Tarifat amerikane, Gjermania: I përgjigjemi sloganit “Amerika e para” me “Europa e bashkuar”

Bota

Tarifat amerikane, Gjermania: I përgjigjemi sloganit “Amerika e para” me “Europa e bashkuar”

Më: 31 maj 2018 Në ora: 20:17
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara kalojnë nga fjalët (disi kërcënuese) te veprat. Nga mesnata e sotme do të hyjnë në fuqi tarifat mbi importet e çelikut dhe aluminit prej aleatëve të Bashkimit Europian dhe Amerikës së Veriut.

Amerika ka vendosur një taksë 25% për çelikun dhe 10% për aluminin, për importet që vijnë nga BE-ja, Meksika dhe Kanadaja.

Lëvizja e fundit e Donald Trump ka shkaktuar irritim masiv mes aleatëve, të cilët janë zotuar gjithashtu se do të hakmerren, teksa i kanë quajtur këto tarifa “thjesht dhe pastër, proteksioniste”.

Britania e Madhe ishte e para që reagoi, duke shprehur “zhgënjim të thellë” nga vendimi i Amerikës, që erdhi pas disa javë negociatash.

Ndërkohë, Komisionerja europiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom tha se, kjo e sotmja ishte një “ditë e keqe për tregtinë globale”, ndërsa presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e konsideroi lëvizjen “tërësisht të papranueshme”.

BE-së nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër, veçse ta dërgojë çështjen në Organizatën Botërore të Tregtisë, e të vendosë tarifa ndaj importeve amerikane, shtoi ai. Europa ka hartuar më herët një listë produktesh që do të goditeshin nga tarifat e importit, nëse Amerika vijonte me misionin e saj.

Edhe Gjermania e quan të paligjshëm vendimin, teksa ministri i Jashtëm Heiko Maas tha se “përgjigjja jonë ndaj sloganit ‘Amerika e para’ duhet dhe do të jetë ‘Europa e bashkuar’”.

“Ne nuk mund ta kuptojmë vendimin e SHBA-ve për të vendosur tarifat ndëshkuese ndaj BE-së. BE-ja, gjithsesi është e përgatitur të reagojë në mënyrë proporcionale, me kundërmasat e nevojshme”, shtoi ai.

Ishte pikërisht Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, ai që u komunikoi reporterëve vendimin.

“Duam t’u qëndrojmë negociatave që vijojnë prej kohësh, si me Kanadanë e Meksikën nga njëri krah, ashtu dhe me Komisionin Europian, nga ana tjetër. Kjo, sepse kemi edhe çështje të tjera që duhet t’i zgjidhim”, tha Ross, që gjithsesi nuk dha ndonjë detaj se çfarë duhet të bëjnë aleatët, në mënyrë që t’iu hiqen këto tarifa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat