Ndihma e BE-së për Iranin dërgon një “mesazh të gabuar”

Bota

Ndihma e BE-së për Iranin dërgon një “mesazh të gabuar”

Më: 25 gusht 2018 Në ora: 10:04
Hassan Rohani

I dërguari më i lartë amerikan në Iran kritikoi vendimin e Bashkimit Europian për t’i dhënë 20.7 milionë dollarë ndihma Teheranit, të premten, duke argumentuar se kjo jep “një mesazh të gabuar, në kohën e gabuar”, ndaj dhe nxiti Brukselin të ndihmojë Uashingtonin t’i japë fund kërcënimit iranian ndaj qëndrueshmërisë globale.

“Ndihma e huaj nga taksapaguesit europianë përjetëson aftësitë e regjimit për të neglizhuar nevojat e popullit të tij dhe u zë frymën ndryshimeve të qenësishme të politikave”, tha Brian Hook, përfaqësuesi special i SHBA-ve në Iran.

“Populli iranian përballet me një presion tejet real ekonomik, shkaktuar nga korrupsioni i qeverisë së tyre, keqmenaxhimi dhe investimet e fuqishme në terrorizëm dhe konflikte të huaja, – shtoi më tej ai. – Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të punojnë bashkërisht për të gjetur zgjidhje afatgjata që mbështesin realisht popullin e Iranit dhe u japin fund kërcënimeve të regjimit ndaj qëndrueshmërisë rajonale dhe globale”.

Vendimi i së enjtes i BE-së për t’i dhënë 18 milionë euro ndihma Iranit synonte të kompensonte disi impaktin e sanksioneve amerikane, mes përpjekjeve të vendeve europiane për të shpëtuar marrëveshjen e vitit 2015, që detyroi Teheranin të kufizonte ambiciet bërthamore të tij.

Presidenti Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore në maj të këtij viti dhe riktheu në fuqi sanksionet mbi Teheranin, edhe pse palët e tjera të atij pakti po përpiqen të gjejnë mënyra për ta shpëtuar atë marrëveshje.

Financimi i BE-së është pjesë e një pakete më të gjerë prej 50 milionë eurosh, të rezervuara në buxhetin europian për Iranin, që ka kërcënuar nga ana e tij se nuk do t’i përmbahet më marrëveshjes bërthamore, nëse nuk arrin të shohë përfitime ekonomike nga lehtësimi i sanksioneve. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion ndaj vendeve të tjera të paktit që të pajtohen me sanksionet amerikane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat