SHBA e lidh ndihmën për palestinezët me bisedimet e paqes

Bota

SHBA e lidh ndihmën për palestinezët me bisedimet e paqes

Më: 26 janar 2018 Në ora: 19:47
SHBA

Qeveria amerikane thotë se çdo ndihmë e ardhshme për refugjatët palestinezë mund të varet nga gatishmëria e udhëheqësve palestinezë për t’u kthyer në bisedimet e paqes me Izraelin. Palestinezët janë të zemëruar me vendimin e Presidentit Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe kanë hedhur poshtë rolin e Shteteve të Bashkuara si ndërmjetës i paanshëm në bisedime. Por refugjatët që varen nga ndihmat ndërkombëtare shqetësohen se këto acarime mund të ndikojnë tek ushqimet që presin në të ardhshmen.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar kontributin që jep në programet e ndihmave për palestinezët ka shkaktuar ankth në kampet e refugjatëve që varen nga kjo ndihmë. Refugjatët në Rripin e Gazës, të izoluar nga jashtë, thonë se po përballen me urinë.

"Si do të jetojmë kur do të na i ndërpresin ndihmat? Lutem të na ndihmojë Zoti nëse ata e bëjnë një gjë të tillë. Nuk kemi shtëpi ose një jetesë normale. Si do t'i ushqejmë fëmijët pa ndihmat e Agjencisë së OKB-së? A është jetë kjo? Vdekja është më e mirë. Na ndihmoftë Zoti", thotë Salwa Abu Nimer, refugjate në Rripin e Gazës.

Më shumë se 5 milionë refugjatë palestinezë varen nga programet e ndihmave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Njoftimi i Presidentit Trump të enjten se Shtetet e Bashkuara mund të ndërpresin kontributin për programet e ndihmave humanitare nëse palestinezët refuzojnë të negociojnë me Izraelin ka shkaktuar panik. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se administrata dëshiron të provojë një qasje të re për bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme.

"Për dekada të tëra nuk kemi parë sukses në përpjekjet për paqe nëLindjen se Mesme. Duam t’i sjellim të dyja palët në tryezën e negociatave për të biseduar për këtë dhe jemi optimistë se do të kemi përparim në të ardhmen", tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Muajin e kaluar Presidenti Trump revoltoi palestinezët duke njoftuar se Shtetet e Bashkuara e njohin Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Të enjten në Zvicër, i ulur pranë kryeministrit izraelit, Presidenti Trump tha se ai e kishte eliminuar Jeruzalemin si temë në negociata, sepse statusi i tij ishte pengesa kryesore për bisedimet.

"Mendoj se e dini këtë më mirë se kushdo, asnjëherë nuk kemi qenë pranë një marrëveshjeje për shkak të Jeruzalemit, kjo çështje ishte e pakapërcyeshme", tha Presidenti Trump në praninë e Kryeministrit izraelit Benjamin Natanjahu.

Një zyrtar i lartë palestinez në Bregun Perëndimor tha se nuk mund të ketë shtet palestinez pa Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të tij.

"Nëse Presidenti Trump këmbëngul se Jeruzalemi nuk do të jetë pjesë bisedimeve, kjo mund të interpretohet vetëm në një mënyrë: paqja nuk do të jetë pjesë e bisedimeve, palestinezët dhe izraelitët do të futen më thellë në ciklin e dhunës dhe kundër-dhunës", thotë zyrtari i lartë palestinez Saeb Erekat.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley mbrojti qëndrimin e Shteteve të Bashkuara në një takim të Këshillit të Sigurimit të enjten.

"Ne nuk kemi bërë asgjë për të paragjykuar kufijtë përfundimtarë të Jeruzalemit. Nuk kemi bërë asgjë për të ndryshuar statusin e vendeve të shenjta. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mundësisë për një zgjidhje me dy shtete, në qoftë se palët bien dakord për këtë. Ashtu si në rastin e Egjiptit, paqja kërkon kompromis, kërkon zgjidhje që marrin parasysh interesat thelbësore të të gjitha palëve; pikërisht këtu janë përqëndruar Shtetet e Bashkuara në konfliktin izraelito-palestinez", tha Ambasadorja Haley.

Administrata e Presidentit Trump ka thënë se do të ofrojë planin e saj për paqe në Lindjen e Mesme më vonë këtë vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat