Luiziana: vazhdojnë përpjeket e rimëkëmbjes nga përmbytjet

Bota

Luiziana: vazhdojnë përpjeket e rimëkëmbjes nga përmbytjet

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 17:37
ilustrim

Në shtetin e Luizianës po ndërmerren përpjekje masive për rimëkëmbje pas përmbytjeve. Banorët e prekur kanë filluar pastrimin dhe rindërtimin e shtëpive të tyre. Ndërkohë autoritetet vazhdojnë kërkimet për njerëz të cilët mund të jenë bllokuar nga përmbytjet e mëdha.

Përmbytjet, të cilat Kryqi i Kuq Amerikan i cilëson si “katastrofa më e madhe natyrore që ka goditur Shtetet e Bashkuara që nga super stuhia Sandy”, u kanë marrë jetën të paktën 13 personave dhe kanë dëmtuar rreth 60 mijë shtëpi. Më shumë se 100 mijë njerëz janë regjistruar për ndihmë federale.

“Është shkatërrim total. Këto shtëpi janë në zonat ku nuk janë përmbytur më parë, por kësaj rradhe u prekën dhe ato. Shtëpitë të cilat kanë më shumë gjasa të përmbyten nuk patën dëme. Pra, u prekën njerëzit që nuk janë mësuar me këto lloj fatkeqësish natyrore, që nuk kanë qenë të përgatitur, dhe erdhi e papritur për të gjithë” thotë Stacey Rand, me departamentin e zjarrfikësve për shtetin e Luizianës.

Ndërsa vazhdojnë përpjekjet e rimëkëmbjes, po ashtu vazhdojnë edhe vlerësimet e dëmeve. Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave thotë se deri tani ka dhënë rreth 34 milionë dollarë në ndihma.

Presidenti Barack Obama do të vizitojë kryeqytetin e Luizianës, Baton Ruzh, të martën. Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti dëshiron të shohë sa më parë ndikimin e përmbytjeve, por do që të jetë i sigurtë se prania e tij nuk do të pengojë përpjekjet e rimëkëmbjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat