Vala e të nxehtit vijon të “përvëlojë” Europën

Bota

Vala e të nxehtit vijon të “përvëlojë” Europën

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 18:46
Harta

Temperaturat më të larta të parashikuara

Ndërsa temperaturat në të gjithë Europën vazhdojnë të ngrihen, gjithnjë e më shumë vende po lëshojnë paralajmërime dhe po u kërkojnë njerëzve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesëve më të nxehta të ditës.

Por, me pak apo edhe aspak lehtësim nga i nxehti, moti po rezulton veçanërisht i rrezikshëm për të pastrehët.

Në Paris, 67 departamente janë ende në alarm si pasojë e të nxehtit, me paralajmërime të reja të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë të dielën. Franca është detyruar të mbyllë 4 reaktorë bërthamorë, me qëllim që të mbajë lumenjtë Ron dhe Rin të freskët.

Uji i mbinxehur mund të rezultojë me ngordhjen në masë të madhe të peshqve, siç ka ndodhur në lumin Alster në Hamburg. Parashikuesit e motit thonë ndërkohë se, e keqja më e madhe ende nuk ka ardhur.

Vendi që ka regjistruar më shumë se 14 mijë viktima në valën e të nxehtit të vitit 2003, po përpiqet kështu të jetë i përgatitur për çdo situatë.

Në Britaninë e Madhe, meteorologët kanë konfirmuar se temperaturat në vend do të jenë më të larta sesa normalet, të paktën deri në tetor. Ndërsa pjesa e mbetur e gushtit, sipas tyre do të vazhdojë të jetë e thatë.

Në Portugali, termometri ka arritur 46 gradë Celsius, e sipas gjasave, rekordi europian prej 48 gradësh, i regjistruar në Athinë, mund edhe të thyhet.

Në ditët në vazhdim, – thonë meteorologët, – në Spanjë mund të arrihet deri në 48 gradë Celsius. Në Madrid dhe qytete të tjera, turistët kanë bërë çfarë kanë mundur për t’u freskuar sadopak.

Temperaturat kanë qenë thuajse të barabarta me ato në vendin më të nxehtë mbi tokë, Luginën e Vdekjes në Kaliforni. Si në Spanjë, ashtu edhe në Portugali, rreziku më i madh tani është ai i zjarreve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat