"Rruga e re e mëndafshit" e Kinës kalon edhe nëpër Kaukaz

Bota

"Rruga e re e mëndafshit" e Kinës kalon edhe nëpër Kaukaz

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 11:23
Kinë

Me projektin e madh të Rrugës së Mëndafshtë Kina vazhdon traditat e vjetra. Pas kësaj ndodhen para së gjithash interesa të forta gjeostrategjike. Një rol qendror merr këtu Gjeorgjia.

Kur vjen puna për ekonominë, qeveria kineze mendon dhe vepron shpejt. Edhe në eksport. Shumica e produkteve kineze transportohen për në Evropë me rrugë detare. Por Pekini kërkon alternativa - në rrugë tokësore. Kështu, Presidenti kinez Xi Jinping shpalli katër vjet më parë inisiativën e "rrugës së re të mëndafshtë" (One Belt, One Road, shkurt OBOR).

Këtu bëhet fjalë për korridore të ndryshme transporti të Kinës në drejtim të Perëndimit; për shembull përmes Rusisë dhe Bjellorusisë, ose përgjatë rrugëve të Azisë Qendrore, Azerbaixhanit, Gjeorgjisë dhe Turqisë. Pekini ndjek rrugë të ndryshme. Kështu ai mund të zgjedhë më të përshtatshmen dhe t'ua kundërvërë njëra-tjetrës shtetet përgjatë rrugës së re të mëndafshtë.

Para të mirëpritura në Evropën Qendrore Lindore

Por deri këtu nuk ka arritur puna. Në fillim rëndësi ka të investohet në " rrugën e re të mëndafshtë". Kështu, kryeministri i Kinës Li Keqang premtoi para pak kohësh në një takim me 16 homologë nga Evropa Qendrore Lindore dhe Juglindore se do të investojë në infrastrukturën e tyre. Ai foli për tri miliardë dollarë në vitet e ardhshme. Para, të cilat u duhen urgjentisht këtyre shteteve dhe të cilat ato i pranojnë me dëshirë. Veçanërisht në Ballkan shumë ndihen të harruar nga BE. Marrëdhëniet më të ngushta ekonomike me Kinën vërtet që nuk janë alternativë ndaj BE, por për të ndihmuar ato ndihmojnë.

Në mendimet e Pekinit se cilat korridore transporti do të ndiqen, Gjeorgjia luan një rol kyç. Ajo do të kthehet në një vend me rëndësi qendrore për produktet kineze. Jo vetëm për shkak të gjendjes së saj qendrore gjeografike. Ndërkohë Gjeorgjia është një shtet, i cili sipas Bankës Botërore ofron kushte të mrekullueshme kuadër për investorët e huaj: pak burokraci, institucione funksionuese, jo korrupsion, rritje të vazhdueshme.

Në qershor 2014 Tiflisi nënshkroi një marrëveshje asociimi me BE. Që prej majit të këtij viti ai është i lidhur me Pekinin me një marrëveshje të tregtisë së lirë. Të paktën përballë fqinjëve, Gjeorgjia ka një tipar që e dallon nga të tjerët: marrëveshje të ngushta ekonomike me Perandorinë e Mesit dhe me Bashkimin Evropian.

Porte, shtëpi, gjithçka

Pekini shpenzon miliona për ta lidhur Tiflisin më ngushtë me veten. Grupi Hualing është investori më i madh si grup në Gjeorgji. Në një periferi të kryeqytetit gjeorgjian po lind një zonë e posaçme ekonomike me hotele, qendrën më të madhe tregtare në Kaukaz, një park të kohës së lirë, shtëpi disakatëshe dhe rrugë. Kina ndërton edhe në qytete të tjera të shtetit të Kaukazit.

Në pikëpamje strategjike e rëndësishme është blerja dhe zgjerimi i portit në Poti në Detin e Zi. Këto do të ankorojnë në të ardhmen edhe anije më të mëdha, të cilat kanë nevojë për një port më të thellë. Ambasadori i Kinës foli pak ditë më parë në një konferencë në Tiflis për "gjeopolitikë". Qeveria e tij e fton Gjeorgjinë si të vetmin vend mysafir për t'u prezantuar në panairin e investorëve "China International Fair of Investement and Trade" në Xiamen. Ndërkohë, Kina është për nga rëndësia partnerja e tretë tregtare e Gjeorgjisë.

Si Kina, edhe shtete të tjera angazhohen në këtë rajon. Sipërmarrje gjermane - si Knauf ose Heidelberg Zement - bëjnë biznese të mira dhe punësojnë gjithnjë e më shumë punonjës.

Investime vijnë nga Turqia fqinje, nga Irani dhe madje edhe nga Rusia. Kjo në një kohë kur Moska ia merr për keq qeverisë gjeorgjiane, që është e orientuar drejt Perëndimit, ndihet e "tradhëtuar" nga Gjeorgjia tradicionalisht aleate. Qeveria e Tiflisit i përmbahet kursit të saj perëndimor, por në lidhje me Rusinë tregohet pragmatike. Para së gjithash kur rusët investojnë në Gjeorgji./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat