Këshilli i Sigurimit mblidhet për sulmin me armë kimike

Bota

Këshilli i Sigurimit mblidhet për sulmin me armë kimike

Më: 5 prill 2017 Në ora: 16:51
Pamje nga sulmi me armë kimike, Siri

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mban një takim urgjent për të diskutuar mbi sulmin me armë kimike të një dite më parë në Siri që vrau 100 persona dhe plagosi 350 të tjerë. Sulmi vazhdon të dënohet në të gjithë botën. Vëzhguesit, diplomatët dhe analistët fajësojnë për ngjarjen forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad si dhe aleatët e tyre rusë.

Rusia ka “mohuar kategorikisht” çdo rol në sulm, duke fajësuar për incidentin avionët sirianë që sulmuan një depo armësh kimike që u përkiste forcave rebele.

“Forcat e ajrore siriane kryen një sulm në një depo të madhe municioni që u përkiste terroristëve si dhe në një përqendrim të pajisjeve të rënda ushtarake në periferinë lindore të qytetit të Khan Sheikhounit. Aty kishte punishte që prodhonin armë kimike. Terroristët transportonin armë kimike nga ky arsenal i madh për në territorin e Irakut”. thotë gjeneral majori Igor Konashevkov, zëdhënës i ministrisë ruse të mbrojtjes.

Qeveria siriane ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë përdorur armë kimike kundër civilëve gjatë luftës gjashtë vjeçare.

Sot nga Vatikani Papa Françesku kritikoi atë që e cilësoi si “një masakër e papranueshme”.

Në një deklaratë të lëshuar të martën presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump denoncoi sulmin si një akt “të dënueshëm dhe që nuk mund të injorohet nga bota e qytetëruar”,

Në fillim të një takimi të madh ndërkombëtar në Bruksel për të ardhmen e Sirisë, ministri i jashtëm britanik Boris Johnson tha se “të gjitha dëshmitë” që ai ka parë të shtyjnë të besosh se sulmet janë kryer nga regjimi i Assad-it. Ai tha se është e pamundur të imagjinohet se regjimi ka ndonjë autoritet legjitim në vendin e shkatërruar nga lufta.

Koalicioni Kombëtar Opozitar sirian e përshkroi sulmin si një “masakër të tmerrshme”, që besohet gjerësisht të jetë shkelja më e madhe e së drejtës ndërkombëtare në Siri që prej vitit 2013. Aso kohe një hetim i Kombeve të Bashkuara doli në përfundimin se qindra civilë u vranë me gaz sarin në afërsi të Damaskut.

Ndërkohë vëzhguesit e një organizate siriane për të drejtat e njeriut thanë se të paktën 25 persona të tjerë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, u vranë të martën si pasojë e sulmeve ajrore në disa qytete në lindje të Damaskut. /voa/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat