Jeruzalem, gjithçka gati për Ambasadën e SHBA

Bota

Jeruzalem, gjithçka gati për Ambasadën e SHBA

Më: 7 maj 2018 Në ora: 16:36
Tabela rrugore që drejtojnë shoferët drejt Ambasadës së ardhshme të Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem

Tabela rrugore që drejtojnë shoferët drejt Ambasadës së ardhshme të Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem janë vendosur të hënën, një javë para hapjes së saj, që koinçidon me përvjetorin e 70 të themelimit të Izraelit.

Presidenti Donald Trump premtoi dhjetorin e kaluar se do ta zhvendoste Ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, duke përmbysur kështu 7 dekada politikë amerikane. Ambasada pritet të hapet në vendin ku ndodhet aktualisht Konsullata amerikane në Jeruzalem, në lagjen “Arona”.

Kryebashkiaku i Jeruzalemit, Nir Barkat, në një postim në “Twitter” të hënën, shkruante se ai kishte ndihmuar personalisht në vendosjen e tabelave, që janë shkruar në gjuhën angeze, hebraisht dhe arabisht.

“Kjo nuk është një ëndërr, është një realitet”, shkruante më tej ai. “Jeruzalemi është kryeqyteti i përjetshëm i hebrenjve dhe bota po fillon ta pranojë këtë fakt”, tha ai, para se të falenderonte Trumpin për lëvizjen.

Vendimi i dhjetorit të shkuar për të zhvendosur Ambasadën amerikane u kritikua nga shumë udhëheqës botërorë, mes të cilëve Britania e Madhe, Arabia Saudite, Franca, etj..

Komuniteti ndërkombëtar e dënoi gjerësisht vendimin, e madje edhe Shqipëria votoi kundër Trumpit në OKB, por jo të gjitha vendet janë në një mendje. Guatemala ka thënë se do ta zhvendosë Ambasadën e saj në Jeruzalem më 16 maj, dy ditë pas SHBA-ve. Republika Çeke dhe Rumania po ashtu kanë thyer unitetin europian, duke sinjalizuar se edhe ato synojnë t’i zhvendosin ambasadat e tyre shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat