LIVE: Gjermania merr vendimin e shumëpritur për Ukrainën, pritet që njëjtë të veprojë edhe SHBA

Bota

LIVE: Gjermania merr vendimin e shumëpritur për Ukrainën, pritet që njëjtë të veprojë edhe SHBA

Nga: BOTA SOT Më: 24 janar 2023 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 20:33 më 24.01.2023
Foto ilustrim

Gjermania miraton dorëzimin e tankeve “Leopard” në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka rënë dakord të furnizojë Ukrainën me tanke luftarake “Leopard”, sipas burimeve qeveritare.

Berlini u ka dhënë leje vendeve të tjera për të eksportuar tanke luftarake “Leopard” të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Scholz, prej disa muajsh, ka hezituar të marrë një vendim për dërgimin e tankeve në Kiev, duke lënë në pritje jo vetëm presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por edhe aleatët e NATO -s dhe anëtarët e qeverisë së tij të koalicionit.

Zelensky deklaroi më herët se hezitimi i Berlinit po i kushtonte jetën ukrainasve.

Scholz e justifikoi hezitimin e tij duke thënë se ai duhej të zbatonte të njejtat hapa me SHBA-në, e cila gjithashtu nuk ka dërguar ende nga tanket e saj kryesore të betejës në Ukrainë.

Por, “The Wall Street Journal” dhe media të tjera amerikane raportuan sot se administrata e Biden ishte gati të ndryshonte kursin dhe t’i dërgonte Ukrainës tanket e saj “Abrams”.

Jeta për banorët e Donbasit

Ndërsa bombat vazhdojnë të bien në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë, disa banorë mbeten në qytetet pothuajse të boshatisura përreth, duke rregulluar ndërtesat e bombarduara dhe duke shpresuar se lufta do të marrë fund. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock, njofton nga qytetet Bakhmut dhe Chasiv Yar në rajonin Donbas të Ukrainës. 

Shumë qytete dhe qyteza në rajonin Donbas të Ukrainës Lindore duken pothuajse të boshatisura, ky mbizotërojnë gjëmimet e vazhdueshme të bombave që bien brenda dhe jashtë zonës. 

Në qytetin Bakhmut, vendi i luftimeve të ashpra për gjashtë muaj në luftën e Rusisë në Ukrainë, vendasit thonë se nuk e dinë se çfarë po ndodh sepse janë kryesisht të shkëputur nga lajmet dhe informacionet e jashtme. 

“Nuk kemi ku të shkojmë, kështu që qëndrojmë këtu në bunker. Mund të vish këtu dhe të flasësh me njerëz. Është e frikshme të dalësh jashtë. Askush nuk ecën në rrugë për shkak të bombardimeve", thotë për Zërin e Amerikës Lyudmyla Malynovska, banore në Bakhmut. 

Disa banorë që mbeten në qytete dhe qyteza të tjera në Donbas përpiqen t'i mbajnë shtëpitë e tyre të paprekura, pavarësisht bombardimeve të shpeshta, me shpresën se njerëzit do të kthehen kur dhuna të qetësohet. 

Në Chasiv Yar, rreth 10 kilometra larg vijës së frontit, banorët thonë se vetëm një vit më parë qyteti i tyre kishte gjallëri, me bukuri natyrore dhe industri. 

“Ishte një bombë thërrmuese që ra këtu, dhe vala goditëse shkoi atje dhe e shkatërroi atë ndërtesë. Më pas, mbeturinat ranë në shtëpi. E shihni, i gjithë muri është i mbuluar me vrima nga copëzat” thotë Alexander Pavlovitch për Zërin e Amerikës. 

Tregjet në Chasiv Yar janë kryesisht të mbyllura tani. Shitësit që mbeten në qytet thonë se bombardimet e vazhdueshme e bëjnë shumë të rrezikshme punën jashtë. Të tjerë thonë se qëndrimi në qytet dhe mbajtja hapur e biznesit është një akt patriotizmi. 

“Unë jam një patriot i Ukrainës. Ukraina është atdheu im. Është toka ime. Kjo luftë vetëm më bëri më të fortë në vendosmërinë time. Dhe Rusia është një vend terrorist”, i tha Zërit të Amerikës Serhi Zamulenko, banor i qytetit. 

Disa nga fqinjët nuk e pëqejnë besnikërinë e tij, thotë Serhi Zamulenko, në një rajon me lidhje familjare dhe kulturore me Rusinë dhe Ukrainën. 

Rajoni i Donbasit ka qenë në luftë që nga viti 2014, shumë kohë përpara se të fillonte agresioni rus në shkallë të gjerë, pothuajse një vit më parë. Por niveli aktual i dhunës është i paprecedentë dhe i përhapur në të gjithë vendin. 

Kombet e Bashkuara thonë se gjatë 11 muajve të fundit më shumë se 7,000 civilë janë vrarë në Ukrainë./VOA

Zyrtarë të lartë në Ukrainë japin dorëheqjen pas dyshimeve për korrupsion

Zëvendës shefi i kabinetit të Presidentit të Ukrainës dha dorëheqjen të martën pasi Presidenti Volodymyr Zelenskyy premtoi një ristrukturim drastik të stafit të tij pas dyshimeve për korrupsion të nivelit të lartë gjatë luftës në Ukrainë. 

Zoti Kyrylo Tymoshenko kërkoi lirimin nga detyra, sipas nje dekreti që ai postoi në rrjetet sociale, i cili ishte firmosur nga Presidenti Zelenski. 

As zoti Tymoshenko dhe as zyra e Presidentit nuk dhanë arsyet e dorëheqjes. 

Dorëheqjen e dha edhe zëvendës ministri i Mbrojtjes, Viacheslav Shapovalov, një akt që sipas mediave lokale lidhet me përfshirjen në skandalin për blerjen e ushqimeve për forcat e armatosura të Ukrainës. Edhe zëvendës prokurori i përgjithshëm Oleksiy Symonenko paraqiti dorëheqjen. 

Presidenti i Ukrainës Zelensky ka premtuar ndryshime në kabinetin qeveritar, administratën lokale dhe forcat e sigurisë pas akuzave për korrupsion pas fillimit të sulmit të forcave ruse në Ukrainë. 

Zëvendës shefi i kabinetit të Presidentit të Ukrainës, Kyrylo Timoshenko u hetua gjatë vitit të shkuar për përdorimin personal të makinave zyrtare luksoze. 

Ai ishte mes zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim të ndihmës humanitare me vlerë prej 7 milionë dollarësh që ishte caktuar për rajonin e Zaporizhzhias. Zoti Timoshenko ka hedhur poshtë çdo akuzë./VOA

Putin thotë se Rusia po përjeton mungesë ilaçesh

Presidenti Vladimir Putin ka thënë se ka mungesë të disa ilaçeve në Rusi, pavarësisht se vendi prodhon më shumë nga barnat e veta përballë sanksioneve gjithëpërfshirëse perëndimore për shkak të luftës, përcjell Bota sot.

Ndërsa barnat me recetë janë të përjashtuara nga sanksionet e vendosura për konfliktin, dërgimi i tyre në Rusi është goditur nga pengesat e transportit, sigurimit dhe doganave të shkaktuara nga lufta dhe masa të tjera kufizuese, thonë shifrat e industrisë.

“Ka pasur mungesë të disa ilaçeve, pavarësisht faktit se ne pamë që prodhimi i produkteve farmaceutike në tre tremujorët (e parë) të vitit të kaluar u rrit me rreth 22 për qind”, tha Putin gjatë një takimi televiziv me zyrtarët.

“Gjashtëdhjetë për qind e barnave në treg janë barna vendase. Megjithatë, në disa barna është krijuar një deficit dhe çmimet janë rritur”, shtoi ai.

Medvedev: Rusia ka armë mjaft!

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev është kundërpërgjigjur ndaj raporteve të mediave në Perëndim se Rusia po mbaron me raketa dhe artileri, duke thënë se Moska ka "mjaft nga gjithçka", përjel Bota sot.

"Kundërshtarët tanë po shikojnë, ata bëjnë periodikisht deklarata se ne nuk kemi këtë apo atë," tha Medvedev gjatë një vizite në një fabrikë kallashnikovi në Izhevsk, rreth 1000 kilometra (620 milje) në lindje të Moskës.

“Dua t'i zhgënjej ata. Na mjafton nga gjithçka”, shtoi ai.

Në një video të postuar në kanalin e tij Telegram, Medvedev, i cili është ndër zërat më të ashpër pro-luftës të Rusisë, është parë duke inspektuar pushkët kallashnikov, predha artilerie, raketa dhe dron.

Polonia kërkon zyrtarisht leje nga Gjermania për të dërguar tanke në Ukrainë

Polonia i ka bërë thirrje Gjermanisë që të miratojë planet e saj për të dërguar tanke “Leopard 2″ në Ukrainë.

Varshava ka nevojë për lejen e Berlinit pasi tanket janë të prodhimit gjerman dhe nuk mund të eksportohen, shkruan Skynews.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, ka konfirmuar se vendi i tij ka kërkuar zyrtarisht leje nga Gjermania.

“Gjermanët kanë marrë tashmë kërkesën tonë për pëlqimin për transferimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë. I bëj thirrje edhe palës gjermane që të bashkohet me koalicionin e vendeve që mbështesin Ukrainën me tanke Leopard 2. Kjo është kauza jonë e përbashkët, sepse ka të bëjë me sigurinë e të gjithë Evropës!”, ka shkruar ai në Twitter.

Gjermania nuk konfirmoi menjëherë se kishte marrë kërkesën.

Alarmi për sulm ajror në të gjithë Ukrainën

Sirenat po tingëllojnë në të gjithë vendin.

Alarmi vënë sërish në gatishmëri ukrainasit.

Euan MacDonald, kryeredaktori i New Voice of Ukraine, tha se ata ishin nisur nga një aeroplan përgjues që po ngrihej në Bjellorusi.

"Alarmi për sulm ajror - një MiG31K, i cili mund të mbajë një raketë balistike me aftësi bërthamore të lëshuar nga ajri Kinzhal, është ngritur në Bjellorusi, kështu që praktikisht i gjithë vendi është në gatishmëri për sulm ajror".

Estonia dhe Letonia kërkojnë largimin e ambasadorëve të Rusisë

Shtetet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Estonia dhe Letonia, kanë kërkuar largimin e ambasadorëve rusë nga shtetet përkatëse, pas njoftimit të Rusisë për ulje të marrëdhënieve diplomatike me Estoninë, duke e akuzuar atë për "rusofobi totale".

Ministria e Jashtme ruse deklaroi se ambasadorit të Estonisë do t'i kërkohet të largohet muajin e ardhshëm dhe se të dyja vendet do të përfaqësohen nga të ngarkuarit me punë të përkohshme në vend të ambasadorëve.

Estonia u përgjigj në mënyrë të ngjashme, me ministrin e Jashtëm Urmas Reinsalu që njoftoi se të dërguarit rus do t'i kërkohet të largohet deri më 7 shkurt.

Mosmarrëveshja diplomatike erdhi pasi ministrat e jashtëm të BE-së u takuan në Bruksel për të diskutuar, mes tjerash, agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Tre vendet baltike kanë qenë të zëshme për të kërkuar sanksione më të ashpra për Rusinë, si dhe ndihmë më të mirë për Ukrainën.

Estonia, Letonia dhe fqinji i tyre baltik Lituania, kanë qenë pjesë e shteteve aleate në NATO që kanë insistuar fuqishëm që Gjermania të sigurojë tanke luftarake Leopard për të ndihmuar Ukrainën që t'i rezistojë pushtimit rus./REL

Moska paralajmëron se dorëzimi gjerman i tankeve do të linte një gjurmë të pashlyeshme

Ndërsa Gjermania po mendon nëse do të dërgojë tanket e saj Leopard 2 në Ukrainë, Kremlini ka lëshuar një paralajmërim për Berlinin, përcjell Bota sot.

Sky News pyeti se si do të ndryshojnë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Gjermanisë nëse Berlini vendos të autorizojë dorëzimin - për të cilën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se kjo "do të linte një gjurmë të pashlyeshme".

"Nuk ka asnjë dialog thelbësor midis Federatës Ruse dhe Gjermanisë. Dorëzimi i mundshëm i tankeve në Kiev nuk premton mirë për marrëdhëniet e ardhshme midis dy vendeve," tha ai.

"Marrëdhëniet janë tashmë në një pikë të ulët."

Disa nga aleatët e Gjermanisë kanë kërkuar që ajo të lejojë dorëzimin e tankeve Leopard përpara ofensivave të rinovuara si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina.

Deri më tani, Berlini ka hezituar ose të lejojë aleatët e tij të dërgojnë tanke të prodhimit gjerman ose të dërgojë furnizimet e veta.

Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha më parë se ishte i sigurt për një vendim "së shpejti".

Luftime të ashpra në zonat lindore të Bakhmut dhe Avdiivka në Ukrainë

Forcat pushtuese ruse dhe trupat ukrainase u angazhuan sërish në luftime të ashpra rreth qyteteve të vijës së parë në Bakhmut dhe Avdiivka në Ukrainën lindore, sipas Kievit.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se ushtria ruse sulmoi pavarësisht dëmeve të veta.

“Si pjesë e përpjekjeve për të kapur të gjithë rajonin e Donetskut, ushtria ruse sulmoi pa marrë parasysh humbjet e veta. Sulmet ruse u zmbrapsën me humbje të mëdha”, thanë nga shtabi.

Raportimi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, shkruajnë mediat e huaja.

Ndërkohë, ushtria ruse njoftoi intensifikimin e luftimeve në rajonin qendror të Zaporizhias.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat