Reagime për mundësinë e tërheqjes së SHBA nga Marrëveshja e Klimës

Bota

Reagime për mundësinë e tërheqjes së SHBA nga Marrëveshja e Klimës

Më: 31 maj 2017 Në ora: 22:26
Marrëveshja e Parisit për Ndryshimet Klimatike e vitit 2015

Sipas një sërë mediash amerikane, Presidenti Donald Trump do të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshimet Klimatike e vitit 2015, ç'ka do të përbënte një përmbysje të madhe të politikave të paraardhësit të tij, Barack Obama.

Një vendim i tillë do të kënaqte mbështetësit e tij, por do të shkaktonte pakënaqësi tek aleatët e Shteteve të Bashkuara. Presidenti la të kuptohet sot përmes një postimi në twitter se vendimi nuk është përfundimtar dhe se ai do të bëhet i ditur në ditët e ardhshme.

Por agjencia Associated Press njofton se, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, kushtet që presidenti do të vendosë në njoftimin e tij të tërheqjes, do të lënë të hapur mundësinë që vendimi të mos jetë përfundimtar.

Vendimi pason një letër që 22 ligjvenës republikanë i dërguan zotit Trump ku i bëjnë thirrje për t'u shkëputur hapur nga Marrëveshja e Parisit. Letra argumentonte se qëndrimi në traktat, do t'i bënte Shtetet e Bashkuara objekt procesesh të shumta gjyqësore, që do të komplikonin përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rregullat e epokës së presidentit Obama të njohura si "Plani për Energji të Pastër". Njoftimi për mundësinë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara ka shkatuar shqetësime mes aleatëve evropianë.

Lajmi për tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshimet Klimatike ka shkaktuar reagime të ndryshme në mesin e aleatëve europianë. Në një komunikatë që u bë pas takimit të javës së kaluar të G-7-ës thuhej se kundërshtimi i marrëveshjes nga Shtetet e Bashkuara nuk ka lejuar arritjen e një konsensus për traktatin, e nënshkruar nga 195 vende të botës.

Në komunikatë shkruhej se “duke kuptuar këtë proces, krerët e shteteve dhe të qeverive të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Britanisë dhe presidentët e Këshillit Europian dhe të Komisionit Europian, ritheksojnë përkushtimin e tyre për zbatimin me shpejtësi të marrëveshjes.”

Ambasadori i Francës në Shtetet e Bashkuara, Gerard Araud, reagoi të mërkurën, duke thënë përmes twitterit, se “Korporatat më të mëdha amerikane kanë shprehur mbështetje për marrëveshjen e Parisit.”

Nina Hachigian, ish ambasadore e SHBA në ASEAN (Shoqata e vendeve të Azisë Juglindore), tha se tërheqja nga marrëveshja “do të ishte një fatkeqësi e plotë si nga pikëpamja e mjedisit, edhe ajo e politikës së jashtme”.

Marrëveshja synon ngadalësimin e ngrohjes globale, përmes pakësimit të çlirimit të dyoksidit të karbonit nga djegia e fosileve dhe pakësimin e pasojave të tjera negative që sjellin ndryshime tklimatike, si rritja e nivelit të deteve, thatësira dhe forma të motit ekstrem.

Presidenti Trump nuk pranoi ta nënshkruajë marrëveshjen gjatë takimit të G-7ës javën e kaluar me udhëheqës botërorë. Më parë ai ka thënë se ndryshimet klimatike janë një mashtrim i kinezëve.

Në se Trump e vë në zbatim vendimin e tij për tërheqjen nga marrëveshja, Shtetet e Bashkuara do të jenë në një linjë me vende si Siria dhe Nikaragua, që nuk e kanë nënshkruar atë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat