Duterte fton Hagën “ta pushkatojë” në vend të burgosjes

Bota

Duterte fton Hagën “ta pushkatojë” në vend të burgosjes

Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 19:42
Rodrigo Duterte

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte duket se ka “mirëpritur” hetimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) me seli në Hagë, mbi dyshimet për krime kundër njerëzimit, por ka thënë se do të preferonte më mirë të shihte përballë një skuadër pushkatimi, sesa të burgosej.

Gjithsesi, udhëheqësi “i zjarrit” i njohur për mosbindjen përpara presionit ndërkombëtar, vuri në dyshim nëse Gjykata e Hagës ka juridiksionin e duhur për ta paditur atë për vdekjet e mijëra qytetarëve filipinas, në luftën që ka shpallur kundër trafikantëve të drogës.

Ai mohon të ketë dhënë ndonjëherë urdhër policisë për të vrarë të dyshuarit narkotrafikantë.

Prokurori i Hagës, Fatou Bensouda tha të enjten se një hetim paraprak mbi fushatën e Dutertes synon të vendosë nëse kjo gjykatë e ka juridiksionin e duhur për ndjekjen penale ndaj tij, nëse vërtet ka pasur krime kundër njerëzimit.

“Do të kërkoja vetëm një privilegj, shumë të rrallë, atë të bisedimit me ty. Vetëm për vetëm në një dhomë”, tha Duterte gjatë një konference për shtyp, duke iu referuar këtu prokurorit Bensouda.

“Ju mirëpres. Nëse do të më gjeni fajtor, atëherë vazhdoni. Le të plotësohet dëshira juaj. Gjeni një vend ku drejtuesit vrasin njerëzit me skuadra pushkatimi dhe jam gati. Nëse doni të më zvarrisni në gjyqe pa fund, s’ka nevojë. Vazhdoni dhe procedoni me hetimin tuaj. Më gjeni fajtor, sigurisht që mund ta bëni këtë”, vijon më tej Duterte, shkruan tch.

Rreth 4.000 filipinas të varfër, shumica nga zonat urbane, janë vrarë nga policia nën fushatën e egër të Dutertes që alarmoi komunitetin ndërkombëtar. Aktivistët besojnë se numri i të vrarëve është shumë herë më i lartë dhe akuzojnë policinë për fshehje sistematike të vrasjeve, por policia dhe qeveria i mohon këto.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat