Irani mbështet “luftën” e Hamasit për mbrojtjen e Jerusalemit - Bota Sot
Irani mbështet “luftën” e Hamasit për mbrojtjen e Jerusalemit

Bota

E martë, 16 tetor 2018

Irani mbështet “luftën” e Hamasit për mbrojtjen e Jerusalemit

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 10:49
Nga protestat në Rripin e Gazës...

Garda Revolucionare Islamike ofroi “mbështetjen e plotë” të Iranit për militantët palestinezë, në fushatën e tyre të rezistencës kundër vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

Komandanti Qassem Soleimani, i cili mbikëqyr degën e operacioneve të jashtme të Gardës, u bëri ofertën - në një bisedë telefonike - komandantëve palestinezë të brigadave Xhihadi Islamik dhe Izz Al-Deen, që janë krahët e armatosur të grupit militant islamik, Hamasi. Ky i fundit kontrollon Rripin e Gazës.

Oferta u bë pasi raketat nga Rripi i Gazës qëlluan Izraelin, ndërsa një u pengua nga sistemi i mbrojtjes raketore, tha ushtria izraelite.

Në përgjigje, ushtria e Izraelit tha se ka goditur pozicionet ushtarake të Hamasit me zjarr artilerie.

Shkëmbimi i zjarrit midis Izraelit dhe luftëtarëve të Hamasit, prejse Trump ka shpallur vendimin më 6 dhjetor, ka lënë së paku gjashtë palestinezë të vdekur.

Shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, gjenerali Mohammad Baqeri, tha se “veprimi i pamend” i Trumpit për Jerusalemin mund të shihet si fillim i një kryengritjeje të re palestineze.

Ministri i Mbrojtjes i Iranit, Amir Hatami, tha se ky veprim vetëm se “do të nxisë shkatërrimin e regjimit sionist dhe do të dyfishojë unitetin e myslimanëve”.

Soleimani, i cili ka komanduar forcat iraniane që kanë luftuar në Siri dhe Irak, tha se grupet e rezistencës në rajon janë të përgatitura për të mbrojtur xhaminë Al-Aqsa të Jerusalemit, vendi i tretë më i shenjtë në Islam.

Soleimani është komandant i forcës Kuds të Gardës Revolucionare dhe ka udhëhequr luftën e Iranit kundër grupit ekstremist Shteti Islamik në Irak dhe Siri. Trupat e tij vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të rëndësishme për presidentin sirian, Bashar al-Assad, në luftën e tij kundër rebelëve myslimanë sunitë.

Irani ka kritikuar ashpër vendimin e Trumpit për Jerusalemin dhe ka kërcënuar me pasoja. Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka thënë se qyteti i shenjtë është “më shumë sesa thjesht politikë”.

Vendimi i Trumpit ka shkaktuar protesta të myslimanëve gjithandej në botë, në mbështetje të palestinezëve, të cilët e duan Jerusalemin Lindor kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Trump ka thënë se njeh vetëm “realitetin” e vendimit të Izraelit, vite më parë, për të aneksuar Jerusalemin Lindor dhe për ta shpallur gjithë qytetin si kryeqytet të tij. Ky vendim, megjithatë, nuk është njohur më parë nga Shtetet e Bashkuara dhe vazhdon të refuzohet nga shumica e vendeve të tjera.

Më 11 dhjetor, grupi militant Hezbollahu, aleat i Iranit në Liban, i cili ka bërë luftë me Izraelin në vitin 2006, ka organizuar një protestë në Bejrut, në të cilën dhjetëra-mijëra njerëz kanë thirrur “vdekje Amerikës” dhe “vdekje Izraelit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test