Venezuelë: Asambleja kushtetuese mblidhet për herë të parë

Bota

Venezuelë: Asambleja kushtetuese mblidhet për herë të parë

Më: 4 gusht 2017 Në ora: 17:08
ilustrim

Në Venezuelë, Asambleja Kombëtare e sapozgjedhur mban të premtem takimin e parë në Karakas, pavarësisht kritikave ndërkombëtare dhe protestave të opozitës.

Mbledhja e 545 delegatëve të zgjedhur për të rishkruar kushtetutën po krijon terrenin e një konfrontimi të mundshëm mes presidentit Nikolas Maduro dhe opozitës, që pretendon se zgjedhja e tyre nuk ishte e drejtë.

Të enjeten zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin Asamblenë Kombëtare Kushtetuese. Ajo shtoi se procesit zgjedhor i mungoi vëzhgimi i besueshëm ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Asamblenë "produktin e paligjshëm të një procesi me probleme, të organizuar nga diktatura e presidentit Maduro, për të shtuar sulmet mbi demokracinë", tha ajo.

Udhëheqësit e opozitës po bëjnë thirrje për një protestë masive të premten brenda mjediseve të Asamblesë Kombëtare.

"E vetmja mënyrë që ata të na nxjerrin prej këtu, është duke na vrarë", tha zëdhënësi i opozitës Freddy Guevara. "Ata kurrë nuk do të kenë vendin që ne na e ka dhënë populli i Venezuelës", tha ai.

Ndërkohë, autoritetet venezueliane liruan nga burgu kreun e opozitës Antonio Ledezma, duke e lënë sërisht në arrest shtëpie. Lajmi u njoftua nga gruaja e tij sot në Twitter. Antonio Ledezma dhe udhëheqësi tjetër opozitar, Leopoldo Lopez, u arrestuan ditën e martë, nën akuzën e nxitjes së protestave./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat