Trump për Kimin: I kemi pëlqyer njëri-tjetrit

Bota

Trump për Kimin: I kemi pëlqyer njëri-tjetrit

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 19:56
Donald Trump dhe Kim Jong Un

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një bisedë me gazetaren e Zërit të Amerikës, Greta Van Susteren, shpalosi atë që ka diskutuar në takimin me liderin verikorean, Kim Jong Un, të martën në Singapor.

Zëri i Amerikës: Çfarë ju befasoi te Kim Jong Un?

Donald Trump: Vërtet, ai është një personalitet i shkëlqyer. Është një djalosh i këndshëm, është shumë i zgjuar dhe është një negociator i mirë. Ai e do popullin e tij, jo që jam i befasuar për këtë, por ai e do popullin e tij. Mendoj se jemi në fillim të një marrëveshjeje të mahnitshme. Do ta denuklearizojmë Korenë e Veriut. Do të nisë menjëherë. Gjëra të tjera po ndodhin po ashtu, përfshirë kthimin e mbetjeve (v.j. të ushtarëve amerikanë nga Lufta e Koresë).

Zëri i Amerikës: Pra, ju e vendosët çështjen e të drejtave të njeriut në tryezë. Si reagoi ai?

Donald Trump: Shumë mirë. Natyrisht se kemi folur për denuklearizimin 90 përqind të kohës, por edhe për gjëra të tjera, përfshirë të drejtat e njeriut dhe kthimin e mbetjeve. Këtë të fundit e kemi vënë në dokument. Kemi shumë gjëra të mira në atë dokument. Është përtej asaj që ka mundur ta mendojë dikush.

Image
Singapor - Presidenti i SHBA-së duke ecur me liderin verikorean , Kim Jong Un

Zëri i Amerikës: Na tregoni disa prapaskena… A i keni vënë ndonjë ultimatum? A ju ka vënë ai ndonjë ultimatum?

Donald Trump: Jo, nuk ka asnjë ultimatum. Jemi marrë me këtë punë që tre muaj, përmes përfaqësuesve të ndryshëm, përfshirë sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, i cii ka bërë një punë vërtet fantastike. E dini, për mua kjo është ora numër 25. Nuk kam bërë gjumë për 25 orë, ka pasur negociata të gjata dhe jam krenar me to. E kanë nisur procesin. Situata ka mundur të përfundojë me luftë, me miliona njerëz të vdekur, por ne do ta zgjidhim me marrëveshje.

Zëri i Amerikës: Çfarë në lidhje me trupat amerikane në Korenë e Jugut? A do të mbeten atje?

Donald Trump: Po, do të mbeten. Nuk kemi folur për to. Do të tërhiqemi nga lojërat e luftës që kushtojnë shumë para.

Zëri i Amerikës: Cili mendoni se është opinioni i Kimit për ju?

Donald Trump: Mendoj se i kam pëlqyer dhe mua më ka pëlqyer. E kuptoj të kaluarën, nuk duhet të ma thotë askush, ai është djalë i ashpër. Ai duhet të jetë i ashpër. Por, ne shkojmë shumë mirë bashkë. Ai është i zgjuar, e do popullin e tij, e do vendin e tij. Ai dëshiron shumë gjëra të mira dhe prandaj po e bën këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat