Njofton Presidenca turke - Trump takohet me Erdogan para samitit të NATO-s në maj

Bota

Njofton Presidenca turke - Trump takohet me Erdogan para samitit të NATO-s në maj

Më: 23 shkurt 2017 Në ora: 00:56
Trump dhe Erdogan

Turqia thotë se Presidenti Rexhep Taip Erdogan do të takohet me homologun e tij amerikan Donald Trump. Sipas zëdhënësit të Erdogan, takimi me shumë gjasë do të ndodhë para samitit të NATO-s në muajin maj dhe në qendër të tij do të jetë konflikti sirian dhe çështje të rendësishme të marrëdhënies mes dy vendeve.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump do të takohet me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan dhe kjo ka gjasë të ndodhë para samitit të NATO-s që mbahet në maj.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Erdogan, Ibrahim Kalin, gjatë një konference për mediat në Ankara.

“Presidenti ynë do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të NATO-s gjatë majit. Do të ketë një takim mes Trump dhe Erdogan. Por, përgatitjet janë duke u zhvilluar për të organizuar një takim përpara Samitit”.

Ndërkohë, Kalin tha se Turqia do të vazhdojë diskutimin e konfliktit sirian me administratën e SHBA-së, në veçanti, rolin e milicisë kurde siriane në operacionet kundër militantëve.

Kalin komentoi gjithashtu udhëtimin pa viza në zonën Shengen të BE-së për qytetarët e Turqisë, pjesë e një marrëveshje historike mes Turqisë dhe Evropës.

“Ne presim më shumë iniciativë nga Bashkimi Evropian, sa më shpejt që të jetë e mundur. Integrimi në Zonën Shengen është e drejta e popullit turk, e cila është shumë e vonuar. Rezistenca e BE mbi këtë temë është e papranueshme”.

Sipas marrëveshjes se emigrantëve, Ankaraja do të ndalojë rrjedhën e emigrantëve që hyjnë në Europë dhe në këmbim Bashkimi Europian do të përshpejtojë integrimin e saj, përfshirë udhëtimin pa viza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat