Trump bën thirrje për paqe pas takimit me diplomatin rus dhe ukrainas

Bota

Trump bën thirrje për paqe pas takimit me diplomatin rus dhe ukrainas

Më: 12 maj 2017 Në ora: 07:10
Donald Trump dhe Sergei Lavrov

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donld Trump ka postuar në Twitter fotografi nga dy takimet e ndara që ka pasur me diplomatët nga Ukraina dhe Rusia, duke bërë thirrje që dy vendet t’i japin fund konfliktit dhe të “bëjnë paqe”.

“Dje, në të njëjtë ditën, unë kam pasur takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe me ministrin e Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin”, ka shkruar Trump, në përshkrimin e fotografive me dy diplomatët në Zyrën Ovale.

“Le të bëjmë paqe”, ka shkruar Trump.

Këto fotografi konfirmojnë se Trump ka mbajtur një takim të paparalajmëruar në Zyrën Ovale me Klimkin, pas takimit me Lavrov, i cili qëndroi në Uashington, ku u takua fillimisht me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.

Rusia dhe Ukraina kanë qenë në konflikt që prej 2014-ës, kur Rusia në mënyrë të paligjshme aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nisi mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

Agresioni i Rusisë ka nxitur Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të vendosin sanksione ndaj Moskës dhe administrata Trump ka thënë se sanksionet do të mbesin në fuqi, për aq kohë sa Rusia nuk i përmbahet marrëveshjes së paqes, të negociuar më 2015.

Trump në fushatën zgjedhore vazhdimisht ka përsëritur qëndrimin e tij për përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat