Liderët e Kinës dhe Indisë synojnë marrëdhënie më të mira mes dy vendeve

Bota

Liderët e Kinës dhe Indisë synojnë marrëdhënie më të mira mes dy vendeve

Më: 28 prill 2018 Në ora: 14:57
Presidenti kinez, Xi Jinping (djathtas) dhe kryeministri indian, Narendra Modi, foto nga arkivi.

Liderët e Kinës dhe Indisë janë pajtuar për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, pas mbajtjes së një samiti jozyrtar të shtunën.

Kryeministri indian, Narendra Modi ka kaluar 24 orë në qytetin kinez, Wuhan për t’u takuar me presidentin kinez, Xi Jinping.

Kjo ngjarje është cilësuar si thyerje e akullit mes liderëve të të dy vendeve.

I konsideruar më shumë si takim jozyrtar dhe jo samit, të dy udhëheqësit kanë mbajtur takime që kanë zgjatur më shumë se që është pritur.

“Presidenti Xi ka theksuar se mosmarrëveshjet në mes të Kinës dhe Indisë janë të kufizuara dhe të përkohshme, mirëpo marrëdhëniet në mes të dy shteteve janë afatgjata”, ka thënë për gazetarët zëvendësministri i Jashtëm kinez, Kong Xuanyou.

India ka sinjalizuar së fundmi kundërshtimin e saj ndaj planit të madh të Kinës në tregti dhe transport, sepse një nga degët e saj kalon përmes Kashmirit të administruar nga Pakistani për të cilën India ka pretendime.

Ministria e Jashtme e Kinës ka cituar presidentin kinez t’i ketë thënë Modit se kombet e tyre kanë shumë ndikim në ekonominë botërore andaj një marrëdhënie e mirë do të ishte pozitive për stabilitet në botë.

Sekretari i Jashtëm indian, Vijay Gokhale ka thënë se të dy liderët janë pajtuar për t’u përballur në mënyrë paqësore me dallimet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat