Ethet e samitit, Trump përgatitet për momentin kyç me Putinin - Bota Sot
Ethet e samitit, Trump përgatitet për momentin kyç me Putinin

Bota

E premte, 19 tetor 2018

Ethet e samitit, Trump përgatitet për momentin kyç me Putinin

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 09:57
Putin dhe Trump

Një përballje kokë më kokë me një armik të përhershëm, mbulim mediatik i pafundëm dhe vlerësime të mëdha. Edhe pse presidenti Donald Trump është takuar dy herë të tjera me homologun rus, Vladimir Putin, ai është i etur për të rikrijuar në Finlandë përvojën e zhurmshme të muajit të kaluar, me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong-un në Singapor.

Një samit që do të bëhet një ngjarje masive mediatike, e mbushur plot me imazhe të fuqishme presidenciale. Shpesh “showman” dhe këmbëngulës për krijimin e marrëdhënieve më të ngushta me Moskën, Trump refuzoi këshilltarët e tij dhe kërkoi ritualet dhe madhështinë e një samiti formal.

Trump u ishte mburrur të besuarve të tij mbi numrin e madh të kamerave në Singapor, duke pretenduar se kishte zbehur edhe mbulimin mediatik të çmimeve “Oscar”, sipas një zyrtari në dijeni të këtyre situatave, por të paautorizuar për të diskutuar bisedat private, ndaj ka kërkuar ruajtjen e anonimitetit.

Ndonëse fillimisht kishte shprehur shqetësimin e tij se Helsinki nuk do të ishte mjaftueshëm joshës, e kishte favorizuar më shumë pritjen e Putinit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan është garantuar nga ndihmësit e tij se gjithçka do të ketë një sfond të efektshëm. Dhe, duke besuar gjatë në fuqinë e lidhjeve personale, ai ka këmbëngulur përpara ndihmësve se është thelbësore të ulet me Putinin për të krijuar një raport.

“Ai ka qenë shumë i mirë me mua në rastet kur e kam takuar, sikurse kam qenë edhe unë për të. Ai është një konkurrent”, tha Trump për Putinin gjatë javës së fundit në Bruksel. “Dikush mund të ngrejë pyetjet, a është ai një armik? Unë do t’i përgjigjesha, jo, jo armiku im të paktën. Por, a është ai një mik? Edhe kjo përgjigje është jo, sepse nuk e njoh mjaftueshëm mirë”.

Duke u bazuar edhe në eksperiencat e tij si marketer dhe agjent shitjeje, Trump ka qenë i bindur prej kohësh se mjeshtëria e tij për të krijuar imazhe të fuqishme ka qenë thelbësore në rritjen e tij politike. Presidenti u ka thënë këshilltarëve se diplomacia në Singapor e bëri atë të duket si një president i ngarkuar.

Me të njëjtin përqëndrim ndaj detajeve që u kushtoi fushatave publicitare, Trump duket se ka udhëhequr shumë sa i përket pamjes për takimin e tij me Kimin, përfshi edhe përshëndetjen fillestare dramatike dhe shtrëngimin e duarve, e më vonë periudhën e takimit kokë më kokë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test