LIVE: ‘Beteja’ Putin-Zelensky, kërkohet përkrahje nga kontinenti i largët – kjo është thirrja e presidentit ukrainas

Bota

LIVE: ‘Beteja’ Putin-Zelensky, kërkohet përkrahje nga kontinenti i largët – kjo është thirrja e presidentit ukrainas

Nga: BOTA SOT Më: 1 korrik 2022 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 00:34 më 02.07.2022
Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky - Foto ilustrim "Bota sot"

Zelensky betejë gjeopolitike kundër Putinit, kërkon mbështetje nga vendet e Amerikës Latine

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri apel liderve të Amerikës Latine në një përpjekje për të marrë mbështetje nga kontinenti i largët në luftën e vendit të tij kundër pushtimit rus.

“Unë vazhdoj të krijoj marrëdhënie me një rajon të rëndësishëm – Amerikën Latine”, shkroi Zelensky në mediat sociale në lidhje me bisedat e tij të fundit me liderët e Argjentinës dhe Kilit.

Bisedat me presidentët Alberto Fernández të Argjentinës dhe Gabriel Boric të Kilit erdhën pasi Zelenskiy foli me presidentin ekuadorian Guillermo Lasso dhe presidentin e Guatemalës Alejandro Giammattei pak më shumë se dy javë më parë.

Në atë kohë, Zelensky tha në një fjalim se bisedat me Lasso dhe Giammattei shënuan “fillimin e politikës re për rivendosjen e marrëdhënieve me Amerikën Latine”.

Fernández mbajti një telefonatë 35-minutëshe me liderin e Ukrainës, në të cilën ai ofroi ndihmë në çdo negociatë që mund të zhvillohet me Rusinë, sipas një njoftimi për shtyp nga qeveria argjentinase.

Ndërsa kreu aktual i Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, Fernández i tha Zelenskyt: “Amerika Latine është një kontinent paqeje që refuzon përdorimin e forcës dhe promovon dialogun për zgjidhjen e konflikteve”, thuhet në njoftim.

Para luftës, Fernandez po lëvizte për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë. Në një takim me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në fillim të shkurtit, Fernandez tha se Argjentina duhet të bëhet “dera e hyrjes në Amerikën Latine” për Rusinë. Fernández më vonë dënoi pushtimin e Rusisë.

​Rau: Sanksione më të ashpra kundër Rusisë

Ministri i Jashtëm polak i ka kërkuar Bashkimit Evropian që të vendosë një paketë të re dhe më të rreptë sanksionesh ndaj Rusisë, duke deklaruar se ato aktuale janë “të pamjaftueshme”.

Zbigniew Rau apeloi në Helsinki ku takoi homologun e tij finlandez Pekka Haavisto.

“Regjimi rus duhet të izolohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe ekonomia,” tha Rau në një konferencë shtypi të mbajtur me Haavisto.

“Sanksionet aktuale janë të pamjaftueshme, ne duhet të vazhdojmë të punojmë për një paketë të re masash kufizuese”, shtoi ai.

Ish-shefi i Pentagonit: Putini bie në shtrat i frikësuar

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis kritikoi të premten Presidentin rus Vladimir Putin dhe e quajti sulmin e Rusisë në Ukrainë, “marrëzi e tregues paaftësie".

Në një fjalim në Seul, zoti Mattis e krahasoi Presidentin Putin me një lloj personazhi paranojak, që përmendet në librat e shkrimtarit rus, Fyodor Dostojevsky.

“Putini është një krijesë që ka dalë nga librat e Dostojevskit. Ai bie në shtrat çdo mbrëmje i zemëruar, i frikësuar, e sheh një Rusi të rrethuar nga makthet", tha zoti Mattis.

Lajmin e plotë lexojeni KËTU

Rusia nis dërgesat e drithërave nga territoret e pushtuara të Ukrainës

Rusia konfirmoi se kishte nisur dërgimin e drithërave nga territoret e pushtuara në Ukrainë. Një anije me 7000 tonë drithëra u largua të enjten, më 30 qershor nga porti i qytetit të pushtuar të Berdyanskut, sipas një zyrtari rajonal pro-rus.

Prej muajsh Kievi e ka akuzuar Rusinë se po vjedh drithërat e saj nga jugu i vendit dhe po bllokon eksportin nga portet, duke kontribuuar në krizën ushqimore globale, diçka që Moska e ka mohuar vazhdimisht.

Eksportet e grurit në Ukrainë kanë pësuar një rënie prej 43 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas Ministrisë së Bujqësisë së Ukrainës, duke nënvizuar dëmin që i është shkaktuar sektorit kyç të ekonomisë së vendit nga pushtimi rus.

Bllokimi i porteve në Detin e Zi, një rrugë kyçe për anijet që transportojnë produktet ushqimore, kanë sjellë një rritje substanciale të çmimeve të produkteve ushqimore.

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se këtë vit, vendi pritet të korrë 65 milionë tonë drithë dhe fara luledielli, krahasuar me 106 milionë në vitin 2021. Shkak për këtë rënie të prodhimit është humbja e një pjese të territorit ndaj Rusisë.

Ministria e Bujqësisë në Ukrainë bëri të ditur se fermerët në jug dhe lindje të Ukrainës kanë nisur tashmë të vjelin të korrat e 2022-it.

Kryebashkiaku i Slovianskut përgatitet për hyrjen e forcave ruse në qytetin e tij

Qyteti i Slovianskut, që ndodhet në lindje të Ukrainës, mund të shndërrohet në objektin e rradhës të sulmit të forcave ruse në kuadër të fushatës së tyre për pushtimin e rajonit të Donbasit. Autoritetet lokale e akuzojnë Rusinë për sulme ajrore me bomba thërrmuese në zonat e banuara me civilë. Agjencia e lajmeve Associated Press shoqëroi kryebashkiakun e Slovianskut dhe pa nga afër përgatitjet e qytetit për pushtimin rus. 

Kryebashkiaku i Slovianskut thotë se është e rëndë të shohësh trupat e viktimave nëpër rrugë, ndërsa sulmet ruse në qytetin lindor të Ukrainës vazhdojnë të intensifikohen.

Nëse Moska arrin të pushojë Lysyçanskun, qyteti i tij mund të kthehet në një objektiv tjetër të madh të operacionit të Rusisë për marrjen nën kontroll të qendrës industriale të Ukrainës, kryesisht rusishtfolëse, të Donbasit.

Qyteti i Lysyçanskut, rreth 70 kilometra në lindje të Slovianskut, është bastion i fundit i Ukrainës në provincën e Luhanskut.

Megjithë situatën, kryebashkiaku Vladim Lyakh po bën gjithçka që mundet për të ndihmuar qytetin e tij, duke koordinuar ndihmën humanitare dhe shtuar mbrojtjen.

"Duhet të jemi të fortë, nuk mund të pushojmë, duhet të punojmë”, thotë ai.

Agjencia e lajmeve Associated Press shoqëroi zotin Lyakh dhe ishte dëshmitare e asaj që autoritetet e përshkruajnë si “sulm me bomba thërrmuese” në një zonë banimi.

Kryebashkiaku thotë se Sloviansku bombardohet të paktën katër ose pesë herë në ditë. Sipas tij përdorimi i municioneve thërrmuese është rritur në javën e fundit.

Shpërthimet dëgjohen rregullisht ndërsa sirenat për sulme ajrore janë bërë pjesë e përditshmërisë në Sloviansk.

Tre e katërta e popullsisë së qytetit është larguar, por zoti Lyakh thotë se numri i civilëve në qytet është ende i madh, duke përfshirë dhe shumë fëmijë.

Ai u bën thirrje banorëve të largohen.

“Kur të përballemi me rrezikun e hyrjes së trupave të armikut në qytet, më duhet të largohem”, thotë kryebashkiaku.

Sloviansku është një qytet i ndarë.

Më 2014 një pushtim i shkurtër nga separatistët e mbështetur nga Rusia terrorizoi këtë vend. Shumë njerëz u vranë dhe dhjetëra zyrtarë e gazetarë u morën peng.

Pas luftimeve dhe bombardimeve të ashpra ushtria ukrainase rimorri kontrollin e qytetit.

Shumica frikësohen për të ardhmen e qytetit të tyre, nëse pushtohen nga forcat ruse.

Por qyteti ka gjithashtu një numër të madh pensionistësh dhe nuk është çudi të dëgjosh banorë të moshuar të shprehin simpati për Rusinë dhe mosbesim ndaj ushtrisë dhe qeverisë ukrainase.

Forcat ruse thuhet se po përparojnë në ofensivën e tyre për kapjen e Lysyçanskut.

Gjatë fundjavës, ushtria ruse dhe separatistët pro tyre larguan trupat ukrainase nga qyteti fqinj i Lysyçanskut, Sievierodonetsku.

Rusia tani kontrollon 95 për qind të territorit të Luhanskut dhe rreth gjysmën e Donetskut./VOA

Kremlini sulmon NATO-n dhe kërkon të tërheqë dy shtete në përçarjen e Moskës me Perëndimin

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, ka folur këtë mëngjes dhe ka thënë disa fjalë të forta për NATO-n pas lajmeve që Finlanda dhe Suedia duken të gatshme për t'iu bashkuar aleancës.

“Kohët e fundit, përfaqësuesi i Shtëpisë së Bardhë përsëriti edhe një herë se Rusia nuk duhet të ketë frikë nga NATO-ja, askush nuk duhet të ketë frikë fare, sepse NATO është një aleancë mbrojtëse”, tha ai, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

"Por kjo tashmë është qesharake dhe që të rriturit të thonë një marrëzi kaq të dukshme, do të thosha, është thjesht turp."

Ai tha se aleanca "po përpiqej të kërkonte vazhdimisht një armik të jashtëm", ​​gjë që ai pretendoi se ishte "për shkak të nevojës për të ruajtur vetë kuptimin e ekzistencës së NATO-s".

Lajmin e plotë lexojeni KËTU

Rusia kërcënon me mbyllje të ambasadës në Bullgari

Rusia kërcënoi të premten me mbyllje të ambasadës së saj në Bullgari dhe të zyrës së misionit diplomatik të shtetit evropian në Moskë, ndërsa rriten tensionet pas ofensivës ruse në Ukrainë dhe shqetësimeve për spiunazh.

Këtë javë kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se vendi i tij do të dëbonte 70 punonjës të stafit diplomatik rus, numri më i lartë i diplomatëve të dëbuar njëherësh nga shteti ballkanik.

Ambasadorja ruse në Bullgari, Eleonora Mitrofanova, tha të premten se do t’i dërgonte një peticion qeverisë ruse për të mbyllur ambasadën bë Sofje.

“Fatkeqësisht, apeli ynë ndaj ministrisë së jashtme të Bullgarisë u injorua”, tha ajo në një deklaratë të lëshuar nga ambasada.

Ajo tha se po planifikon t’i kërkojë “menjëherë” lidershipit rus që të mbyllë “ambasadën ruse në Bullgari, çka do të sillte rrjedhimisht edhe mbylljen e misionit diplomatik bullgar në Moskë”.

Ajo shtoi se përgjegjësia për pasojat e rënda të këtij vendimi janë të qeverisë së Petkovit. Kryeministri bullgar deklaroi se diplomatët rusë “kishin punuar kundër interesit tonë”.

Shumë shtete evropiane kanë dëbuar diplomatët rusë pas ndërhyrjes ushtarake të Moskës në Ukrainë, më 24 qershor, me Rusinë që iu përgjigj këtyre vendimeve me të njëjtën monedhë.

Bullgaria pret që Rusia të mbyllë përkohësisht konsullatën e përgjithshëm në veri të Bullgarisë, ndërsa Sofja do të mbyllë përkohësisht konsullatën e saj në qytetin rus të Yekaterinburgut.

Bullgaria dëboi në mars 10 diplomatë rusë pas ofensivës së Moskës në Ukrainë.

Anëtarja e BE-së dhe e NATO-s, dikur një aleate e ngushtë e Bashkimit Sovjetik nën regjimin komunist, ka ende lidhje të ngushta kulturore, historike dhe ekonomike me Rusinë.

Por një seri skandalesh spiunazhi që nga viti 2019-të kanë cënuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kanë sjellë dëbimin e rreth 20 diplomatëve dhe një asistenti teknik.

Rusia nis dërgimin e grurit nga Ukraina!

Rusia ka filluar të transportojë grurë nga territori i pushtuar në Ukrainë, ka thënë një zyrtar rajonal pro-rus.

Një anije që transportonte 7,000 ton drithëra u largua nga qyteti i okupuar nga Rusia, Berdyansk të enjten dhe po shkonte për në “vendet mike”, tha Yevgeny Balitsky, raporton BBC.

Kievi ka akuzuar për javë të tëra Rusinë dhe aleatët e saj për vjedhjen e grurit të saj nga Ukraina jugore dhe bllokimin e porteve – diçka që Moska e ka mohuar vazhdimisht – duke kontribuar në një mungesë globale të ushqimit.

Dërgesa e grurit nga Berdyansk, në rajonin e Zaporizhzhia, shënon hapjen e një rruge detare për të eksportuar grurë nga Ukraina në vende të tjera.

Rritet numrin e të vdekurve pas sulmeve me raketa në Odesa

Ukraina thotë se një person tjetër ka vdekur pas sulmeve raketore të Rusisë gjatë natës në Odesa, duke e çuar numrin e të vdekurve në 19.

Tre raketa ruse goditën një ndërtesë nëntëkatëshe dhe dy qendra rekreacioni në fshatin Sergiivka, në rajonin jugor të Odesës të Ukrainës. Dy fëmijë janë në mesin e të vdekurve dhe 38 të plagosur.

Sipas zëvendësministrit të parë të brendshëm, Yevhenii Yenin, nuk kishte objektiva ushtarake apo infrastrukturë në afërsi të zonave të goditura nga raketat ruse.

Duke folur në vendngjarje, Yenin tha gjithashtu se operacionet e kërkim-shpëtimit ishin në vazhdim.

“Ne nuk presim të gjejmë dikë të gjallë, por ka një shans”, tha Yenin.

Von der Leyen: Ukraina tashmë ka një perspektivë të qartë evropiane

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina tashmë ka një "perspektivë shumë të qartë evropiane" pas vendimit të Bashkimit Evropian për t'i dhënë statusin e vendit kandidat.

"Ukraina tani ka një perspektivë shumë të qartë evropiane. Dhe Ukraina është një vend kandidat për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë," tha von der Leyen gjatë një fjalimi të mbajtur virtualisht në parlamentin ukrainas.

"Pra, sot është para së gjithash, një arsye për të festuar këtë moment historik, një fitore e vendosmërisë dhe një fitore për të gjithë lëvizjen që filloi tetë vjet më parë në Maidan," shtoi ajo.

Megjithatë, presidentja e Komisionit Evropian u kërkoi zyrtarëve ukrainas të ecin përpara me reformat kundër korrupsionit.

“Ju keni krijuar një sistem mbresëlënës kundër korrupsionit”, u tha ajo deputetëve ukrainas. "Por tani këto institucione kanë nevojë për shtysë dhe për njerëzit e duhur në postet e larta."

Fjalimi i Von der Leyen solli duartrokitje në parlamentin e Ukrainës dhe shihet si një sukses i qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky mbi përpjekjet e tyre për t'u bërë kandidatë për anëtarësim në BE.

Ajo nënvizoi se Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së mbështesin Ukrainën në luftën e saj ndaj pushtimit rus dhe në përpjekjet për “tu ribashkuar me familjen evropiane.”

Von der Leyen i bëri thirrje parlamentit ukrainas që të votojë ligjet në përputhshmëri me normat e promovuara nga Këshilli i Evropës për të përmirësuar procedurat e përzgjedhjes të gjykatësve të pavarur të Gjykatës Kushtetuese.

"Institucionet duhet të funksionojnë në mënyrë që ato të përmbushin aspiratat e njerëzve”, deklaroi ajo.

Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE, vetëm pesë ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në 24 shkurt, ndërsa 27 vendet anëtare pranuan t’i jepej statusi i kandidatit më 23 qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj vendit.

Por procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vite dhe kandidaturat e Turqisë dhe disa vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë ngecur ndërsa vendet perëndimore këmbëngulin për kritere të ashpra ekonomike dhe ligjore.

Von der Leyen vlerësoi Ukrainën që u bë partneri i vetëm i BE-së në Evropën Lindore "që ka miratuar një ligj për të luftuar kontrollin e oligarkëve në jetën ekonomike dhe politike të vendit".

Javën e ardhshme, von der Leyen do të bashkohet me udhëheqësit ndërkombëtarë dhe ato ukrainas në Lugano, Zvicër në një konferencë për të mbledhur fonde dhe për të bërë plane për rindërtimin e pasluftës në Ukrainë.

“Rruga juaj evropiane dhe rindërtimi i vendit do të ecin paralelisht”, tha ajo.

"Ukraina do të jetë në qendër të kësaj konference. Investimet do të duhet të vijnë, por për të maksimizuar ndikimin e tyre dhe për të nxitur besimin e biznesit, investimet do të duhet të shoqërohen me një valë të re reformash." përfundoi Von der Leyen./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat