Tërheqja e SHBA-së nga pakti, Irani: Do të vazhdojmë aktivitetin bërthamor

Bota

Tërheqja e SHBA-së nga pakti, Irani: Do të vazhdojmë aktivitetin bërthamor

Më: 9 maj 2018 Në ora: 08:29
Hasan Rouhani

Vendimit të Donald Trumpit për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Republika Islamike iu përgjigj me paralajmërimin e një ekspansioni bërthamor.

Irani, tha Presidenti i tij Hasan Rouhani, mund të rinisë pasurimin e uraniumit me qëllim mbrojtjen e interesave të veta kombëtare. Përpara se të hidhet ky hap megjithatë, do të pritet dhe rezultati i negociatave me partnerët europianë në këtë marrëveshje si dhe Kinën e Rusinë. Për Izraelin, që i shtoi argumentet shefit të Shtëpisë së Bardhë në rrëzimin e paktit me publikimin e disa dokumenteve që tregonin se Irani e kishte vazhduar fshehurazi aktivitetin atomik, kjo lëvizje ishte një përgjigjje e pozicionit të tij.

Liderët europianë nxituan të rikonfirmonin angazhimin e tyre të palëkundur ndaj ujdisë, por nuk dihet sa do të jetë e mjaftueshme kjo për Teheranin, i cili e pat deklaruar që përpara se në rast tërheqjeje të Amerikës, edhe ai vetë nuk do t’i qëndronte më paktit.

Njoftimin e bujshëm të largimit nga marrëveshja, Trump e shoqëroi me pretendimet se në këtë mënyrë po e bën botën më të sigurtë. “Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kërcënime boshe”, tha Presidenti në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë. Për kreun e administratës amerikane, marrëveshja e vitit 2015, e cila përfshin Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, ishte “tmerrësisht e keqe dhe e njëanshme, e nuk duhet të ishte bërë kurrë”. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vendosin nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike.

Kjo lëvizje përbën një goditje të fortë ndaj aleatëve të SHBA-së, por mund të thellojë nga ana tjetër edhe izolimin e vetë Trumpit në skenën botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat