Shtëpia e Bardhë: Trump e ka pasur edhe një bisedë të shkurtër me Putinin

Bota

Shtëpia e Bardhë: Trump e ka pasur edhe një bisedë të shkurtër me Putinin

Më: 19 korrik 2017 Në ora: 07:38
Pamje nga takimi Trump - Putin më 7 korrik në samitin G20 në Gjermani

(E plotësuar) - Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e kanë mbajtur edhe bisedën e dytë, të cilën nuk e kanë zbuluar më parë, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, në fillim të këtij muaji në Gjermani, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë.

Të dy zyrtarët e lartë e kanë mbajtur një takim bilateral, që ka zgjatur më tepër se dy orë, më 7 korrik, ndërsa një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump dhe Putin, po ashtu, kishin “një bisedë të shkurtër” gjatë darkës së liderëve botërorë në samit, nikoqire e së cilës ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në pamjet televizive të darkës shihet se Melania Trump, bashkëshorte e presidentit, Donald Trump, ishte ulur afër Putinit.

Presidenti Trump, pastaj, në fund të darkës shkoi tek ata dhe u afrua te Putini, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke theksuar se biseda nuk konsiderohet se ishte takimi i dytë bilateral.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Michael Anton, nuk e ka specifikuar zgjatjen e bisedës. Por, ai tha se diskutimi ishte i rastësishëm dhe nuk mund të karakterizohet si “takim”.

“Bisedimi gjatë ëmbëlsirës nuk duhet të karakterizohet si takim”, tha Michael Anton.

Një zyrtar tjetër i Shtëpisë së Bardhë është shprehur se “nuk ka ekzistuar takim i dytë ndërmjet presidentit Trump dhe presidentit Putin, por vetëm një bisedë e shkurtër në fund të darkës”.

“Insinuata se Shtëpia e Bardhë është përpjekur ta fshehë takimin e dytë është false, qëllimkeqe dhe absurde”, tha ky zyrtar.

Në një postim të mbrëmshëm në rrjetin Twitter, presidenti Trump ka shkruar: “Tregimi i lajmit të rrejshëm të darkës sekrete me Putinin është i sëmurë. Të gjithë liderët e G20-tës, dhe bashkëshortet, ishin ftuar nga kancelarja gjermane. Shtypi e ka ditur!”

“Lajmi i rrejshëm po bëhet gjithnjë e më tepër i pandershëm! Bile edhe darka e aranzhuar për liderët e lartë të G20-tës në Gjermani është bërë që të duket djallëzore”, ka shkruar Trump në rrjetin Twitter.

Ian Bremmer, presidenti i grupit konsultues të rrezikut politik, Eurasia Group, i cili kishte biseduar me dy njerëz që kanë marrë pjesë në këtë darkë, situatën e ka paraqitur më ndryshe se Shtëpia e Bardhë.

Ai tha se Trump ishte ngritur nga karrigia e tij diku në mes të darkës dhe e kishte kaluar afro një orë duke biseduar “privatisht dhe në mënyrë të gjallë” me Putinin, ku ishte “vetëm edhe përkthyesi i Putinit”.

Mungesa e përkthyesit amerikan ka shkaktuar befasi në mesin e liderëve të tjerë në samit, tha Bremmer, i cili këtë e cilësoi si “shkelje të protokollit të sigurisë kombëtare”.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se në këtë takim rolin e përkthyesit e kishte një person rus, pasi përkthyesi amerikan në këtë darkë nuk fliste rusisht. Presidenti Trump ishte ulur afër bashkëshortes së kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe. Përkthyesi i tij kishte folur japonisht.

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara ka pranuar se personat e tjerë në samit ishin të befasuar ta shihnin Trumpin të angazhuar me Putinin, ndërsa askush tjetër nuk ishte i pranishëm.

“Askush nuk është i sigurt se për çka kishin biseduar ata dhe se a ishte kjo bisedë e pastër shoqërore ose i ka prekur çështjet bilaterale ose ato ndërkombëtare”, tha ky zyrtar.

Zoti Trump është nën shqyrtim intensiv për shkak të dyshimeve se ekipi i fushatës së tij ndoshta ka bashkëpunuar me përpjekjet ruse për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane në vitin 2016.

Zoti Trump e ka hedhur poshtë çfarëdo bashkëpunimi me rusët.

SHBA: Trump e ka pasur edhe takimin e dytë me Putinin

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e kanë mbajtur edhe takimin e dytë, të cilin nuk e kanë zbuluar më parë, gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, në fillim të këtij muaji në Gjermani, ka njoftuar mbrëmë Shtëpia e Bardhë.

Të dy zyrtarët e lartë e kanë mbajtur një takim bilateral, që ka zgjatur më tepër se dy orë, më 7 korrik, ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump dhe Putin, po ashtu, kishin “një bisedë të shkurtër” gjatë darkës së liderëve botërorë në samit.

Në pamjet televizive të darkës shihet se Melania Trump, bashkëshorte e presidentit, Donald Trump, ishte ulur afër Putinit.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se në këtë takim rolin e përkthyesit e kishte një person rus, pasi përkthyesi amerikan në këtë darkë nuk fliste rusisht.

Zoti Trump është nën shqyrtim intensiv për shkak të dyshimeve se ekipi i fushatës së tij ndoshta ka bashkëpunuar me përpjekjet ruse për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane në vitin 2016.

Zoti Trump e ka hedhur poshtë çfarëdo bashkëpunimi me rusët./REL.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat