Barack Obama sulmon Rusinë në asamblenë e OKB

Bota

Barack Obama sulmon Rusinë në asamblenë e OKB

Më: 20 shtator 2016 Në ora: 20:35
Në fjalimin e fundit si presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Barak Obama ka sulmuar Rusinë. Ai ka thënë se Moska po përpiqet që të rifitojë madhështinë nëpërmjet forcës. Ndërsa ka folur edhe për shumë çështje të tjera.

“Në 8 vite kemi arritur progrese të mëdha. Këto arritje nuk do të bëheshin të mundura nëse nuk do të punonim sëbashku”. Këtë e ka thënë Barak Obama duke iu drejtuar Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.”Jam përpara jush për herë të fundit”, kështu e hapi fjalimin presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa nuk ngurroi të sulmonte rivalin e tij ndërkombëtar, Vladimir Putin. “Rusia po përpiqet të rifitojë madhështinë e humbur përmes forcës”, u shpreh Obama. “Diplomacia është çelësi i vetëm për të ndaluar dhunën”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë duke treguar shembullin e Izraelit. “Nuk mund të konfirmosh lidershipin tënd duke kërcënuar të tjerët. Izraeli e di që nuk mund të zotërojë në mënyrë të përhershme tokën palestineze”, theksoi Obama.
Gjatë përllogaritjeve të progreseve të arritur në vitet si president, Obama rikujton krizën financiare ku tha se është evituar katastrofa. “Bota sot gjendet përpara një zgjedhje: të shkojë përpara ose të kthehet mbrapsht. Por ne duhet të ecim përpara”, nënvizoi presidenti amerikan duke theksuar nevojën për të forcuar besimin në popull. “Është më e vështirë të qeverisësh nëse njerëzit kanë humbur besimin. Duhet të korrigjojmë globalizmin dhe ti themi jo nacionalistëve dhe populistëve”, është apeli i drejtëpërdrejtë i lëshuar nga Obama. “Një vend i rrethuar nga mure, do fuste vetveten në burg. Ekonomitë punojnë më mirë në qoftë se zvogëlojmë hendekun mes pagave, ndërmjet të pasurve dhe të varfërve”, u shpreh kreu i Shtëpisë së Bardhë. Sipas tij “Objekivi nuk është që të ndëshkohen të pasurit por barazia e shoqërisë dhe parandalimi i krizave të reja”. 
“Jo personave të fortë dhe modeleve të shoqërisë që drejtohen nga lart. Demokracia mbetet rruga e vetme për të ndjekur. Duhet të refuzojmë çdo lloj forme racizmi, fondamentaliste dhe ide superioriteti racor”. Duhet të përqafojmë tolerancën dhe respektin për të gjithë qëniet njerzore të të gjithë kulturave”, nënvizoi presidenti amerikan përpara shumë liderëve botërorë. 
“Duhet të bëjmë më shumë për të ndihmuar refugjatët”. Është apeli i bërë nga Barak Obama gjatë fjalimit të tij. Ndërsa Korenë e Veriut ai e cilësoi se një tokë të vetmuar. “Është një kontrast i fortë mes suksesit të Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut, që tregon se ekonomia e kontrolluar nga shteti është një rrugë pa dalje”, theksoi presidenti Amerikan. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat