“Mburoja e Eufratit”, vritet “guvernatori” i rajonit Al Bab

Bota

“Mburoja e Eufratit”, vritet “guvernatori” i rajonit Al Bab

Më: 5 shkurt 2017 Në ora: 13:48
ilustrim

 Së paku 33 pjesëtarë të organizatës terroriste DEASH janë vrarë gjatë ofensivës “Mburoja e Eufratit” të cilën forcat e opozitës siriane me mbështetje të forcave ushtarake turke e kryejnë në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, gjatë ofensivës është vazhduar me zbulimin dhe shkatërrimin e bastioneve të DEASH-it përgjatë vijës kufitare veriore të Sirisë. Forcat turke kanë qëlluar dhe shkatërruar gjithsej 259 objektiva terroriste.

Forcat ajrore turke gjatë ditëve të fundit shkatërruan 39 bastione të DEASH-it, në mesin e të cilave janë 32 ndërtesa, tre shtabe terroriste, dy automjete ushtarake, një depo armësh dhe një tunel të cilin terroristët e shfrytëzonin në rajonin Bzagah në Al- Bab.

Me mbështetje të forcave turke, pjesëtarët e grupeve opozitare siriane momentalisht zhvillojnë betejë për çlirimin e qytetit Al-Bab që është nën kontroll të terroristëve të DEASH-it. Paralelisht me këtë, Shtatmadhoria e Ushtrisë së Turqisë njoftoi se gjatë sulmeve të cilat forcat turke i kryen në kuadër të “Mburojës së Eufratit” në Al-Bab është vrarë terroristi të cilin kjo organizatë terroriste e proklamon si “guvernator” të rajonit.

Terroristi i rangut të lartë të DEASH-it Abu Khalid Urduni është vrarë së bashku me 31 terroristë gjatë sulmeve ajrore të cilat avionët turq i kryen të premten.

Informacioni për vrasjen e Urduni-t është konfirmuar edhe nga mesazhi i “guvernatorit” të DEASH-it në rajonin Rakka i cili uroi “guvernatorin” e posaemëruar të Al-Babit dhe shprehu ngushëllime për shkak të vdekjes së Urduni-t.

“Ju këshilloj që të kontrolloni njerëzit në radhët tuaja dhe t’i ndëshkoni tradhtarët. Ata janë arsyeja për shkak të cilës po pësojmë humbje gjatë javëve të kaluara”, thuhet në porosinë e interceptuar. 
Ofensiva “Mburoja e Eufratit” filloi më 24 gusht të vitit 2016 në veri të Sirisë për të neutralizuar kërcënimin terrorist me theks mbi DEASH-in dhe me qëllim të përforcimit të sigurisë në vijën kufitare sirano-turke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat