VOA: Putin viziton Iranin javën që vjen; SHBA-të paralajmëruan se Teherani mund t’i japë Moskës dronë

Bota

VOA: Putin viziton Iranin javën që vjen; SHBA-të paralajmëruan se Teherani mund t’i japë Moskës dronë

Më: 12 korrik 2022 Në ora: 18:52
Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Iranin javën e ardhshme, bëri sot të ditur Kremlini, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Teherani mund t’i japë Moskës dronë për luftën në Ukrainë.

Gjatë qëndrimit në Teheran, Presidenti Putin do të marrë pjesë në takimin tri-palësh me udhëheqësit e Iranit dhe Turqisë, të ashtuquajturin formati Astana, për bisedime mbi zhvillimet në Siri, sipas zëdhënësit të Kremlinit.

Vizita në Iran, pason udhëtimin e Presidentit Biden në Izrael dhe Arabinë Saudite këtë javë, ku programi bërthamor i Iranit dhe aktivitetet e tij në rajon, do të jenë në qendër të diskutimeve.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se Presidenti Putin do të ketë një takim të veçantë me Presidentin e Turqisë Erdogan. Në mars, Presidenti Erdogan ndihmoi në organizimin e bisedimeve në Stamboll mids zyrtarëve rusë dhe atyre ukrainas. Sipas Kremlinit nuk ka plane për një raund të ngjashëm diskutimesh.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të hënën se Rusia kërkon të blejë qindra dronë nga Irani, përfshi dronë të armatosur, për t’i përdoprur në Ukrainë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jack Sullivan tha se është e paqartë nëse Irani ia ka dhënë tashmë dronët Rusisë, por Uashingtoni ka informacione se Irani po përgatitet të trajnojë forca ruse duke filluar nga muaji tjetër./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat