Për Putinin, takimi me Trumpin është fitore - Bota Sot
Për Putinin, takimi me Trumpin është fitore

Bota

Për Putinin, takimi me Trumpin është fitore

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 07:53
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, samiti me homologun rus, Vladimir Putin, rrezikon reagime të ashpra politike, por, për Putinin, fakti se samiti po ndodh është tashmë një fitore e madhe gjeopolitike.

Pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara të Rusisë me SHBA-në dhe aleatët e saj, Kremlini, për kohë të gjatë, ka bërë përpjekje të aranzhojë takimin, duke vënë bast se Putin dhe Trump do të shkojnë shumë mirë së bashku.

Edhe pse askush nuk pret përparim të madh, samiti në Moskë shihet si njohje e statusit të Rusisë si fuqi e madhe dhe vetëdijesim i SHBA-së se interesat rusë duhet të merren parasysh.

“Fakti se takimi Putin-Trump do të ndodhë, tregon vetëm një gjë: pavarësisht gjithë histerisë, Shtetet e Bashkuara nuk mund të izolojnë ose injorojnë Rusinë”, tha Alexei Pushkov, deputet rus nga partia në pushtet “Rusia e Bashkuar”, transmeton Reuters.

“I është dashur kohë e gjatë Uashingtonit ta kuptojë këtë, por më në fund e kuptoi”, tha ai.

Zemërimi i Perëndimit për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, si dhe për ndërhyrjen e Moskës në luftërat në lindje të Ukrainës dhe në Siri, nuk është zbehur.

Akuzat e tjera, që hidhen poshtë nga Moska, përfshijnë ndërhyrjen e saj në zgjedhjet në SHBA dhe në politikat në Evropë, furnizimin me armë për rrëzimin e një aeroplani të pasagjerëve në vitin 2014 në Ukrainë, si dhe përpjekjet e saj për të vrarë një ish-spiun rus në Britani me agjent nervor.

Kritikët e Kremlinit, si në Rusi, ashtu edhe jashtë saj, e shohin vendimin e Trumpit për t’u takuar me Putinin si dhënie e legjitimitetit ndërkombëtar Putinit, një gjë që, sipas tyre, ai nuk e meriton, pasi politika ruse në arenën ndërkombëtare nuk ka ndryshuar.

Por, në Rusi, ku sistemi politik është i fiksuar me hierarkinë dhe shfaqjen e forcës, Putini “tashmë ka fituar”, tha Andrey Kortunov, analist me seli në Moskë, raporton Reuters.

“Samiti i mundëson Putinit të thotë se Rusia nuk është e izoluar, se Rusia është fuqi e madhe dhe se, në njëfarë mase, mund të ketë status të barabartë me Shtetet e Bashkuara, së paku në fushën e sigurisë”, tha Kortunov.

Image
Trump dhe Putin janë takuar më herët në ngjarje të tjera dhe kanë folur në telefon së paku tetë herë.

Pritjet janë të mëdha në Rusi se Putin, me më shumë se 18 vjet përvojë globale, do të jetë në avantazh përballë Trumpit, i cili nuk ka pasur përvojë politike përpara se të zgjidhej president, në vitin 2016. Trump dhe Putin janë takuar më herët në ngjarje të tjera dhe kanë folur në telefon së paku tetë herë.

Vitaly Tretyakov, një autor politik rus, e përshkroi Trumpin si “fillestar në politikën botërore”, të cilit Putini mund t’ia shpjegojë të menduarit rus dhe faktin përse Rusia “ka pasur të drejtë” ta aneksojë Krimenë.

Sergei Mironov, një tjetër ligjvënës nga partia “Rusia e Bashkuar”, tha se Putin padyshim se do të jetë më lart se Trump.

“Vladimir Putin do t’i japë mësime të vërteta politikanit të papërvojë, Donald Trump”, tha Mironov.

Samiti Trump-Putin do të mbahet në Helsinki më 16 korrik.

Trump ka thënë se nuk mund të vlerësojë nëse homologu i tij rus është mik apo armik, porse takimi me të do të jetë pjesa më e lehtë e udhëtimit në Evropë, që përfshin pjesëmarrjen e tij në samitin e NATO-s dhe vizitën në Britani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test