G7: do të qëndrojmë përkrah Ukrainës për aq kohë sa do të duhet

Bota

G7: do të qëndrojmë përkrah Ukrainës për aq kohë sa do të duhet

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 16:46
Liderët e G-7

Udhëheqësit e G-7ës u zotuan të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën për “sa kohë që të nevojitet”. Në një deklaratë të përbashkët pas një lidhjeje videofonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, udhëheqësit nënvizuan, siç u shprehën ata, “angazhimin e palëkundur për të mbështetur qeverinë dhe popullin e Ukrainës në mbrojtjen e tyre kurajoze të sovranitetit të vendit dhe të integritetit territorial”.

Udhëheqësit e G-7ës thanë se “i takon Ukrainës të vendosë për një zgjidhje paqësore në të ardhmen, pa trysni të jashtme dhe pa u ndikuar”.

Këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, bëri të ditur se kërkesa kryesore e zotit Zelenskyy ishte për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe se biseda u përqëndrua tek perceptimi i tij për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj lufte. Zoti Zelenskyy i informoi udhëheqësit e G-7 se si qeveria e tij ka përdorur ndihmën e marrë deri më tani për “të maksimalizuar kapacitetin e Ukrainës, si për t’i rezistuar përparimit të forcave ruse, ashtu edhe për të bërë kundërsulme aty ku është e mundur”, tha zoti Sullivan.

Udhëheqësi ukrainas dëshiron që vendi i tij të arrijë një avantazh në fushëbetejë gjatë muajve të ardhshëm, pasi “ai beson se një konflikt i zgjatur, nuk është në interesin e popullit ukrainas”, tha zoti Sullivan.

Gjatë fjalimit që nuk u transmetua për publikun, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kërkoi sisteme mbrojtëse me raketa, më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe garanci të tjera në fushën e sigurisë, tha një zyrtar evropian. Zoti Zelenskyy gjithashtu u shpreh se dëshiron që lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundojë deri në fund të vitit, përpara se të fillojë stina e dimrit.

Presidenti ukrainas u tha udhëheqësve se tani nuk është koha për negociata me Rusinë, tha një diplomat i lartë francez. Udhëheqësi ukrainas tha se “ai do të negociojë kur të jetë në pozitën e duhur për të vepruar kështu”, tha diplomati.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara po përgatisin dërgimin e një sistemi të avancuar raketash kundër-ajrore për ta ndihmuar Ukrainën ndaj agresionit të urdhëruar nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Ndihma e re dhe përpjekjet e Grupit të Shtatëshes për të ndëshkuar Moskën vijnë ndërkohë që Presidenti Zelenskyy ka shprehur shqetësimin se Perëndimi mund të arrijë në një fazë lodhjeje nga lufta, e cila ka kontribuar për rritje të çmimeve të energjisë dhe të mallrave thelbësore në mbarë botën.

Udhëheqësit e fuqive kryesore industriale të botës u zotuan se “do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike, si dhe të qëndrojnë përkrah Ukrainës për sa kohë që duhet”./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat