Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela kanë rënë dakord të rivendosin marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore.
Sipas deklaratës zyrtare, bashkëpunimi mes dy vendeve do të synojë gjithashtu krijimin e kushteve për një tranzicion paqësor drejt një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Rivendosja e marrëdhënieve vjen pas zhvillimeve në fillim të këtij viti, kur forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolas Maduro gjatë një operacioni të befasishëm.
Ai dhe bashkëshortja e tij u dërguan në Nju Jork për t’u përballur me akuza që lidhen me trafik droge dhe armësh, akuza të cilat ata i kanë mohuar.
Pas këtij operacioni dhe ndryshimeve politike që pasuan në Venezuelë, kontaktet diplomatike mes dy vendeve nisën të përmirësohen gradualisht, duke çuar në marrëveshjen e fundit për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dypalëshe.
Autoritetet venezueliane kanë deklaruar se janë të gatshme të hapin një fazë të re dialogu konstruktiv me Uashingtonin, të bazuar në respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim, me synimin për të forcuar marrëdhëniet dhe për të krijuar mundësi për një partneritet të dobishëm për të dy vendet.