Publikohet biseda mes Chirac dhe Clinton për Srebrenicën - Bota Sot
Publikohet biseda mes Chirac dhe Clinton për Srebrenicën

Bota

Publikohet biseda mes Chirac dhe Clinton për Srebrenicën

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 18:54

Dokumente nga CIA amerikane nga të cilat janë ndarë disa thekse zbulojnë bisedën mes ish presidentit francez Jacques Chirac dhe atij të SHBA-be Bill Clinton në lidhje me Srebrenicën.

Dy ditë pas rënies së Srebrenicës, Chirac në bisedën telefonike ka paralajmëruar Clintonin se Franca nuk dëshiron të rrijë duarkryq dhe të jetë përgjegjëse për atë situatë, thuhet në dokumentet e CIA-s, që e ka publikuar N1.

"Rënia e Srebrenicës dhe ka shumë të ngjarë të bie edhe Zhepa, dhe Gorazhde është një dështim i madh për OKB-në, NATO-n dhe të gjitha demokracitë”, i ka thënë Chirac, Clintonit.

Ai ka thënë se Franca më nuk mund të rrijë dhe të shikojë se si “serbët ndajnë meshkujt nga gratë, duke i dërguar gratë që të dhunohen dhe duke vrarë meshkuj të cilët janë të aftë për ushtri”.

“Duhet të kthejmë situatën ashtu siç është e garantuar nga OKB-ja. Franca është e gatshme të dërgojë njësitë e veta në mision”, ka thënë Chirac.

Ai megjithatë ka thënë se nuk e di çka dëshirojnë britanikët, transmeton N1.

“Pyes nëse qëllimi i tyre është vetëm ta lëshojnë Gorazhden sikurse holandezët që lëshuan Srebrenicën. Nuk dua që Franca të jetë fajtore për këtë situatë”, ka thënë Chirac.

“Krejt varet nëse SHBA do të jetë e gatshme që të bashkëpunojë në ndalimin e pastrimit etnik ose vetëm do të ulemi të rrimë duarkryq, t’i lëmë njerëzit të vriten dhe ne të shkojmë në shtëpi. Nuk mund t’i lejojmë vetes që të jemi pjesëmarrës në këtë”, ka paralajmëruar ish presidenti francez.

Sipas tij, qeveria boshnjake ka pasur në Gorazhde 9 mijë ushtarë të gatshëm për luftë, në Srebrenicë 3 mijë të cilët megjithatë kanë ikur nga granatimet.

“Ata kanë shkuar pa mbështetjen për luftë, edhe pse unë mendoj se ata mund të bëjnë", tha Clinton, duke shtuar se Britania ka 300 trupa në Gorazhde, të cilat ndoshta do të jenë të gatshëm për të qëndruar atje.

Ai ka vlerësuar se nëse diçka ndodhë në Gorazhde ushtria serbe do të ndihet se e ka rrugën e hapur për në Sarajevë.

Clinton megjithatë ia përcolli Chiracut se duhet të dijë se cili do të jetë angazhimi i vërtetë nëse Franca vendosë të merr iniciativë në Srebrenicë, Zhepë dhe Gorazhde.

"Para se të sigurohemi për një sulm ajror duhet ta dini se ai do të shkaktojë humbje të rënda serbëve në fusha të caktuara. Unë do të konsultohem me këshilltarë ushtarakë, por ata janë shumë skeptik në lidhje me futjen e forcave me helikopter, veçanërisht në qoftë se boshnjakët nuk do të rezistojnë", ka thënë Clinton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...