Banka i ngriu llogarinë, klienti merr peng punonjësit dhe i kërcënon: Më ktheni shpejt paratë e mia, kam babain sëmurë

Bota

Banka i ngriu llogarinë, klienti merr peng punonjësit dhe i kërcënon: Më ktheni shpejt paratë e mia, kam babain sëmurë

Më: 11 gusht 2022 Në ora: 22:21
Foto ilustrim

Një burrë i armatosur mori peng disa punonjës dhe klientë të një bankë në rrugën e zhurmshme Hamra të Bejrutit, duke kërkuar që fondet e tij të ngrira të liroheshin.

CNN shkruan se autori i mbajti peng disa orë dhe u dorëzua te forcat e sigurisë, vetëm pasi mori një pjesë të llogarisë së tij bankare.

Atij  iu premtuan 30,000 dollarë nga 210,000 dollarë që kishte në llogarinë e tij bankare të ngrirë si pjesë e kushteve të bankës.

I armatosuri tha se i duheshin fondet për të paguar për operacionin e babait të tij, duke kërcënuar se do të djegë bankën dhe do të vriste të gjithë personat që ndodheshin në të.

“Më kthe paratë e mia, nuk kam shumë kohë!”- bërtiste ai në një video të mediave sociale të regjistruar para bankës.

Një numër i madh njerëzish u mblodhën jashtë bankës duke kërkuar që banka t’i kthejë fondet pengmarrësit, ndërsa incidenti ka vënë në pah dëshpërimin e depozituesve libanezë të cilët janë të frikësuar nga kriza financiare e vendit.

Shumë persona që ndodheshin aty pranë brohoritën parulla antiqeveritare. Ata hodhën shishe uji ndaj forcave të sigurisë, ndërsa pengmarrësi doli nga banka, duke përshëndetur me dorë mbështetësit e tij.

Që nga fillimi i krizës financiare të Libanit në tetor 2019, sektori bankar i vendit ka vendosur kontrolle të kapitalit, duke kufizuar ashpër aksesin e njerëzve në kursimet e tyre të jetës.

Kriza ekonomike e Libanit, e cila shpërtheu në vitin 2019, ka çuar më shumë se tre të katërtat e popullsisë në varfëri dhe ka bërë që monedha vendase të humbasë mbi 90% të vlerës së saj në tetor 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat