Vizita e ministrit verikorean në Suedi nxit spekulimet për përgatitje të samitit SHBA-Kore Veriore

Bota

Vizita e ministrit verikorean në Suedi nxit spekulimet për përgatitje të samitit SHBA-Kore Veriore

Më: 16 mars 2018 Në ora: 10:24
Ministri i Jashtëm verikorean, Ri Yong-ho, foto nga arkivi

Ministri i Jashtëm verikorean, Ri Yong-ho, ka arritur në Suedi në një vizitë të papritur, pak kohë para takimit eventual në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderin verikorean, Kim Jong Un, transmeton BBC.

Phenjani ka njoftuar se vizita e Ri Yong-ho, ka për qëllim, “marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet që i shqetësojnë dy vendet”.

Suedia ka një histori të gjatë të ndërmjetësimit në mes të Uashingtonit dhe Phenjanit.

Andaj kjo vizitë ka nxitur spekulimet se mund të ketë qëllim përgatitjen e samitit SHBA-Kore Veriore.

Javën e kaluar, presidenti Trump ka pranuar ftesën për takim të drejtpërdrejt me liderin verikorean, Kim Jong-un.

Të dy udhëheqësit kanë shkëmbyer kërcënime ndaj njëri-tjetrit për muaj të tërë.

Ende nuk ka pasur asnjë deklaratë nga Koreja Veriore prej kohës kur është dërguar ftesa për takim nga zyrtarët e Koresë së Jugut në Uashington.

Kryeministri suedez, Stefan Lofven i ka thënë agjencisë së lajmeve suedeze, TT, se “nëse të dy palët dëshirojnë që Suedia të ketë rol, atëherë ne jemi gati për ta bërë një gjë të tillë”.

“Ne jemi shtet që nuk jemi të angazhuar ushtarakisht dhe kemi prezencë të gjatë në Korenë Veriore, andaj me besimin që ne gëzojmë mendojmë se mund të kemi rol. Mirëpo do të jenë palët kryesore ato që vendosin këtë herë për rolin e Suedisë”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat