, shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.

Pentagoni thotë se përfshin katër sisteme shtesë raketash të artilerisë së lëvizshmërisë së lartë (HIMARS), 18 anije patrullimi bregdetare dhe lumore dhe mijëra fishekë municionesh.

John Kirby, koordinator i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, tha se Uashingtoni po punonte ngushtë me Kievin për të identifikuar se cilat lloje të armëve mund të përmbushnin më mirë nevojat e tyre në secilën paketë.

“Arsyeja pse e bëjmë kështu është që të mund ta mbajmë të lidhur me atë që po ndodh në fushën e betejës”, tha ai të enjten./M.H.

SHBA dhe aleatët e tjerë po përpiqen për të nxjerrë grurin nga Ukraina

SHBA dhe aleatët e saj po përpiqen të nxjerrin grurin nga Ukraina, me njëfarë suksesi, thotë Shtëpia e Bardhë.

Koordinatori i Këshillit të Sigurimit Kombëtar John Kirby tha se përpjekjet kanë arritur të nxjerrin pak grurë jashtë vendit, por jo të mjaftueshme, shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.

Miliona tonë drithë qëndrojnë të papunë në portet ukrainase mes një bllokade nga luftanijet ruse në Detin e Zi.

Është e tillë sasia e drithit që eksportohet çdo vit nga vendi, saqë vështirësitë kanë ngjallur frikën e mungesës globale.

"Ne sigurisht mirëpresim përfshirjen e Turqisë në përpjekjen për të ndërmjetësuar një lloj marrëveshjeje për të lejuar transportin e grurit," tha ai./M.H.

A po kërkon Zelenskyy të zëvendësojë shefin e lartë të sigurisë?

Majlinda Haziri Majlinda Haziri

Presidenti Volodymyr Zelenskyy raportohet se po mendon të zëvendësojë kreun e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës (SBU) - një mik fëmijërie.

Kristofer Miller i POLITICO thotë se lideri i kohës së luftës po konsideron të largojë Ivan Bakanov nga pozicioni i tij dhe ta zëvendësojë atë me dikë më të përshtatshëm, shkruan Sky news, përcjell “Bota sot”.

Ai pason vendimet e disa personelit të lartë të agjencisë në orët dhe ditët e para të pushtimit që mund t'i ketë kushtuar territorin e Ukrainës.

Duke përfshirë qytetin kyç të Khersonit, raporton gazeta.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat