Trump nuk deklaron nëse e konsideron Putinin mik apo armik

Bota

Trump nuk deklaron nëse e konsideron Putinin mik apo armik

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 17:28
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri rus, Vladimir Putin, foto nga arkivi.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të martën se nuk mund të vlerësojë nëse homologu i tij rus, Vladimir Putin është mik apo armik dhe se takimi me të do të jetë pjesa më e lehtë e udhëtimit në Evropë, që përfshin pjesëmarrjen në samitin e NATO-s dhe vizitën në Britani, transmeton Reuters.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej drejt Evropës në një udhëtim një-javor, Trump ka përsëritur kriticizmin e tij ndaj aleatëve të NATO-së, rreth shpenzimeve për mbrojtje si dhe ka përmendur tensionet politike në Britani lidhur me planet për Brexit.

“E kam NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar, që është disi e trazuar dhe kam Putinin. Putin mund të jetë pjesa më e lehtë. Si mendoni ju?” ka thënë Trump.

“Do të shohim si do të shkojë”, ka thënë ai për samitin që do ta zhvillojë me Putinin në Helsinki më 16 korrik.

I pyetur nëse Putin është mik apo armik, Trump ka thënë: “Nuk mund ta them tani. Për aq sa di unë, konkurent”.

Trump, fushata zgjedhore e të cilit është duke u hetuar për bashkëpunim të mundshëm me Rusinë, ka thënë vazhdimisht se dëshiron të krijojë marrëdhënie të mira me Moskën, pavarësisht tensioneve mes SHBA-së dhe Rusisë për gjendjen në Ukrainë, Siri dhe ndërhyrjet në zgjedhje në gjithë botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat