VOA/ Mesazhi i Papës për Krishtlindje, një lutje për paqe në Ukrainë dhe mbarë botën

Bota

VOA/ Mesazhi i Papës për Krishtlindje, një lutje për paqe në Ukrainë dhe mbarë botën

Më: 25 dhjetor 2022 Në ora: 17:29
Papa Françesku

Në mesazhin e Krishtlindjes Papa Françesku foli rreth atyre që i quajti "erëra të acarta të luftës", që vazhdojnë të godasin njerëzimin. Ai u lut për përfundimin e menjëhershëm të atij që e cilësoi një konflikt i pakuptimtë në Ukrainë.

Në mesditë në Romë, Papa Françesku mbajti nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, fjalimin tradicional "Urbi et Orbi" (për qytetin dhe botën).

Rreth 70,000 turistë, pelegrinë dhe banorë të qytetit kishin mbushur sheshin për të dëgjuar Papën dhe për të marrë bekimin e tij.

Papa Françesku tha se rruga e paqes bllokohet nga forca që kanë lidhje me pushtetin dhe paranë, krenarinë, hipokrizinë dhe gënjeshtrën.

Ai u bëri thirrje besimtarëve të kujtojnë e luten për miliona ukrainas që jetojnë pa energji elektrike apo ngrohje, për shkak të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit, si dhe miliona të tjerë, që jetojnë si refugjatë jashtë vendit ose të zhvendosur brenda tij, që nga fillimi i sulmit rus më 24 shkurt.

Papa u lut që zoti sikurse tha: "të ndriçojë mendjet e atyre që kanë fuqinë të shuajnë bubullimën e armëve e t'i japin fund të menjëherë kësaj lufte të pakuptimtë!".

Papa Françesku foli gjithashtu mbi konfliktet e gjata në Lindjen e Mesme, përfshirë tokën e shenjtë, "ku në muajt e fundit dhuna dhe konfrontimet janë shtuar, duke sjellë sikurse tha “vdekje e lëndime”. Ai u lut për një armëpushim të qëndrueshëm në Jemen dhe për pajtim në Iran e Mianmar, si dhe përmendi dhunën dhe konfliktet në rajonin Sahel të Afrikës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat