Irani kritikon SHBA-në për sanksionet lidhur me krimet kibernetike

Bota

Irani kritikon SHBA-në për sanksionet lidhur me krimet kibernetike

Më: 24 mars 2018 Në ora: 12:18
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, i, foto nga arkivi

Irani ka kritikuar sot sanksionet e reja amerikane kundër 10 qytetarëve iranianë dhe një kompanie të po këtij shteti, pas supozimeve se ata janë të përfshirë në një skemë të gjerë të krimeve kibernetike dhe vjedhjes së pronës intelektuale, e cila duket të jetë sponsoruar nga shteti.

Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar për akuzat kundër nëntë iranianëve së bashku me sanksionet kundër 10 individëve dhe Institutit Mabna.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Ghasemi, i ka cilësuar akuzat, “të rreme”.

“Iranin dënon masat provokative, joligjore dhe të pajustifikuara të Shteteve të Bashkuara, të cilat përbëjnë elemente të reja dhe armiqësisë së liderëve amerikanë kundër popullit iranian”, ka thënë Ghasemi përmes një deklarate në faqen zyrtare të ministrisë.

“Ata nuk do të parandalojnë zhvillimin shkencor të popullit iranian”.

Dy themeluesit e Institutit Mabna, janë në mesin e nëntë personave të paditur në Nju Jork, asetet e të cilëve kanë qenë subjekt i konfiskimit amerikan.

Departamenti i Thesarit ka thënë se nga viti 2013, Instituti Mabna ka kryer ndërhyrje kibernetike në sistemet kompjuterike në 144 universitete amerikane dhe 176 universitete tjera në 21 shtete tjera.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pasur qëndrim të ashpër kundër Iranit, prej kur ka fituar mandatin e presidentit në janar të vitit 2017.

Ai vazhdimisht ka kundërshtuar marrëveshjen që Teherani ka me fuqitë botërore, e cila parasheh frenimin e programit bërthamor të Iranit.

Trump ka thënë në muajin janar, se marrëveshja e vitit 2015 duhet patjetër të “rregullohet” deri më 12 maj, në të kundërtën Uashingtoni do të largohet nga e njëjta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat