Belgjikë: Më shumë rezervuarë uji kundër thatësirës

Bota

Belgjikë: Më shumë rezervuarë uji kundër thatësirës

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 07:54
Foto ilustrim

Rajoni belg i Flandrës është një nga zonat më të thata në BE. Tani aty po ndërtohen rezervuarë të rinj uji për të përballuar mungesën e reshjeve dhe thatësirën.  

Për shkak të rritjes së thatësirave gjatë viteve të fundit Belgjika do të ndërtojë më shumë rezervuarë uji. Kjo është një nga masat e planit "Blue Deal" për përballimin e efekteve të ndryshimeve klimatike.

Njëri prej rezervuarëve do të ndërtohet pranë qytetit Antverpen. Në këtë zonë ishte planifikuar të krijohej një zonë industriale, por thatësirat në rritje po i detyruan autoritetet lokale të zonës së Flandrës të heqin dorë nga ky plan. Ministrja flamande e mjedisit, Zuhal Demir, njoftoi se në Ranst, në skajin lindor të provincës së Antverpen do të ndërtohet një rezervuar i ri. Ky rezervuar do të sigurojë në vitet e ardhshme furnizimin me ujë të pijshëmtë popullsisë, sepse Belgjika dhe veçanërisht Flandra janë mjaft të kërcënuara nga thatësirat. Konsumi i ujit është i lartë dhe dendësia e popullsisë është ndër më të lartat në Evropë.

Rinatyralizimi i sipërfaqjeve të asfaltuara dhe të betonuara

Toka ka vetëm pak mundësi të thithë dhe të depozitojë ujin e rreshjeve, sepse një pjesë e madhe e territorit të vendit është mbuluar me rrugë e autostrada të asfaltuara si dhe me qytete dhe qendra të tjera të banuara, kanalizimet e të cilave e çojnë ujin direkt në det. Pra në qoftë se në Ranst do të ishte ndërtuar zona industriale, ajo do ta përkeqësonte edhe më tej gjendjen e rezervave të ujit.

Image
Për shkak të rrugëve dhe autostradave toka nuk ka mundësi të thithë dhe depozitojë ujë

Rezervuari i ri pritet të sigurojë furnizimin me ujë të pijshëm në të ardhmen. Ideja është që në dimër rezervuari të mbushet me ujë nga reshjet dhe ujërat qe përçohen përmes kanalizimive, kurse në verë uji i rezervuarit të trajtohet dhe përpunohet dhe të përdoret si ujë i pijshëm. Rezervuari i ri që pritet të jetë në dispozicion në vitin 2028, do të ketë një kapacitet prej rreth katër milionë metra kub ujë, ky është minimumi që ndërtimi i rezervuarit t'ia vlejë.   

Image
Foto ilustrim

Rezervuarët janë vetëm një pjesë e planit "Blue Deal". Në kuadër të tij janë shndërruar në ligatina rreth 1600 hektarë dhe në vijim do të merren një sërë projektesh që përfshijnë rinatyralizimin e sipërfaqejeve të asfaltuara dhe betonuara duke larguar prej tyre asfaltin dhe betonit në mënyrë që toka të thithë dhe të mbajë ujë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat