Putin: Furnizimi i Ukrainës me raketa “Tomahawk” do të shkatërronte marrëdhëniet Rusi-SHBA

Bota

Putin: Furnizimi i Ukrainës me raketa “Tomahawk” do të shkatërronte marrëdhëniet Rusi-SHBA

Më: 5 tetor 2025 Në ora: 16:56
Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin tha se nëse Shtetet e Bashkuara do ta furnizonin Ukrainën me raketa Tomahawk për sulme me rreze të gjatë veprimi thellë në Rusi, atëherë kjo do të çonte në shkatërrimin e marrëdhënieve të Moskës me Uashingtonin.

Deklarata e tij u bë me një video të publikuar nga mediat ruse.

“Kjo do të çojë në shkatërrimin e marrëdhënieve tona, ose të paktën në trendet pozitive që kanë dalë në këto marrëdhënie”, tha Putin në një videoklip të publikuar të dielën nga gazetari i televizionit shtetëror rus, Pavel Zarubin.

Më pak se dy muaj, që kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, takoi Putinin në një samit në Alaska, paqja duket edhe më larg, informon ‘Reuters’.

Kjo duke parë situatën më të fundit me forcat ruse që përparojnë në Ukrainë, dronët rusë që dyshohet se fluturojnë në hapësirën ajrore të NATO-s dhe tani Uashingtoni që flet për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në sulmin e thellë ndaj fuqisë më të madhe bërthamore në botë.

Trump ka thënë se është i zhgënjyer me Putinin që nuk bëri paqe dhe e ka cilësuar Rusinë si një “tigër letre” për dështimin në nënshtrimin e Ukrainës. Putin javën e kaluar u kundërpërgjigj, duke vënë në pikëpyetje nëse NATO nuk ishte “tigri i letrës” për dështimin në ndalimin e përparimit të Rusisë.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha muajin e kaluar se Uashingtoni po shqyrtonte një kërkesë të Ukrainës për të siguruar raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi që mund të godisnin thellë në Rusi, përfshirë Moskën, megjithëse nuk është e qartë nëse është marrë një vendim përfundimtar.

Gazeta “Wall Street Journal” raportoi javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës informacione mbi objektivat e infrastrukturës energjetike me rreze të gjatë veprimi në Rusi, ndërsa po shqyrton nëse do t’i dërgojë Kievit raketa që mund të përdoren në sulme të tilla. Dy zyrtarë e konfirmuan raportin e “Wall Street Journal” për Reuters.

Por një zyrtar amerikan dhe tre burime të tjera i thanë Reuters se dëshira e Administratës Trump për të dërguar raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë mund të mos jetë e zbatueshme sepse inventarët aktualë janë të përkushtuar për Marinën Amerikane dhe përdorime të tjera .

Raketat lundruese Tomahawk kanë një rreze veprimi prej 2,500 kilometrash (1,550 milje), që do të thotë se nëse Ukraina i merr raketat, atëherë Kremlini dhe e gjithë Rusia evropiane do të jenë brenda shënjestrës.

Putin tha të enjten se ishte e pamundur të përdoreshin raketat Tomahawk pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të personelit ushtarak amerikan dhe kështu çdo furnizim i raketave të tilla në Ukrainë do të shkaktonte një “fazë cilësisht të re të përshkallëzimit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat