Dëshmitarët boshnjakë e holandezë kujtojnë gjenocidin në Srebrenicë - Bota Sot
Dëshmitarët boshnjakë e holandezë kujtojnë gjenocidin në Srebrenicë

Bota

Dëshmitarët boshnjakë e holandezë kujtojnë gjenocidin në Srebrenicë

Më: 11 korrik 2015 Në ora: 22:27

Srebrenica ka hyrë në histori si skena e masakrës më të rëndë të kryer në Evropë pas Luftës II Botërore. Mbi 8000 djem e burra myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjes. Në 20 vjetorin e masakrës, dëshmitarët e kësaj tragjedie kujtojnë ditët e përgjakshme të korrikut 1995.

Nexhad Avdiç ishte 17 vjeç kur forcat serbe të Bosnjës e futën në këtë shkollë në fshatin Petkoviçi, së bashku me 1000 burra e djem të tjerë, pas rënies së Srebrenicës, përcjell VoA. Ai ishte përpjekur të shpëtonte duke u fshehur në pyll me të tjerë, pasi forcat holandeze e dorëzuan qytetin.

Pas kapjes, ai kujton se si e kishin futur në një prej klasave të mbushura me njerëz, në të nxehtët e verës.

“Klasa ishte e mbushur me njerëz. Ajri ishte i padurueshëm. Njerëzit pinin urinën e tyre, pasi nuk na jepnin ujë. Ishte korrik dhe bënte shumë vapë. Dikush u përpoq të hapte dritaren, por ushtarët hapën zjarr duke plagosur një numër njerëzish. Një burrë nga fshati im që e kisha njohur prej vitesh, u qëllua në qafë, por askush nuk e ndihmonte dot”.

Për ditë me radhë ai dëgjonte zërat e atyre që nxirreshin nga shkolla dhe ekzekutoheshin. Në mesnatën e 14 korrikut 1995 ushtarët e urdhëruan atë dhe të tjerë të dilnin përjashta. Ai kujton pirgjet me trupat e të ekzekutuarve që pa gjatë ecjes më këmbë e më pas rrugës me kamion deri tek një fushë e hapur, ku ushtarët filluan të qëllojnë mbi ta. Nexhadi u plagos, por bëri sikur kishte vdekur.

“Më kujtohet që kisha dhimbje në anën e djathtë dhe në krah. Qëndrova shtrirë duke u dridhur. Plumbat fishkëllenin rrotull. Kisha dhimbje të forta dhe prisja që të më kapte një plumb tjetër. Para syve të mi binin njerëzit që goditeshin nga plumbat”.

Pas largimit të ushtarëve, ai dhe një tjetër i mbijetuar arritën të dalin nga zona dhe duke ecur për katër ditë radhazi, arritën në zonën e kontrolluar nga qeveria e Bosnjës.

Historia e Nexhadit është e rrallë për Srebrenicën ku mbi 8000 djem e burra u vranë nga forcat serbe të Bosnjës. Srebrenica, e shpallur nga OKB-ja si zonë e sigurt për civilët, ishte nën mbrojtjen e një kontigjenti të vogël paqeruajtësish holandezë, të armatosur lehtë. Ushtarët holandezë nuk arritën të mbrojnë popullatën civile, përballë dyndjes së ushtarëve serbë të Bosnjës.

Masakra ndryshoi përgjithmonë jetët e ushtarëve holandezë. Shumë prej tyre vuajnë nga stresi post-traumatik, disa kanë kryer vetëvrasje. Rob Zomer, në atë kohë pjesë e kontigjentët të paqeruajtësve, thotë se ka 20 vjet që dëgjon sharje si: vrasës, frikacakë, të pashpirtë. Nuk ke si të mos stresohesh, thotë ai.

Zomer vendosi të mos i fshihet fantazmës së luftës që do të jetë gjithmonë pjesë e historisë së tij, por të ballafaqohet me të. Ai ka ndërtuar një shtëpi përballë kodrave të gjelbëruara të Srebrenicës. Jeta e tij si blegtor i ngjet tani rutinës së përditshme të fshatarëve të Bosnjës.

Njerëzit mendojnë se nuk bëmë asgjë, por ne u përpoqëm në kushte tepër të vështira, thotë ai, duke fajësuar Kombet e Bashkuara se i dërguan paqeruajtësit për një mision të pamundur.
“Nuk e dua aspak OKB-në. Nuk më pëlqen. OKB-ja nuk donte t’ia dinte për popullin boshnjak. As për mua dhe kolegët e mi. Ata na e lanë ne në dorë, por si mund të ndihmonim ne?”

Tani ai përpiqet të ndihmojë veteranët e luftës që përballen me traumat pas-konfliktit.

Pas luftës edhe Nexhadi u kthye në Srebrenicë, ku gjeti punë dhe krijoi familje. Megjithëse ka ndërtuar një jetë të re, kujtimet e frikshme të asaj kohe e mbërthejnë herë pas here. Ai thotë se në ato momente e ndihmon një vizitë në varrezën ku prehej 6000 nga 8000 viktimat e masakrës së Srebrenicës. Në 20-vjetorin e masakrës, varrezës i shtohen eshtrat e 136 viktimave të identifikuara kohët e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...