Gazetari kuban vendos të vërtetën mbi rrënjët revolucionare të familjes së tij

Bota

Gazetari kuban vendos të vërtetën mbi rrënjët revolucionare të familjes së tij

Më: 4 tetor 2022 Në ora: 16:48
Gazetari kuban Abraham Jimenez Enoa, në mërgim në Barcelonë, të Spanjës (Alfonso Beato/VOA)

Abraham Jimenez Enoa e ka prejardhjen nga një prej familjeve revolucionare të Kubës, por ai u shkëput nga kjo trashëgimi, duke iu përkushtuar raportimit të së vërtetës. Siç njofton për Zërin e Amerikës, Graham Keeley, nga Barcelona e Spanjës, ai është larguar tashmë nga vendi, ashtu siç kanë vepruar edhe shumë të tjerë që dëshirojnë të kenë zërin e tyre të pavarur.

Udhëheqësit revolucionarë të Kubës kanë qenë shumë të pranishëm në jetën e Abraham Jimenez Enoas. Gjyshi i tij ishte truproja e Fidel Kastros dhe dhuratat nga Çe Gevara mbushnin shtëpinë e gjyshërve të tij.

Por, një karrierë në gazetari e bëri zotin Enoa të lërë pas rrënjët e tij revolucionare. Në vitin 2016, ai themeloi revistën e pavarur El Estornudo.

“Shkruanim për prostitucionin, opozitën, të drejtat e njeriut. Kjo e provokoi qeverinë të fillonte përndjekjen dhe represionin”, thotë ai.

Përndjekja u intensifikua në vitin 2019 kur ai filloi të punonte për gazetën The Washington Post.

“Në një rast më arrestuan. Më vunë prangat dhe më çuan në stacionin e policisë me kokën të ulur. Më zhveshën për të më bërë kontroll. Pastaj më filmuan fshehtazi dhe i nxorën pamjet në televizion duke pretenduar se isha agjent i CIA-s”, thotë ai.

Të afërmit e tij, përfshirë babanë që ishte kolonel në Ministrinë e Brendshme, u detyruan të linin vendet e punës. Në nëntor 2021 erdhi ultimatumi.

“Më telefonuan nga qeveria dhe më thanë se duhej të largohesha nga vendi, ose do të më fusnin në burg dhe do të krijonin probleme të mëtejshme për familjen time”, tregon ai.

Në janar gazetari kuban u vendos në Barcelonë të Spanjës, me bashkëshorten dhe djalin 2-vjeçar. Ai u bë kështu pjesë e zërave të pavarur gjithnjë në rritje që detyrohen të largohen nga Kuba.

Rreziqet e të qenit gazetar i pavarur në Kubë e shtynë edhe Wendy Lazcano Expositon të vendosej në Madrid në vitin 2013.

“Mund të ngrenë akuza ndaj teje; të të fusin në burg në mënyrë arbitrare, të të marrin mjetet e jetesës, kompjuterin, kameran. Mund të presin internetin, mund të të përgjojnë telefonin, të të shndërrojnë në një personazh të parëndësishëm. Familja dhe miqtë mund të të kthejnë shpinën”, tregon zonja Exposito.

Presioni ndaj zërave të paktë të pavarur dhe arrestimet në vendin ishull u shtuan në vitin 2021, pas protestave masive kundër qeverisë.

Kërkesave të Zërit të Amerikës për koment nuk iu përgjigjën Qendra e Havanës për Shtypin Ndërkombëtar dhe as Ambasada Kubane në Madrid.

Por jashtë Kubës, gazetarët mund të gjejnë më shumë liri.

“Shpesh marrim më shumë informacion nga jashtë Kubës se sa nga brenda, pasi këtu kemi internetin. Atje kanë çensurën”, thotë zonja Exposito.

Jimenez Enoa do të nderohet në nëntor me Çmimin Ndërkombëtar për Lirinë e Shtypit, që jepet nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. Ai po përpiqet të rikrijojë marrëdhëniet me familjen që ka në Kubë, por po e gjen të vështirë të përshtatet me jetën në Spanjë.

“Që të kenë një vezë në frigorifer është luks. Në një dyqan këtu ka 17 lloje djathrash, 14 lloje kosash dhe të gjitha llojet e produkteve që mund të imagjinohen. T’i kesh gjithë këto në Kubë do të ishte privilegj”, thotë ai.

Megjithë represionin dhe përndjekjet, zoti Enoa thotë se nuk pendohet për përkushtimin ndaj të vërtetës./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat